
Kreu i DSHTRR, Arben Pinari, tregon mënyrën se si do të bëhet kontrolli fizik i makinave, dokumentet që janë eliminuar dhe kriteret e reja.
Sistemi me pikë për patentat, puna për projektin gjatë këtij viti .
Udhëzimi i ri i ministrit të Transporteve për dokumentet e qarkullimit dhe të regjistrimit të mjeteve rrugore me motor, i cili ka hyrë në fuqi pak ditë më parë, sjell një sërë risish. Kreu i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, Arben Pinari, në një intervistë për gazetën shpjegon konceptet e reja që fut ky udhëzim, duke nisur nga thjeshtimi i procedurave për qytetarët deri te procedurat e kontrollit fizik të mjetit, të cilat do të jenë ndryshe. Pinari thekson se gjatë vitit 2012 do të jenë një sërë projektesh për të cilat do të punohet, ku mjaft i rëndësishëm është edhe ai i krijimit të regjistrit kombëtar elektronik me qytetarët që kanë marrë lejë drejtimi, çka ecën në të njëjtën linjë me implementimin dhe zbatimin e sistemit me pikë për patentat.
Çfarë ndryshimesh sjell udhëzimi i hyrë në fuqi pak ditë më parë lidhur me mjetet e transportit rrugor?
Udhëzimi për dokumentet e qarkullimit dhe regjistrimin e mjeteve rrugore është një udhëzim, i cili jo vetëm ka reflektuar ndryshimet konceptuale dhe ligjore që kanë ndodhur gjatë procesit të regjistrimit të mjetit, por njëkohësisht ka bërë një përmbledhje të të gjithë legjislacionit që ishte i shpërndarë. Ka futur konceptet e reja të regjistrimit elektronik dhe të regjistrit kombëtar elektronik. Ka ligjëruar ndryshimet që sjell ky proces, pra nëse me procesin e informatizimit ne nuk marrim më vërtetim të banimit të qytetarit ky udhëzim e ligjëron, nëse nuk marrim më vërtetim nga pikat e kalimit të kufirit, ky udhëzim e ligjëron. Ligjërohet marrja e këtij informacioni online në kohë reale, për të cilin qytetari nuk ka nevojë më të paraqesë këto dokumente. Bën shumë rregullime të procedurës së regjistrimit. Fut disa kritere të reja te kontrolli i autoshkollave dhe të drejtat që kanë ato. Ka përcaktuar më qartë mënyrën e çregjistrimit të mjetit, mënyrën e rinovimit të dokumentacionit kur ai humbet, duke ligjëruar procedurat e reja të regjistrimit elektronik. Udhëzimi ka futur një kriter shumë të fortë të sigurisë së mjeteve. Tashmë nuk mund të regjistrohen dy mjete me një numër shasie. Nuk mund të regjistrohet apo të ndryshojë pronësia e ndonjë mjeti pa kaluar nëpërmjet kontrollit të Interpolit. Ne, brenda 45 ditëve punë na kanë dalë 71 mjete të trafikuara, i bie afro dy mjete në ditë.
Çfarë lehtësish sjell për qytetarin udhëzimi i ri që po zbatohet?
Udhëzimi është i nevojshëm për procedurat që do të ndiqen. Tek udhëzimi i mëparshëm kanë qenë shumë dokumente që duhet të paraqiste qytetari për një procedurë të caktuar. Për shumë nga këto dokumente ne nuk kishim të zyrtarizuar marrjen e informacionit online, të cilën e vunë në funksion në tetor. Nga ky muaj deri më 13 shkurt, kur ka hyrë në fuqi ky udhëzim, është reflektuar gjithë eksperienca e përfituar. U desh një periudhë tranzitore nga zbatimi i këtij udhëzimi që të njiheshim jo vetëm me fenomenin, por dhe me zbatimin, duke evidentuar problemet dhe hallkat që duhet të ndiqte ky proces, në mënyrë që të plotësonim pjesët ku vëreheshin mangësi. Ne në udhëzim kemi përcaktuar që tashmë qytetarëve nuk duhet t’u kërkohet as vërtetimi i banimit, as vërtetimi i kalimit nga pikat kufitare, as urdhri i zhbllokimit nga dogana, që ishin dokumente që duhet të shkonin të paktën në tri institucione. Që të merrje vërtetimin e banimit duhet të shkoje në njësinë administrative ku banoje, që shumë qytetarë kanë probleme me këtë pjesë. Duhet të merrje vërtetim nga pikat e kalimit në Kakavijë apo Kapshticë, apo pikë tjetër nga ka hyrë mjeti. Nga ana tjetër, edhe urdhri i zhbllokimit ka qenë një procedurë që lidhej me procedurat standarde që kishin doganat. Këto të fundit urdhrin e lëshojnë për mjete që transportojnë mallra të ndryshme, por jo për një automjet.
Udhëzimi sanksionon edhe një pjesë që lidhet me kontrollin fizik të mjetit? Çfarë ndryshon, shtohet apo hiqet nga ky kontroll?
Në kontrollin fizik, natyrisht që udhëzimi fut nocione të reja. Certifikata e kontrollit fizik nuk do të jetë më certifikatë e mbushur me dorë, por do të jetë elektronike. Shumë shpejt në funksion të këtij udhëzimi do të mundësojmë edhe procesin e fotografimit të mjetit. Pra, do të hedhim në sistem jo vetëm të dhënat e mjetit, por dhe foton e tij ashtu siç është regjistruar herën e parë. Gjithçka do të pasqyrohet te faqja jonë, duke lejuar kështu që të pasurohet historiku i mjetit. Fotografimi dixhital do të bëhet në moment gjatë regjistrimit dhe certifikata do të jetë elektronike. Tek udhëzimi i mëparshëm bëhej vetëm kontrolli i mjetit, i shkëputur nga dokumentacioni, pasi dokumentacionin e kontrollonte një palë tjetër që quheshin pranuesit. Tani udhëzimi i ri përcakton që kontrolli fizik do të bëjë edhe ballafaqimin e dokumentacionit shoqërues të mjetit me vetë mjetin. Kjo është një formë që e sjell kontrollin fizik më pranë funksionit të vet. Më parë, ky kontroll shihte vetëm anën vizuale të mjetit, i shkëputur nga dokumentacioni shoqërues.
Ju thatë që udhëzimi sjell edhe disa ndryshime për autoshkollat, ku konsistojnë ato?
Janë disa ndryshime që kanë ardhur si rezultat i bashkëpunimit me Shoqatën e Autoshkollave. Ka shumë raste kur subjektet që marrin një mjet me qira nuk e regjistrojnë kur e përshtatin në autoshollë. Udhëzimi vendos disa rregulla më strikte, si dhe kritere që lidhen me përqindjen e autoshkollave, sa të tilla duhet të jenë etj. Gjithsesi, sërish kjo pjesë do të reflektohet te rregullorja që do nxjerrim për mënyrën e aplikimit të autoshkollave. Ne kemi bërë një ndryshim tjetër, tashmë jo vetëm kategoria (B), pra patenta e klasit (B), është e informatizuar, por janë të gjitha klaset. Për gjithë llojet e patentave testimi teorik jepet në mënyrë elektronike.
Duke qenë se jemi te marrja e patentave apo lejes së drejtimit të mjeteve. Gjatë 2012 drejtoria juaj do të punojë për implementimin e pjesës që lidhet me sistemin e pikëve në patentë? Si do të veprohet për këtë?
Ne duhet të paraprijmë me infrastrukturë zbatimin e gjitha këtyre ndryshimeve. Do të krijojmë një regjistër kombëtar të drejtuesve të mjeteve, që sot fatkeqësisht nuk ekziston. Ekziston, por jo në formën që kërkohet. Ky regjistër nuk duhet të jetë në bazë të numrit të patentave, siç është sot, në të vërtetë duhet të jetë me numrin e qytetarëve të pajisur me lejë drejtimi dhe çfarë lejesh drejtimi. Pra, duhet të kemi një regjistër ku një emër të figurojë vetëm një herë dhe të gjitha llojet e patentave që ka ky individ të jenë me fraksion. Drejt kësaj do shkojë, sepse ky është standardi. Patenta me pikë është një standard që duhet plotësuar për kushtet teknike të drejtuesve të mjeteve. Ndryshimet që janë bërë gjatë 2011 në legjislacion, kur u hoq edhe taksimi në momentin e shitblerjes së mjeteve, pati efekt të dyfishtë. E para, çliroi tregun dhe e dyta, i parapriu edhe ndryshimeve që u bënë në Kodin Rrugor në dhjetor. Futja e patentës me pikë, për të cilën ne do të punojmë gjatë këtij viti, ka hapur rrugën që të fillojmë të implementojmë këto ndryshime. Për një mjet që shkel rregullat e qarkullimit dhe nuk i qëndron policisë, do të bëhet identifikimi përmes targës së mjetit dhe duhet të dalë kush është i zoti ose ky i fundit duhet të japë të dhëna se kush ka qenë në atë moment në drejtimin e mjetit. Mjeti ka shkelur rregullat e qarkullimit, por faji është i drejtuesit dhe të vendoset nëse do të gjobitet apo do t’i zbriten pikët nga patenta. Synimi ynë është që qytetari të aksesojë faqen online në çdo moment, për të parë edhe sasinë e pikëve që ka. Ai mund të shkelë rregullat dhe policia e gjobit, i heq pikët, e ai nuk është në dijeni. Me këtë aksesim të faqes, ai është i vëmendshëm edhe ndaj kësaj pjese për të mos rrezikuar që t’i hiqet leja e drejtimit të mjetit për shkak të uljes së numrit të pikëve.
Amnistia
Nga amnistia fiskale qytetarët përfituan jo vetëm në aspektin e tatimeve, por edhe për disa taksa të mbartura, të cilat duhet t’i paguanin pranë DPSHTRR. Sipas të dhënave të kësaj drejtorie, nga procesi i amnistisë deri në fund të vitit 2011 janë çregjistruar 31 mijë mjete dhe janë futur në qarkullim rreth 8 800 mjete. Në total, numri i mjeteve që kanë përfituar nga falja fiskale është 41 mijë. Amnistia fiskale filloi zbatimin e saj në maj të vitit 2011 dhe kishte afat deri në
dhjetor të vitit 2011, por me kërkesë të disa grupeve të biznesit, ajo është shtyrë deri në fund të muajit mars.Heqja e doganës, 41 mijë mjete të reja
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor vëren se që nga heqja e doganës, që u bë vitin e kaluar, janë regjistruar 42 mijë mjete. Ky numër është rezultat i vetëm pak muajve, nga 24 gushti kur ligji hyri në fuqi dhe deri më 31 dhjetor 2011. Kreu i DPSHTRR, Arben Pinari, vlerëson se heqja e taksës doganore, por dhe ajo e shitjes së mjeteve brenda vendit, ka dhënë impakt të rëndësishëm në treg.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











