Parlamenti Europian përdor si simbol të Shqipërisë flamurin e kohës së komunizmit, me yllin pesëcepësh. Dje, gjatë takimit ndërparlamentar BE-Shqipëri, pas kurrizit të eurodeputetëve dhe deputetëve shqiptarë, është vënë re flamuri shqiptar, i cili nuk është ai zyrtar që shteti shqiptar përdor aktualisht. Gazeta “Panorama” kontaktoi me ambasadoren e Shqipërinë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, lidhur me këtë fakt. Sipas ambasadores, çështja e flamurit i përket Protokollit të Parlamentit Europian. “Takimi i SAPC Stabilisation and Association Parliamentary Committe, është aktivitet që zhvillohet mes dy parlamenteve, Parlamentit tonë dhe Parlamentit Europian. Si i tillë, me protokollin e organizimit të këtij takimi në Bruksel merret Parlamenti Europian dhe jo misioni diplomatik shqiptar”, u shpreh për “Panoramën” zonja Halimi. Flamuri shqiptar me yllin mbi shqiponjën dykrenore që përdorej gjatë periudhës komuniste e që është hequr nga qarkullimi pas ardhjes së demokracisë e pluralizmit, ishte vendosur dje në sallën ku 14 deputetë shqiptarë e 7 eurodeputetë të Delegacionit të Parlamentit Europian zhvilluan takimin e fundit para kthimit të parlamentarëve shqiptarë në atdhe. Nuk dihet nëse ky fakt është vënë re nga deputetët shqiptarë të pranishëm në takimin e djeshëm, ndërsa vëmendja e tyre ka qenë te pozicionet e tyre diametralisht të kundërta lidhur me zgjedhjet administrative të 8 majit në Shqipëri.
Aleanca Kuq e Zi
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar menjëherë dje për skandalin e flamurit shqiptar në Bruksel. Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi shprehën keqardhje për përfaqësimin e vendit tonë nga simbolet e reminishencës, ndërsa kërkojnë që shteti të dërgojë në Europë një flamur të vërtetë. Aleanca Kombëtare kujton se simbolet kombëtare mbrohen me Kushtetutë, ku përcaktohet forma e flamurit. Aleanca Kuq e Zi kujton se askush nuk mund t’i ndryshojë simbolet.











