Flamurtari/ Magani: S’kemi ç’humbim, bëjmë më të mirën

Jul 20, 2011 | 11:31

Ndoshta nuk është momenti i duhur për të biseduar me trajnerin e Flamurtarit, kjo për faktin se Flamurtari ka zhgënjyer në ndeshjen e parë ndaj çekëve të Jablonec duke u mundur në shtëpi 2-0, por edhe se posti i teknikut është realisht i rrezikuar. Gjithsesi, Magani ka preferuar të evitojë komentet për largimet e katër futbollistëve titullarë, ndërsa është përqendruar te takimi i nesërm. “Jabloneci është skuadra më e fortë që ka ardhur të luajë me ekipet tona në këto vitet e fundit. Më duhet të rikthehem se nuk jam penduar në mënyrë kategorike për të gjitha zgjidhjet e kërkuara në atë takim. Për mua, nuk ka dështuar vendosja, por sigurisht që kanë gabuar disa lojtarë në vendosjet e tyre në fushë. Në ndeshjen e kthimit nuk do të kem edhe katër lojtarë titullarë, të larguar nga ana e drejtuesve të klubit, por gjithsesi me lojtarët që kam në dispozicion, besoj se skuadra ka për të nxjerrë një ndeshje të bukur. Këtë gjë i kam kërkuar edhe futbollistëve që në Çeki, të luajmë futboll siç e din ata, pastaj fusha do ta tregoj se kush do të jetë më i afti për të fituar”, ka pohuar trajneri Gugash Magani.

© Panorama.al

Te lidhura