
Skënderbeu, me hap kampioni edhe ndaj Apolonisë.
Nga Koliqi e Veliu te Muzaka, gafa pafund të vlonjatëve.
Flamurtari humbet në fushën e vet ndaj Laçit, ndërsa Skënderbeu vazhdon galopimin i vetëm në krye të Superiores, pas fitores së djeshme ndaj Apolonisë në Korçë. Laçi konfirmohet “macja e zezë” për Flamurtarin. Në gjashtë ndeshjet e fundit, kurbinasit u kanë marrë vlonjatëve 5 barazime dhe një fitore (të djeshmen), pa llogaritur këtu se ishte pikërisht ky Laç që i hoqi nga duart Flamurtarit dy sezone më parë edhe titullin kampion. Edhe pse në stol dje ka qenë spanjolli Hulian Rubio (ka vetëm dy ditë te kjo skuadër dhe normalisht nuk mund të paragjykohet), edhe pse kanë një organikë jo vetëm të pasur, por realisht ndër më të mirat (teorikisht) në Superiore, përsëri vlonjatët nuk arritën të tregonin qoftë edhe një lloj supermacie ndaj një skuadre modeste si Laçi, por gjithsesi të vendosur mirë në fushën e lojës. Në mungesë të Migen Memellit, dje nga minuta e parë luajti Pepa, por ky i fundit edhe pse u mundua shumë, nuk pati mundësi të gjuante qoftë edhe një herë të vetme në drejtim të portës së Vashakut, kjo edhe për faktin se u markua më së miri nga dyshja e qendrës kurbinase, Ndreka-Buljan. Pas një pjese të parë tejet të vakët dhe me pak raste për shënim, në fraksionin e dytë të lojës vijnë gafat e kuqezinjve. Në fillim është Koliqi, që del totalisht gabim, duke prekur topin me dorë jashtë zonës: goditje dënimi për kurbinasit dhe karton i kuq për portierin. Në lojë hyn Xhelilaj, i cili tregon menjëherë amatorizmin e tij, duke pësuar gol nga jashtë zonës: gjuan Ermullai dhe eurogol trepikësh për Laçin. Me dhjetë lojtarë në fushë dhe në disavantazh Flamurtari hidhet i tëri në sulm, por gabon shumë edhe në pasime fare të lehta. Rasti më i mirë është për “mister 105 milionësh”, Gjergji Muzaka, i cili përballë portierit, i pashqetësuar, nuk arrin të shënojë. Për minuta të tëra vendësit u munduan që të barazonin, por sulmet e tyre ishin pa ide dhe të parrezikshme për portën e Vashakut. Sakaq, nuk gabon Skënderbeu në krahun tjetër. Korçarët mundën jo pa probleme Apoloninë, por ky trepikësh u ka kushtuar plot tre të dëmtuar. Pas dëmtimit një javë më parë të Fagut, dje kanë dalë nga fusha me probleme Radas (tërheqje muskulore), Bici (pësoi një çarje dhe u detyrua të shkonte në spital për verifikime të mëtejshme mjekësore) dhe Dimo. Në këtë mënyrë, trajneri Josa do ta ketë të vështirë më së pari për të gjetur mbrojtësin e krahut të djathtë, pasi ndaj Bylisit nuk ka as Fagun dhe as Radasin, të vetmit mbrojtës në organikë për këtë rol.
Superiore/ Java 2
DJE
Flamurtari-Laçi 0-1
Shënues: Ermullai 52’
Skënderbeu-Apolonia 2-0
Shënues: Plaku 57’ (p), Orelesi 64’SOT
Kastrioti-Bylisi 17:00
Kukësi-Vllaznia 17:00NESËR
Luftëtari-Teuta 17:00
Tirana-Shkumbini 17:00TË HËNËN
Besa-Tomori 19:00
Rubio: S’na falet, gabuam pafundësisht
Trajneri i ri i Flamurtarit, Hualin Rubio, e ka nisur në mënyrën më të keqe rrugëtimin e tij me këtë skuadër. Gjithsesi, spanjolli kujtojmë se e ka marrë drejtimi vetëm dy ditë më parë. “E nisa me humbje dhe kjo është më e keqja që mund të ndodhë. E mira është që kampionati është i gjatë dhe kjo është vetëm ndeshja e dytë. Kemi kohën e mjaftueshme për të ndryshuar shpejt dhe për të kapur kreun. Isha nervoz gjatë ndeshjes, sepse nuk më pëlqen të humbas. Laçi është një ekip që vrapon, por ne patëm shanset më të mira për gol. Kundërshtari fitoi me vetëm një goditje në portë dhe për këtë duhet vlerësuar”, ka pohuar tekniku spanjoll.
Josa: Fitore e vuajtur, por e rëndësishme
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij pas fitores me Apoloninë. “Jam i kënaqur me fitoren, por jo me lojën e zhvilluar nga ekipi në pjesën e parë. Ishim me fat që nuk u ndëshkuam në pjesën e parë nga Apolonia. Patëm disa paqartësi në ndërtimin e aksioneve. Kishim disa raste për të shënuar dhe duhet t’i kishim shfrytëzuar më maksimum, për vetë faktin se përballë kishim një kundërshtar që mbrohej mirë. Ekipi u trondit disi nga dy dëmtimet që pësuam shumë shpejt. Prandaj kam thënë që ekipi kërkon thellësi dhe mundësi zgjedhjeje për lojtarët, dhe fatmirësisht kemi marrë disa elementë të mirë gjatë merkatos”, tha Josa.
Muzaka kontestohet nga tifozët
Gjergji Muzaka ka qenë lojtari më i kontestuar nga tifozët e Flamurtarit gjatë ndeshjes së djeshme. Në kor, sportdashësit vlonjatë kanë shprehur pakënaqësi ndaj futbollistit për formën që ai shfaqi dhe rastet që humbi. Kujtojmë se Muzaka erdhi me mjaft bujë në Vlorë, duke përfituar një rrogë vjetore prej 105 milionë lekësh, shumë kjo më e madhja aktualisht për një lojtar që luan në Superiore. Gjithsesi, në dy takimet e para ai nuk e ka justifikuar aspak këtë investim të drejtuesve të Flamurtarit.Apolonia “gjymton” korçarët
Skënderbeu fitoi ndaj Apolonisë. Kjo gjë u ka kushtuar jo pak, por plot tre lojtarë të dëmtuar. Pas dëmtimit një javë më parë të Fagut (do mungojë 6 muaj), dje kanë lënë fushën e lojës edhe Radas (tërheqje muskulore), i vetmi lojtar në dispozicion të trajnerit Josa që presupozohej se mund të zëvendësonte Fagun. Ndërkohë se është dëmtuar edhe Bici (pësoi çarje) si dhe Dimo. Në këtë mënyrë, trajneri Josa duhet të rregullojë gjithë repartin e mbrojtjes për ndeshjen e radhës ndaj Bylisit.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











