Shërbimi i Protokollit të Parlamentit Europian ka kërkuar ndjesë për ngatërresen e flamurit shqiptar, që përfaqësoi vendin tonë gjatë takimit të fundit PE-Shqipëri, në Bruksel.
Përmes një deklarate për mediat, shërbimi i protokollit ka theksuar se një gabim i tillë nuk do të ndodhë më.
“Nuk bëhet fjalë për një fyerje të qëllimshme, por vetëm për një gabim të protokollit të PE. Në emrin tim dhe protokollit kërkojmë ndjesë nga ky gabim I rëndë për flamurin e gabuar”- thuhet në deklaratë.
Ambasadorja: Faji i protokollit te PE
Gazeta “Panorama” kontaktoi me ambasadoren e Shqipërinë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, lidhur me këtë fakt. Sipas ambasadores, çështja e flamurit i përket Protokollit të Parlamentit Europian.
“Takimi i SAPC Stabilisation and Association Parliamentary Committe, është aktivitet që zhvillohet mes dy parlamenteve, Parlamentit tonë dhe Parlamentit Europian. Si i tillë, me protokollin e organizimit të këtij takimi në Bruksel merret Parlamenti Europian dhe jo misioni diplomatik shqiptar”, u shpreh për “Panoramën” zonja Halimi.
Flamuri me yll në BE, AK shpreh keqardhje
Pas publikimit të videos lidhur me flamurin shqiptar të përdorur ditën e djeshme në takimin ndërparlamentar BE-Shqipëri, ka reaguar “Aleanca Kuqezi”
Aleanca ka shprehur keqardhjen për vendi ynë përfaqësoeht ene në Europë me reminishencat e së kaluarës, sipas saj shteti shqiptar duhet të dërgojë në Evropë flamurin e vërtetë shqiptar.
“Simbolet kombetare mbrohen me kushtetutë dhe kushtetuta e përcakton qartë formën e flamurit”-thuhet në deklaratën e Aleancës.
Sipas aleancës, askush nuk guxon të ndryshojë flamurin, vetëm diktatura komuniste guxoi ta ndryshonte flamurin më shqiponjën dykrenare.
Një ditë më parë, në sallën ku zhvillohej mbledhja mes parlamentarëve europianë dhe 14 deputetëve shqiptarë mes tyre edhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, flamuri shqiptar që përfaqëson shtetin shqiptar ka dukshem edhe nje yll pesecepesh të verdhë, njëlloj i ai që përdorej gjate regjimit komunist.
Për të parë videon, klikoni në kategorinë Video
© Panorama.al











