“Fjalori i madh i shqipes” dorëzohet për redaktim në fund të muajit gusht!

Jul 26, 2024 | 8:17
SHPËRNDAJE

“Fjalori i madh i shqipes” do të dorëzohet si vepër tërësore për redaktim deri në fund të muajit gusht. Në mbledhjen e kryesisë së redaksisë së “Fjalorit”, u vendos që, pjesët e përfunduara nga hartuesit të bashkohen si një vepër e njësuar (gjendje paraprake) në periudhën e shkurtër që mbetet.

fjalori-i-shqipes-faqe-191

Në këtë mbledhje çështja themelore për diskutim kishte të bënte me ritmet e punës dhe përpjekjet e pjesëmarrësve në procesin përfundimtar hartues e redaktues të veprës për ta kryer atë sipas afateve të parashikuara. U kërkua të përshpejtohen ritmet e punës në të gjitha përbërëset e saj. Hartuesit do të dorëzojnë punën e kryer deri më tash, për të mundësuar njësimin paraprak pa filluar pushimet vjetore. Kurse në fund të gushtit do të bëhet bashkimi i të gjitha shkronjave në një vepër të vetme.

Vepra e përfunduar nga hartuesit dhe e redaktuar nga editorët me redaktim të fundmë nga kryeredaktori e dy zëvendëskryeredaktorët, kërkon të kryhen edhe disa procese pune shtesë. Njësimi i trajtimit leksikografik është kërkesë themelore për cilësinë shkencore të “Fjalorit”. Kryetarët e grupeve të hartuesve-redaktorë do të zgjidhin problemet e kësaj faze përmbyllëse, sidomos kompaktësimin e lëndës, homogjenizimin kriterial dhe formal, redaktimin shkencor, gjuhësor e teknik. U vërejt se numri i faqeve do të jetë mbi parashikimin, duke arritur në jo më pak se 8 mijë faqe.

Në kuadrin e Projektit “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”, drejtuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, u mbajt para pak ditësh takimi i radhës për hartimin e veprës. Takimi kishte karakter konsultativ në drejtim të përfundimit të punës hartuese në fjalor. Grupi diskutoi gjerësisht dhe me përgjegjësi për punën në fazën e tanishme, kur po mbyllet procesi hartues dhe redaktimi brenda grupit, dhe kur po merr përparësi sistematizimi i lëndës së hartuar dhe unifikimi i paraqitjes leksikografike. Gjithashtu, u dha porosia se vepra nuk quhet e mbyllur, por secili hartues duhet të pasurojë shkronjën/shkronjat e veta me fjalë, kuptime e thënie ilustruese në vazhdimësi. Grupi i punës nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) përbëhej nga Valter Memisha (Sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), Engjëllushe Karaj (hartuese). Ndërkaq, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës morën pjesë studiuesit, Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), Abdurrahim Maxhuni (Shef i Degës së Gjuhësisë dhe hartues), Naim Berisha (hartues) dhe Sejdi M. Gashi (hartues).

Libri më i vjetër i njohur shqiptar i shtypur, “Meshari”, u shkrua në vitin 1555 nga Gjon Buzuku, një klerik katolik. Në 1635, Frang Bardhi shkroi fjalorin e parë latinisht-shqip. Besohet se shkolla e parë shqipe është hapur nga françeskanët në vitin 1638 në Pllanë. Një nga fjalorët më të hershëm të gjuhës shqipe u shkrua në vitin 1693, i cili ishte një dorëshkrim i gjuhës italiane i shkruar nga kapiten i detit malazez Julije Balovi Pratichae Schrivaneschae dhe përmban një fjalor shumëgjuhësh me qindra fjalë të përdorura më shpesh në jetën e përditshme në italisht, slavo-ilirisht, greqisht, shqipe dhe turke.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura