Flamuri serb është i vendosur në një nga objektet kryesore në qendër të Kumanovës. Ky flamur valevitet në ndërtesën e ish-Komitetit apo Kuvendin aktual të komunës së Kumanovës.
Flamuri serb qëndron në këtë godinë, ndërsa arsyetimi i autoriteteve komunale është se ky flamur qëndron pranë zyrës ku është vendosur Partia Demokrate Serbe në Maqedoni.
Partitë politike shqiptare të opozitës në Kumanovë kanë reaguar duke kërkuar që të hiqet ky flamur në pjesën qendrore të objektit të kuvendit komunal, ndërsa është kërkuar në rast të kundërt të vendoset edhe flamuri shqiptar.
Në objektin e kuvendit komunal asnjë nga partitë shqiptare nuk ka zyrë përfaqësimi apo partiake, ndërsa ato janë të uzurpuara nga të gjitha partitë maqedonase, përfshirë edhe partinë e serbëve, e cila disponon hapësirën më të përshtatshme. (INA)
© Panorama.al











