Trajnerit të Barcelonës, Hansi Flik (59 vjeç) iu rezervua një pritje të ngrohtë në ceremoninë para nisjes së trofeut “Joan Gamper”.
Tifozët e Barcelonë kanë thirrur emrin e tij, teksa dhe trajneri gjerman iu drejtua tifozëve të tij të rinj për herë të parë për të përcjellë një mesazh të shkurtër në lidhje me synimet e ekipit për sezonin e ri që më përkon me sezonin e tij të parë si trajner i Barcelonës. Pas prezantimit të skuadrës para tifozëve, Flik mori mikrofonin dhe filloi fjalimin e tij të shkurtër në gjuhën katalane, gjest që fansat e vlerësuan me duartrokitje. “Mirëmbrëma, jam shumë i lumtur që jam këtu. I gjithë ekipi dhe stafi pas nesh po punojnë shumë, të përqendruar për të arritur qëllimet tona. Me mbështetjen tuaj ne do të jemi më të fortë. Shijojeni teksa shikoni Barçën”, deklaroi Flik, i cili më vonë ia dha vendin kapitenit të ekipit Mark Andre Ter Shtegen.
KAPITENI TER SHTEGEN – Në prezantimin e ekipit para tifozëve të Barcelonës nuk mund të mungonte kapiteni i ri (pas ikjes së Serxhi Robertos) Ter Shtegen. Nga gjermani i stolit, te gjermani numri një në fushë për Barçën. Ai theksoi se një përgjegjësi e tillë është një nder, teksa kujtoi ish-shokun e ekipit dhe stafin e ish-trajnerit Ksavi. “Duam të falënderojmë Ksavin dhe stafin e tij. Dhe duam të urojmë Serxhi Roberto për atë që ka arritur në klubin e jetës së tij, ata do të mbahen mend si dy legjenda”, tha Ter Shtegen. Më tej në fjalën e tij portieri nënvizoi se: “Ne e fillojmë këtë sezon të ri me shumë entuziazëm dhe e mirëpresim trajnerin e ri. Shpresojmë që të jetë një sezon me shumë suksese. Përveç kësaj, do të jetë rikthimi në shtëpinë tonë të dashur, ‘Camp Nou’ e rikonstruktuar”.
TRESHJA KAMPIONE – Para ndeshjes kundër Monakos e vlefshme për trofeun “Joan Gamper” kanë folur dhe tre kampionët e Europës me Spanjën, Ferran Torres, Pedri Gonzalez dhe Lamine Jamal. “Jam shumë i lumtur që mund të kthehem në shtëpi. Në fund të fundit, para këtyre tifozëve është ajo ku më pëlqen të luaj më shumë. Ne me të vërtetë po e presim me padurim nisjen e sezonit të ri”, tha Lamine Jamal.
Nga ana tjetër Pedri ishte më i qartë dhe i prerë. “Ne jemi Barça dhe duhet të aspirojmë gjithçka, si çdo vit. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore të mirë. Kjo na e shton optimizmin. Edhe personalisht po rikuperohem shpejt për të qenë gati dhe në formë optimale. Mendoj se nuk ka mbetur dhe shumë kohë për të qenë në gjendje të plotë”, tha mesfushori nga ishujt Kanarie. Dëshirën për sukses në sezonin e ri e ka shprehur dhe sulmuesi i Barcelonës dhge kombëtares spanjolle, Ferran Torres.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al