Edhe këtë vit vajzat shqiptare nuk arritën të korrin ndonjë sukses të madh në spektaklin më të madh të bukurisë në botë, ”Miss World”, që është mbajtur në Mongoli. Floriana Garo përfaqësoi Shqipërinë dhe në disa intervista bukuroshja shqiptare kishte deklaruar se donte ta shihte veten si më e bukura e botës, por edhe këtë vit ajo nuk kishte fatin që të kapte të paktën as Top 10 e më të bukurave në mbarë rruzullin tokësor. Edhe pse me bukurinë e saj ka mahnitur konkurrentet dhe publikun atje, Floriana nuk ka arritur të fitojë zemrën e jurisë që zgjedhin femrat më të bukura të botës. Të njëjtin fat këtë vit e ka pasur edhe shqiptarja Martina Ivezaj, e cila ka përfaqësuar Gjermaninë. ”Një muaj kemi qenë në Mongoli, po ashtu kemi shëtitur në Shanghai dhe Changshu, kemi parë shumë vende e gjëra interesante, kemi pasur shumë stres, jemi zgjuar herët e kemi shkuar në gjumë shumë vonë. Me vajzat kam kaluar shumë mirë, ndërsa me Florianën jemi bërë shoqe shumë të mira, shpresoj që së shpejti ta shoh përsëri”, – është shprehur kështu Martina Ivezaj, e cila u është kthyer angazhimeve të saj si modele në Gjermani. ”Miss World ishte vërtet një eksperiencë që unë do ta kujtoj gjithmonë dhe për të cilën do të jem krenare. Krenare veçanërisht për faktin që kam përfaqësuar Shqipërinë për 100-vjetorin e Pavarësisë në evenimentin më të madh të bukurisë në botë. Mendoj se e kam arritur objektivin tim sepse kam lënë një imazh shumë pozitiv të vendit tonë, e kam promovuar Shqipërinë te të gjithë vajzat, organizatorët e “Miss World” dhe kam folur për të në çdo intervistë që kam dhënë në Kinë. Pjesmarrja në “Miss World” më ka mundësuar të vizitoj vende përrallore, të mësoj shumë rreth një kulture të re dhe ekzotike, dhe mbi të gjitha të takoj vajza të mrekullueshme me të cilat kam zhvilluar një miqësi të vërtetë. Mes këtyre vajzave do të veçoja bukuroshen nga Italia, e cila u bë shoqja ime e ngushtë atje dhe Miss Gjermaninë Martina Ivezaj, me të cilën komunikoja shumë hapur në gjuhën shqipe gjatë kohës që ishim në Kinë. Ne vazhdojmë të mbajmë kontakte dhe po planifikojmë të vizitojmë njëra-tjetrën së shpejti”, – shprehet Floriana. Ndërkohë Floriana u është kthyer obligimeve në Shqipëri në televizionin ku prezanton motin dhe ka filluar të bëjë publike edhe fejesën e saj me Teodorin, djalin e milioneres Shefikat Ngjela. ”Po, është e vërtetë. Tedi po ndjek tani biznesin e familjes, por unë nuk jam e fejuar zyrtarisht me të. Ne bashkëjetojmë prej 2 vitesh dhe planifikojmë të fejohemi së shpejti. Sapo të ndodhë, do t’ju njoftojmë”, është shprehur Floriana në bisedën për gazetën ”Panorama”.











