
Intervista/ Ilir Meta flet për koalicionin me PD dhe takimet me Edi Ramën: Çdo marrëveshje ka të bëjë me integrimin.
Kreu i LSI: Të mbyllen reformat që kërkon BE.
“LSI u qëndron marrëveshjeve dhe thelbi i çdo marrëveshjeje ka të bëjë me integrimin e vendit”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje nga Korça se zgjedhja e Presidentit ka lidhje më shumë me realizimin e reformave integruese të vendit.
I pyetur nga gazetarët nëse LSI do të ndërpresë bashkëpunimin me Partinë Demokratike në bashkëqeverisje për t’u bashkuar me PS, Meta tha se i qëndron marrëveshjeve, por sipas tij ajo duhet të ketë në thelb të saj procesin e integrimit të vendit. Duke parë me shqetësim vonesat në reformat integruese, Meta u bën apel faktorëve politikë që të përfundojnë në kohë dy reformat kryesore, atë zgjedhore dhe parlamentare, si afate të vendosura dhe nga Komisioni Europian, që është 24 maji. Lidhur me emrin e kandidatit për President, Meta shprehet se, edhe pse ka disa kandidatë dhe ka mendime të ndryshme rreth tyre, i rëndësishëm është procesi që duhet ndërtuar, pasi mbi bazën e tij varen të gjitha proceset integruese të vendit në të ardhmen, investimet e huaja dhe marrëdhëniet e vendit në rajon. Kreu i LSI-së vlerëson komunikimin e nisur nga kryetari socialist Edi Rama me kryetarët e partive parlamentare për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa kërkon që kreu i ri i shtetit të votohet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që në raundin e parë, pasi sipas tij, zgjedhja e Presidentit nuk duhet të nënkuptojë zëvendësimin e një individi.
Z. Meta, kreu i opozitës është shprehur se do të bashkëpunojë me LSI-në në rast se ju largoheni nga koalicioni. Cili është komenti juaj?
Lëvizja Socialiste për Integrim është e njohur si forcë politike, e cila në plan të parë ka interesat e stabilitetit të vendit dhe pa dyshim është krijuar si forcë politike për të ndihmuar përshpejtimin e proceseve integruese në vend. Ndaj edhe të gjithë qëndrimet e saj burojnë pikërisht nga ky angazhim madhor për ta forcuar këtë stabilitet dhe mbi të gjitha për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Europian. Kjo është arsyeja që ne kemi apeluar, në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit për të përmbyllur disa nga prioritetet kyçe, të cilat kanë të bëjnë edhe me vlerësimin që do të bëhet në vjeshtën e këtij viti për statusin e vendit kandidat. Unë gjej rastin, edhe këtu nga Korça, për të apeluar edhe një herë tjetër për mbylljen urgjente të reformës zgjedhore deri më 24 maj, por edhe të reformës parlamentare, për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së imunitetit dhe natyrisht edhe për të gjitha prioritetet e tjera të cilat tashmë janë të njohura si 12 rekomandimet apo prioritetet e Komision Europian për Shqipërinë.
A mund të flasim për një dialog të hapur me z. Rama që pas takimit që patët?
Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur se dialogu është një domosdoshmëri që duhet praktikuar pa ndërprerje midis të gjithë aktorëve politikë, në radhë të parë atyre parlamentarë, sepse dialogun e kërkon detyrimi për t’i shërbyer disa interesave që janë përtej atyre partiake dhe interesi kryesor në këtë rast është përshpejtimi i integrimit europian. Kjo është një sfidë e të gjitha partive dhe prandaj kërkon dialog, kërkon bashkëpunim, kërkon kompromise dhe vullnet pozitiv.
A mund të ndërprisni para kohe bashkëpunimin me Partinë Demokratike për shkak të një bashkëpunimi me Partinë Socialiste?
Lëvizja Socialiste për Integrim njihet si një forcë politike, e cila u qëndron marrëveshjeve dhe natyrisht që thelbi i çdo marrëveshjeje tonë ka të bëjë në radhë të parë me integrimin e vendit.
Ndërkombëtarët kërkojnë që Presidenti të zgjidhet me 84 vota dhe jo me 71. Cili është mendimi juaj?
Dhe unë uroj që çështja e Presidentit të zgjidhet që në raundin e parë, mundësisht me 140 vota, por natyrisht ajo që është më e rëndësishme do të ishte zhvillimi i një procesi konstruktiv, i një procesi dialogues, i një procesi i cili nuk synon zëvendësimin e dikujt, por në radhë të parë synon vazhdimin e të gjitha reformave të cilat do të duhet të vijojnë edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ri.
Z. Meta, është më i rëndësishëm procesi apo emri që do të zgjidhet?
Nuk ka nisur ende procesi, megjithatë kemi një proces komunikimi. Kemi mendime të ndryshme. Kemi edhe kandidatë të caktuar. Unë mendoj se kjo është pozitive. Ndërsa për sa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim, rëndësi ka procesi dhe rëndësi ka që Shqipëria të marrë patjetër statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti. Kjo nuk është thjesht për arsye që kanë të bëjnë vetëm me imazhin e Shqipërisë, pasi do të jetë një vend që arrin një status të ri dhe hedh një hap të ri në raport me BE-në, por kjo absolutisht ka për të ndikuar dhe do të ndikojë në forcimin e stabilitetit të vendit dhe njëkohësisht ka për të ndikuar edhe për të tërhequr më shumë investitorë të huaj në Shqipëri, e do të rrisë rolin konstruktiv të Shqipërisë në të gjithë rajonin tonë.
A është z. Nano kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim për President?
LSI nuk ka shpallur asnjë kandidat për President, sepse nuk e shikon çështjen e zgjedhjes së Presidentit si një mundësi për të bërë një garë ndërmjet forcave politike, por LSI ka si objektiv kryesor t’i shërbejë një procesi sa më konstruktiv, një procesi i cili do të sillte një vazhdimësi reformash në të ardhmen në vend, sepse kjo është ajo për të cilën ka më shumë nevojë Shqipëria.
Do të thotë kjo që ju do t’i mbështesni të gjitha kandidaturat e maxhorancës?
Ne jemi të vendosur për t’i kontribuar një procesi stabilizues, një procesi konstruktiv, një procesi i cili i jep një notë pozitive klasës politike shqiptare nga partnerët ndërkombëtarë, por në radhë të parë nga vetë qytetarët shqiptarë, të cilët janë të interesuar më shumë për t’u forcuar stabiliteti i vendit, për t’u mbrojtur sa më shumë nga efektet e kësaj krize ekonomike dhe financiare që shohim në vendet fqinje dhe kudo. Ky është interesi më i madh. Nuk është çështja e një emri që do të zgjidhet, por kemi të bëjmë me një proces me impakte shumë të rëndësishme e ne do të punojmë që të jenë impakte pozitive për Shqipërinë.
Sa përcaktuese do të jetë LSI-ja në procesin e zgjedhjes së Presidentit?
Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe natyrisht që i gjithë kontributi ynë ka qenë dhe mbetet për një proces konstruktiv, stabilizues dhe europianizues, sepse është momenti që klasa politike në Shqipëri të demonstrojë atë pjekuri të cilën e kërkon vetë situata që ndodhet vendi, por njëkohësisht edhe situata e fqinjëve tanë, e cila nuk është ajo që ne do të dëshironim.
© Panorama.alKreu i LSI në Konferencën e Gruas në Korçë
“Të ecim me shpejt me marrjen e statusit kandidat për në BE”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka shprehur mbështetjen që LSI-ja i jep gruas, duke theksuar se angazhimi i gruas në politikë dhe në fusha të tjera e bën shoqërinë më të drejtë dhe është tregues i emancipimit të vendit. “Angazhim i juaj është një angazhim shumë domethënës, është një angazhim shumë përcaktues dhe besoj se pas kësaj konvente që organizoni, Lëvizja e Gruas për Integrim do të ketë një dimension të shtuar jo vetëm në LSI, por në gjithë jetën tonë politike dhe sociale”, tha Meta në fjalën e tij në Konferencën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Korçë. Sipas tij, LSI është duke zhvilluar një proces rifreskimi të saj në të gjithë vendin me gratë dhe vajzat më aktive dhe më prezantuese të saj. “Është një moment që kërkon fuqizimin e gruas. Sfidat kanë veçantitë e tyre, nevojitet angazhim në çështjet më madhore që ka vendi. Duhet të ecim më shpejt për marrjen e statusit, është një mesazh që në gojën tuaj është edhe më domethënës dhe inkurajues, kur jemi dhe në vigjilje të 100-vjetorit të pavarësisë. Angazhimi në politikë, si dhe në jetën sociale e ekonomike do ta çojë Shqipërinë në progres dhe arritje më të mëdha”, tha ai. Meta tha se LGI dhe LRI do të jenë dy fuqitë kryesore jo thjesht të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por do të ketë atë transformim që ka e gjithë politika shqiptare dhe e gjithë shoqëria shqiptare.












