Flamurtari shkërmoq malazezët, Vllaznia fiton me maltezët

Jul 1, 2011 | 10:48
Lojtarët e Vllaznisë duke festuar golin e Sukajt

Flamurtari ka mundur pastër 3-1 Buduçnostin në fushën e këtij të fundit, ndërsa Vllaznia fitoi po në transfertë ndaj maltezëve të Birkink-arasë falë golit të Sukajt.Mund të quhen thuajse të kualifikuara. Si Flamurtari dhe Vllaznia kanë fituar në takimet e tyre të para për Ligën e Europës duke pritur pa shumë probleme ndeshjet e kthimit në fushën e tyre pas një jave. Nënkampionët e Shqipërisë fituan në Podgoricë ndaj Buduçnostit falë golave të Shehajt, Idrizajt dhe penalltisë së Sakajt. Por duhet thënë se në të tria rastet protagonisti ishte sulmuesi me eksperiencë, Daniel Xhafaj. Në golin e parë ai besoi deri në fund, duke i vjedhur bukur një top mbrojtësit të malazezëve dhe më pas dha një kros të bukur në zonë ku gjeti totalisht të lirë dhe me portën bosh, Shehajn. Në rastin e dytë, kombinimi i tij me Nijas Lenën nxori të riun Idrizaj të vetëm në zonë me portën bosh dhe në rastin e tretë arriti të fitojë me shumë zgjuarsi një penallti, të cilën e ktheu në gol kapiteni Artan Sakaj. Nga ana tjetër, vendasit u zgjuan vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur barazuan përkohësisht rezultatin në 1-1 me anë të Boshkoviç, por më pas nuk arritën të bënin asgjë më shumë, duke çaluar jashtëzakonisht shumë në mbrojtje. Ndërkaq, në Maltë, Vllaznia doli në avantazh që nga dhomat e zhveshjes përderisa ende pa kaluar dy minuta lojë, në aksionin e parë të ndeshjes, Sukaj dribloi bukur tre mbrojtës duke shënuar golin e parë dhe të vetëm të ndeshjes. Vendasit u munduan shumë për të ndryshuar rrjedhën e lojës, madje duke rrezikuar ndjeshëm, sidomos në pjesën e dytë portën e mbrojtur nga Vujadinoviç, por pa arritur që të shënojnë. Nga ana tjetër, shkodranët mbrojtën mirë rezultatin duke shfrytëzuar kundërsulmin. Në fakt, me anë të kundërsulmeve Sukaj dhe në fund edhe Gocaj, patën dy raste të pastra, gati me portën bosh, por nuk arritën që të shtynin topin në rrjetë. Gjithsesi, rezultati 1-0 në transfertë u jep mundësi shkodranëve që të luajnë me qetësi në takimin e pas një jave në “Loro Boriçi”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Flamurtarin, i cili falë rezultatit të djeshëm 3-1, mund t’i lejojë luksin vetes që të humbë edhe minimalisht në ndeshjen e kthimit dhe sërish të kualifikohet.

Birkirkara-Vllaznia 0-1

Shënues: Sukaj 2′
Kartonë të verdhë: Savinons/ Rajoviç
Gjyqtarë: Ignasi Rozados/ L.Lopez dhe Rui M.D Kueiros (AND)
Birkirkara: Mora, Savinovs, Agius, Siberras, Feneh, Çilia, De Çesare, Kamili (Silva 81′), Zerafa (Gresh 46′), Buhagiar, Muskat (Tabone 63′).
Trajner: Patrik Kurmi
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajlaj, Popoviç, Abraham, Belisha, Sukaj (Nimani 90+4′), Vajushi (Shtubina 81′), Sykaj, Rajoviç, I.Nallbani, Gocaj (Hasani 88′). Trajner: Mirel Josa

Buduçnost-Flamurtari 1-3

Shënues: Boshkoviç 52’/ Shehaj 23′, Idrizaj 62′, Sakaj 65′ (p)
Kartonë të verdhë: Radoviç, Dragojeviç, F.Xhunior/ Liçaj, Lena
Gjyqtarë: Tolga Ozkalfa/ B.Akin dhe E.Kan (TUR)
Buduçnosti: Dragojeviç, Radunoviç, Radoviç, Cicmil, Mugosha, P.Vukçeviç, Boshkoviç, N.Vukçeviç, Adroviç (Flavio Xhunior 46′), Goluboviç (Padoviç 64′), Onguene (Orahovac 73′). Trajner: Sasha Petroviç
Flamurtari: Moçka, Begaj, Liçaj, Shehaj (Idrizaj 56′), Veliu, P.Arbëri (Grami 70′), Lena, Kuqi, Xhafaj (Çutra 89′), Ahmataj, Sakaj. Trajner: Gugash Magani

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura