Flamurtari dhe Vllaznia janë kualifikuar për në turin e dytë të Ligës së Europës.Por, ndryshe nga sa pritej, si në Vlorë dhe në Shkodër pati më shumë polemika dhe drithërima sesa entuziazëm. Flamurtari dhuroi një 45-minutësh shumë të mirë në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës kuqezinjtë rrezikuan seriozisht që ta çonin lojën në shtesë, teksa në harkun e pesë minutave shkuan nga avantazhi në disavatazh të një goli. Natyrisht, gjithçka erdhi nga gabime foshnjarake të mbrojtjes, ulje të grintës në mesfushë e shoqëruar kjo më pas edhe me thirrje e akuza për shitje të ndeshjes nga ana e tifozëve në stadium. Madje, vlen të theksohet se në fund të takimit mungoi entuziazmi si nga ana e lojtarëve dhe e drejtuesve, por edhe e tifozërisë, edhe pse skuadra ishte kualifikuar për herë të parë në turin e dytë pas 24 vitesh në një kompeticion europian (në 2009-‘10 vlonjatët luajtën dy ndeshje në Ligën e Europës në turin e dytë, por kalimin në këtë tur e morën për shkak të formulës si fitues të Kupës së Shqipërisë, dhe jo se e arritën në fushën e lojës). Takimi filloi i vrullshëm për Flamurtarin, aq sa djemtë e drejtuar nga Magani rrezikuan shumë shpejt portën e malazezëve. Rezultati 3-1 i arritur një javë më parë në Podgoricë, u jepte atyre të drejtë që të ishin më të qetë në fushën e lojës dhe më shumë të administronin sesa të kërkonin fitoren. Gjithsesi, dyshja Xhafaj-Shehaj tregoi se është ajo e goditura, kjo edhe për faktin se dy sulmuesit merreshin vesh symbyllazi me njëri-tjetrin. Pikërisht një kombinim mes tyre solli edhe golin e parë të takimit të shënuar nga Ardit Shehaj në minutën e 20-të të pjesës së parë. Entuziazëm në stadium dhe një çlirim total i ekipit, aq sa lojtarët nisën të bënin edhe zhonglerët, duke dhuruar një lojë “alla Barcelona”. Por, pjesën e dytë malazezët kthyen gjithçka, kjo edhe se vendasit u lëshuan totalisht në lojë. Kështu, në harkun e 5 minutave, Boshkoviç shënoi dy herë duke fituar përfundimisht ndeshjen, por pa mundur që të kualifikojë skuadrën e tij për më tej. Pak a shumë e njëjta gjë edhe në Shkodër, ku miqve nga Malta thjesht nuk u deshi fati që të shënonin në fund ta takimit në një rast të pastër, çdo të të thoshte eliminim direkt për shkodranët. Në pjesën e parë vendasit shënuan shumë shpejt me anë të Vajushit, duke treguar një lloj supermacie. Por maltezët nuk vonuan shumë për të barazuar rezultatin me anë të David Silvës. Në fraksionin e dytë të lojës, ndeshja u bë më e ashpër, aq sa gjyqtari nxori shtatë kartonë të verdhë. Gjithsesi, shkodranët arritën të ruanin, dhe me shumë fat, barazimin duke u kualifikuar më tej, ku në turin e dytë i pret Thun i Zvicrës.
Magani: Gati më ra infarkt te goli i dytë
Në përfundim të takimit, trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, është larguar i nervozuar. I kontaktuar nga “Panorama”, tekniku sqaroi: “Në momentin kur skuadra do të pësonte golin e dytë, gati sa nuk më ra infarkt dhe prandaj them se ky kualifikim nuk më ka shijuar. Kështu, në këtë mënyrë nuk vazhdohet pasi më këtë lojë që skuadra zhvilloi në pjesën e dytë, më la shumë arsye për të dyshuar. Në këtë mënyrë po e kthejmë futbollin në orgjinë dhe nuk tregohemi aspak profesionistë”, tha Magani.
Josa: Arritëm kualifikimin, luajtëm dobët
Sipas trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa, kuqeblutë kanë mundësi të bëjnë më shumë se një barazim me një skuadër si Birkinkara. Pas ndeshjes, Josa ka pohuar se ishte i kënaqur me kualifikimin, por jo me lojën. “Jemi në turin e dytë dhe kjo është gjë e mirë për ne, por gjykoj se mund të kishim bërë më mirë. Disa lojtarë vrapuan më pak dhe nuk ishin në kondicionin e duhur fizik. Mendoj se Vllaznia ka mundësi të bëjë ndeshja më të mira se kaq. Në takimin e turit të dytë, pres më shumë”, tha Josa.
Presidenti Gjika
Edhe presidenti i Flamurtarit, njëherësh kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka qëndruar gjatë në stadium, madje duke mos zbritur nga tribuna qendrore për një kohë të gjatë. Fjalët e Gjikës kanë qenë të pakta, megjithatë, sipas tij, rëndësi ka më shumë kualifikimi. “Jemi kualifikuar dhe kjo ka më shumë rëndësi se gjithçka. Flamurtari ka arritur në turin tjetër dhe kjo është një arritje padyshim për ne dhe të gjithë futbollin shqiptar. Një falënderim është padyshim për sportdashësit tanë të mrekullueshëm që na kanë qëndruar shumë pranë gjatë gjithë takimit. E rëndësishme e them mbetet kalimi i turit, për të tjerat nuk di ç’të them më shumë. Për kundërshtarin e radhës ka ende mjaft kohë të shohim në ditët në vijim. Sot (dje), Flamurtari, pavarësisht humbjes, ka siguruar një kualifikim të merituar dhe kjo është padyshim diçka pozitive”, ka përfunduar Gjika.
Rekordi
Shqipëria ka për herë të parë tre ekipe në turin e dytë eliminator në Europa League ose 100% të ekipeve pjesëmarrëse. Në turin e parë Flamurtari eliminoi malazezët e Buduçnostit, Vllaznia mposhti maltezët e Birkirkarës, Tirana, si fituese e Kupës së Shqipërisë, merr pjesë direkt në Europa League, ku do të përballet me sllovakët e Spartan Tërnavës, të cilët nga ana e tyre eliminuan malazezët e Zetës, ndërsa në Ligën e Kampioneve Skënderbeu do të përballet direkt në turin e dytë ndaj APOEL. Kjo arritje do të shërbejë edhe për të rritur sadopak koeficientët e ekipeve shqiptare në Europë. Periudha më e mirë për ekipet tonë në Europë ka qenë në vitet ‘85-’90, kur si Partizani edhe 17 Nëntori apo Flamurtari patën bërë lojëra mjaft të mira, por është për t’u theksuar se në atë kohë Shqipëria përfaqësohej me vetëm dy skuadra në Kupat e Europës.
Flamurtari-Buduçnost 1-2 (3-1)
Shënues: Shehaj 20’/ Boshkoviç 72’, 77’ (p)
Kartonë të verdhë: Ahmataj, Brahja, Kuqi/ Cicmil
Gjyqtarë: Kristofer Lautier/ E.Spiteri dhe T.Debono (MLT)
Flamurtari: Moçka, Brahja, Veliu, P.Arbri (Liçaj 59’), Ahmataj, Sakaj, Begaj (Grami 71’), Lena, Kuqi, Shehaj (Idrizaj 61’), Xhafaj. Trajner: Gugash Magani
Buduçnost: Dragojeviç, Radunoviç, Cicmil, Djikanoviç, Orahovac, P.Vukçeviç (Goluboviç 59’), Boshkoviç, Nikaç (Xhunior 64’), N.Vukçeviç, Onguene (Adroviç 71’), Tatar. Trajner: Radislav Dragiçeviç
Vllaznia-Birkirkara 1-1 (1-0)
Shënues: Vajushi 4’/ D.Silva 17’
Kartonë të verdhë: Popoviç, Abraham, Sukaj/ Savinovs, Fenesh, Buhagiar, Cemenzuli
Gjyqtarë: Mario Vilk/ E.Veis dhe M.Benko (SVK)
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajlaj, Popoviç (Sinani 63’), Abraham, Belisha, Sukaj, Vajushi, Gocaj (Shtubina 46’), Sykaj, Rajoviç, Nallbani (Hasani 85’). Trajner: Mirel Josa
Birkirkara: Mora, Savinovs, Shiberras, Fenesh, Cilia (Tabone 66’), Camili (Cemenzuli 75’), D.Silva, Gresh, Zerafa, Buhagiar, Muskat. Trajner: Patrik Kurmi
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











