Drejtuesit e klubit vlonjat kanë rënë parimisht dakord me tre titullarë, pas bisedimeve të para që kanë bërë për kontratën e sezonit të ri. Burime pranë drejtuesve, por edhe vetë lojtarëve, konfirmojnë se portieri Shpëtim Moçka, si dhe mbrojtësit Franc Veliu e Halim Begaj, kanë pranuar në parim ofertën e klubit. Për të zyrtarizuar marrëveshjen duhet pritur, pasi të tre futbollistët nuk e kanë hedhur ende firmën nën kontratë. Me sa duket, Moçka, Veliu dhe Begaj do të jenë të parët që do të firmosin. Sot mendohet se të tjerë titullarë do të kontaktojnë me drejtuesit, për të diskutuar kontratën e re. Ndryshe nga sa pritej, dje drejtuesit e Flamurtarit kanë ftuar për të biseduar edhe mesfushorin Hair Zeqiri. Ky i fundit ka thënë se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës, por është fakt se drejtuesit kanë tentuar t’i kthejnë mendjen. Megjithatë, mesfushori ka lënë gjithçka pezull për të ardhmen e tij, duke refuzuar paraprakisht ofertën e Flamurtarit.











