POGRADEC/ GRAMSH
Fluks shtatzënash drejt qendrave të qyteteve dhe spitaleve. Prej komunave të thella malore të Pogradecit e Gramshit ka nisur transporti i nënave të reja për të mos rrezikuar bllokimin e tyre në rast se moti do të jetë në këto kushte. Nga zonat e Mokrrës, Velcanit e Proptishtit në Pogradec është bërë transportimi i 7 shtatzënave drejt spitalit rajonal të Pogradecit, në mënyrë që t’u bëhet parapritë problemeve ku mund të rrezikohet jeta e nënave apo fëmijëve të tyre, si pasojë e bllokimit të rrugëve nga moti i keq. Duke parë vijimësinë e reshjeve të borës nga vetë krerët vendorë, por edhe stafi mjekësor i këtij spitali është menduar që gratë në tremujorin e fundit të shtatzënisë të trajtohen në ambientet e shtëpisë së lindjes deri në sjelljen në jetë të foshnjave të tyre, apo përmirësimin e motit dhe hapjen totale të rrugëve. Transporti i tyre nga këto fshatra të izoluara ka qenë tepër i vështirë dhe i gjatë, gjë e cila në kushtet e një emergjence për këto gra mund të rezultonte fatale. Për shkak të rrugëve të bllokuara, transportimi i tyre ka zgjatur deri në 7 orë, ku kalimi i autoambulancës është ndihmuar përmes mjeteve të tjera. E njëjta situatë edhe në rrethin e Gramshit. Mësohet se 49 shtatzëna nga nëntë komunat e kësaj nënprefekture janë transferuar në qytet, tek të afërmit e tyre, si edhe në spital nën kujdesin e mjekëve. “Marrja e këtyre masave ka evituar çdo lloj rreziku për 49 gra shtatzëna mbi 7 muajshe në një mot mjaft të përkeqësuar që ka përfshirë edhe këtë zonë ku rrugët janë të bllokuara thuajse plotësisht prej një kohe të gjatë”, tha nënprefekti Shkëlqim Hoxha. dh.d/m.s











