Vlonjatët ndëshkohen dhe eliminohen nga Europa.
Lamtumirë Europë që në turin e parë. Nuk ndodh mrekullia, edhe pse në më shumë se një rast para se vendësit të siglonin golin e parë, lojtarët e Flamurtarit qenë shumë pranë avantazhit. Një gol që me shumë gjasa do të ndryshonte totalisht rrjedhën e lojës. Por, as Memelli, as Pejiç dhe një Lenë i pafat nuk arritën që të gëzonin ata pak tifozë që patën udhëtuar deri në Budapest për të mbështetur skuadrën dhe ata qindra të tjerë që në mungesë të transmetimit direkt në televizion, u rreken sallave të internetit për të ndjekur komentin live, ose edhe pamje direkte (ndonëse jo me cilësinë e dëshiruar) nga ky takim. Kështu Flamurtari, për të shtatën herë në historinë e tij, mjaftohet me vetëm një tur në ndeshjet e Kupave të Europës, duke mos bërë dot më tej, pavarësisht organikës goxha të pasur. Pjesa e parë flet më së shumti për Flamurtarin. Memelli provon që në minutën e tretë, por pa suskes. Rasti më i mirë për Flamurtarin kalon nga këmbët e Lenës, i cili gjuan fort në hyrje të zonës kundërshtare një top të kthyer nga mbrojtja, por sfera nuk do të hyjë dhe vetëm sa përplaset në trekëndësh me portierin vendës, totalisht të shushatur. Nuk mbaron me kaq, provon pak minuta më vonë sërish Veliu, ndërsa Telushi nuk arrin që të shënjestrojë portën, edhe pse ishte fare pranë dhe me një hapësirë totalisht të pastër përpara. E natyrisht, po nuk shënove do pësosh: minuta e dytë shtesë e pjesës së parë, kros në zonë, Vernes kërcen mbi të gjithë, gjuan me kokë dhe 1-0. Në fraksionin e dytë të lojës është Pejiç që bëhet protagonist duke humbur dy raste të pastra. Ndërsa me shumë lehtësi dyfishojnë, duke hipotekuar rezultatin dhe duke u kualifikuar në turin e dytë, ku i pret Anzhi e Samuel Etosë.
Honved-Flamurtari 2-0 (1-0)
Shënues: Vernes 45’+2, Tshami 57’
Kartonë të verdhë: Vernes 66’, Delczeg 90+3’/ Lena 65’
Gjyqtarë: Vusal Alijev/ M.Hashimov dhe J.Abasov
Honved: Kemenes, Ignjatoviç, Debreçeni, Vernes (Diabi 71’), Delczeg, Vidoviç, Ivancsics (Diarra 84’), Lovriç, Hidi, Tshami (Fagjas 64’), Xhonson. Trajner: M.Rosi
Flamurtari: Koliqi, Mici, Pezo, Veliu, Arbëri, Rajoviç, Telushi (S.Çela 73’), Lena, Soza (Pepa 70’), Memelli, Pejiç (Kuqi 84’). Trajner: Sh.Muça
Muça
I mërzitur nga humbja e dytë dhe eliminimi, trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, nuk ka pranuar që të flasë për mediat hungareze. Në përfundim të ndeshjes, ai ka gjetur një mënyrë shumë unike, teksa u ka thënë gazetarëve se nuk kuptonte dhe nuk fliste asnjë gjuhë të huaj. “Di vetëm shqip”, ka thënë ai. Sakaq, për hir të së vërtetës, duhet thënë se Muça është ndër të paktët trajnerë në Shqipëri që flet mirë italisht dhe anglisht.
Rosi
Trajneri i Honvedit ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij, duke pohuar se do bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj rusëve të Anzhit në turin e dytë. “U kualifikuam jo pa vështirësi, por me një lojë të kujdesshme. Tani na pret Anzhi, një skuadër shumë më e fortë, por ne nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj besoj se mund të bëjmë ndonjë surprizë. Në fund të fundit, presioni është mbi ata që kanë një yll si Samuel Eto dhe jo mbi ne”, ka thënë trajneri.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











