Punëtorët në Aeroportin e Mançesterit kanë pezulluar punën duke “luftuar” me një zog flamingo, në përpjekje për ta larguar atë nga pista e avionëve. Një prej pistave mbeti e pezulluar për pesë orë. Zogu, i famshëm për puplat e tij rozë dhe për qëndrimin me një këmbë, i shpëtoi kapjes dhe “nuk i bëri syri tërr” as nga dhjetëra mënyrat me të cilat u përpoqën pjesëtarët e stafit për ta trembur. Në gjurmimin e zogut të emërtuar Ringo u përfshi edhe policia, por edhe ajo dështoi pasi sa herë afroheshin me rrjeta, zogu fluturonte në një pjesë tjetër të pistës ajrore. Zogu kishte “aterruar” në aeroport që të dielën në mbrëmje, por policët nuk arritën ta gjenin as me kamerat e helikopterëve të policisë ajrore. Stafi i aeroportit përdori makinat për ta trembur, por nuk funksionoi, përdori altoparlantë me muzikë të lartë, por përsëri nuk funksionoi. Ekzistonte rreziku se ai mund të rrëzonte ndonjë avion dhe ata u detyruan t’i mbyllnin të dyja pistat ku qëndronte zogu, herë këtej e herë andej. U desh të kalonin pesë orë, derisa Ringo vendosi vetë të ikte.











