Flamurtari, kërkesë për fitore në tavolinë

Feb 2, 2012 | 12:52

Anësori i gjakosur gjatë ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari 4-1

Çipi: Rast flagrant, mjafton vetëm t’i referohen UEFA-s

Korçarët: Drejtuesit vlonjatë prishën garën, janë përgjegjës.

Klubi i Flamurtarit ka depozituar dje një kërkesë zyrtare, ku kërkon fitoren në tavolinë për incidentin e ndodhur të martën, në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari 4-1. Drejtuesit e klubit vlonjat pretendojnë se pas dhunimit të arbitrit që u detyrua të braktisë fushën, skuadra pritëse, pra ajo që organizon takimin, e humb ndeshjen në tavolinë. Komisioni i Disiplinës do të mblidhet ditën e nesërme dhe pritet të japë një vendim për rastin. Burime pranë FSHF-së pohuan se ndër të rrezikuarit janë edhe trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça dhe drejtuesi Geri Çipi, të cilët u kërkuan futbollistëve të mos lëviznin në fushë. Megjithatë, skuadra vlonjate nuk e braktisi fushën dhe e vazhdoi, ndaj rregullorja në të tilla raste nuk është fort e qartë.
Çipi
Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, është dyshues për vendimet dhe për drejtësinë që mund të vërë FSHF në këtë rast. “FSHF nuk mendoj se do të bëjë ‘harakirin’ në lidhje me ndeshjen e zhvilluar me Skënderbeun”, kështu ka deklaruar shefi i klubit të flamurtarit, Geri Çipi, në lidhje me ndeshjen e zhvilluar me Korçën në qytetin e Pogradecit dhe për parregullsitë në këtë ndeshje. Klubi i Flamurtarit ka shumë besim te vendimi që do të marrë FSHF. “Tani që jemi më të qetë dhe që kemi parë dhe rastet në moviolë, do të thosha që ishte një rast flagrant, një pozicion jashtë loje i padhënë nga një arbitër që s’kishte aspak ngjashmëri me arbitrat e Superiores. Po kaq flagrante ishte goditja flagrante e arbitrit anësor, me një çarje serioze në kokë dhe takimi në bazë të rregullores duhej ndërprerë automatikisht”,  ka thënë Çipi. Drejtuesi vlonjat është treguar i ashpër edhe me delegatin dhe vëzhguesin. “Delegati Arsen Hoxha, pa pyetur fare, vendosi që ndeshja të luhej. Duhet t’i kujtoj atij se edhe ne jemi pjesë e UEFA-s dhe FSHF bazohet në rregullat e UEFA-s, kështu që nuk ka mundësi tjetër që kjo ndeshje të mos i jepet Flamurtarit në tavolinë”, u shpreh Çipi. Ndërkaq, shefi i klubit korçar, Ilirjan Përmeti, ka thënë se klubi Skënderbeu dënon dhunën, por sjellja e drejtuesve vlonjatë nuk ka asnjë lidhje me sportivitetin dhe korrektësinë. “Prishën garën, pasi nuk po pranonin humbjen. Kjo është jashtë çdo logjike”, ka thënë Përmeti.

SKANDALI / FSHF nuk publikon federimet
Nuk është hera e parë që ndodh, por me sa duket tashmë është bërë modë. Pas përfundimit të afatit të transferimeve, sektori i garave në FSHF nuk i publikon listat e federimeve të lojtarëve gjatë periudhës së janarit. Në kushtet kur merkatoja ka përfunduar zyrtarisht në orën 24:00 të datës 31 janar, institucioni i futbollit nuk publikon për mediat listën e lojtarëve që ka federuar çdo klub i Kategorisë Superiore. E kundërta ndodh me federatat homologe, të cilat menjëherë pas përfundimit të merkatos, qoftë në verë apo në dimër, publikojnë të dhënat. E kundërta ndodh në Shqipëri, teksa në FSHF janë gati të shpallin listat e lojtarëve të federuar vetëm një muaj pasi të ketë përfunduar merkatoja.

© Panorama.al

Te lidhura