Flora Nikolla: Në kërkim të 100 personaliteteve të vitit

Jul 30, 2012 | 14:56

Një libër dhe një mbrëmje gala kushtuar 100 personaliteteve shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Disa i njohim, të tjerë nuk i kemi dëgjuar kurrë. Gazetarja i bën të gjithë bashkë, për të na rrëfyer më shumë për veten dhe karrierën e tyre. “Kemi lindur në një shekull pragmatist. Jemi zotër të vetvetes, nuk jemi bij të askujt”. Kështu thotë gazetarja Flora Nikolla, teksa i mëshon idesë se me talent e shumë punë mund t’ia hapësh portat vetes, pavarësisht se nga vjen e çfarë traditash familjare ke pas shpine. Ndërsa ka punuar për vite me radhë në lëmë të gazetarisë, kryesisht asaj të kulturës, Nikolla i është futur një misioni, i cili si fillim dukej i pamundur, por që tashmë ka marrë udhë e nuk ka më kthim pas. Nën logon e qendrës “Albanian excellence” ka vendosur të bëjë bashkë 100 ndër personalitetet më të shquara shqiptare të shpërndarë nëpër botë. “Janë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare. U përkasin profesioneve të ndryshme. Janë artistë, këngëtarë, piktorë, mjekë, inxhinierë… njerëz që janë përpjekur dhe që kanë arritur të ndërtojnë karriera për t’u admiruar. Disa prej tyre i njohim, por shumë syresh janë fare të padëgjuar për publikun shqiptar”, tregon Nikolla. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ka vendosur t’i bëjë bashkë këto personalitete, secili artist në fushën e vet, në një botim e më tej të organizojë edhe një mbrëmje gala. E pamundur t’i ftojë të njëqindtë, por disa syresh, të cilët janë shprehur të gatshëm të vijnë dhe të interpretojnë në skenën shqiptare. Kur përmend 100-vjetorin, menjëherë të vijnë në mendje projektet e financuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por Nikolla nxiton të sqarojë se ndërmarrja e saj s’ka asfare lidhje me “kalendarin” festiv.
Në kërkim të 100-ëve
Misioni i saj nuk ka qenë edhe aq i lehtë, sepse ajo nuk është drejtuar tek ata emra, të cilët tashmë janë të njohur dhe shumë të ndjekur për shqiptarët, por tek ata që kanë qëndruar larg vëmendjes së mediave, pavarësisht se mund të jenë instrumentistët e parë në orkestra europiane apo mjekë të zotë bash në zemër të Manhatanit. Dhe këta emra nuk i ka parë nëpër gazeta, por ka dëgjuar të flitet për ta nga njerëz të thjeshtë. Dhe i ka gjetur. “Më ka prekur gatishmëria e tyre, jo për t’u bërë publikë apo për famë, pasi ata e kanë tashmë këtë, por për të bërë diçka në vendin e tyre dhe u mjafton një telefonatë, për të thënë: “Erdha!”. Gjatë kësaj eksperience takimesh nga afër apo edhe komunikime nga larg, gazetarja ka dëgjuar gjithfarë historish, të cilat e kanë prekur. “Janë të gjitha histori njerëzore. Janë histori të sinqerta”, thotë ajo, teksa thotë se si të gjithë janë treguar të hapur për të rrëfyer jetët e tyre, vështirësitë pa fund në vende të huaja, ku nuk njihnin askënd dhe i shihnin vëngër, ku janë përpjekur pa fund për të arritur maksimumin, sepse ata ishin shqiptarë, se si kanë fituar besimin dhe si kanë ngritur në këmbë karrierat e tyre. Pa mundur t’i përmendim të gjithë, ndër 100 shqiptarët e vitit renditen emra si ai i violinistëve Marin Gjollma e Alban Pengili, piktorit Niko Dhales, këngëtares Elina Duni, mjekut Indrit Reso, sopranove Alketa Çela e Oriana Kurteshi, pianisteve Marsida Koni e Mirsa Adami, pilotit James Berisha e shumë e shumë të tjerëve, për të cilët ia vlen të mësosh më shumë.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura