FMN dhe BB vlerësojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, Sejko: Stabiliteti në vend u arrit përmes politikës monetare

Apr 23, 2024 | 8:02
SHPËRNDAJE

Guvernatori Gent Sejko mori pjesë në mbledhjen e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore në Uashington, pjesë e të cilit ishin ministrat dhe guvernatorët e bankave anëtare.

sejko

Guvernatori Sejko teksa njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit të ekonomisë shqiptare, theksoi se mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar, si dhe investimi i vazhdueshëm në zhvillimin e sistemit të pagesave kanë kontribuuar në forcimin e stabilitetit të vendit. Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht ecurinë e treguesve makroekonomik dhe trendin e ndjekur nga ekonomia shqiptare, pavarësisht krizave globale të rritjes së çmimeve. Ata theksuan se Shqipëria po kalon një moment të mirë ekonomik.

Viti 2023 u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, shifra rekord të investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në afro 1.5 miliardë euro, me një numër të lartë vizitorësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, si edhe me norma të ulëta të papunësisë.

Gjithashtu, sektori bankar paraqitet i mirë kapitalizuar dhe me norma të larta likuiditeti. Përballë një konteksti global të karakterizuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, e pasigurisë dhe e kostove të financimit, vendi ynë ka arritur të sigurojë ritme pozitive të rritjes ekonomike, të punësimit e të pagave, progres në drejtim të reduktimit të inflacionit, si dhe ka ruajtur stabilitetin e përgjithshëm ekonomik dhe financiar.

Inflacioni ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relavitisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin mars, kjo edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga BSH, që ka pasur si objektiv amortizimin e goditjeve dhe zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni shqiptar zhvilloi disa takime me zyrtarë të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, ku veçohen takimet me drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Federico Giammusso; drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; shefen e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, zj. Anke Weber; zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli; drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu; zëvendëspresidentin për Rajonin e Evropës pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), z. Alfonso Garcia Mora, etj..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura