Fituesit nderoheshin me kurorë ulliri apo dafine! Kush ishte dizenjuesi i medaljes prej ari, argjendi dhe bronzi në Lojërat Olimpike! Në garën në Athinë, asnjë femër pjesëmarrëse

Aug 7, 2024 | 14:04
SHPËRNDAJE

Greqia është atdheu i Lojërave Olimpike të Antikitetit të vitit 776 p.k.. Por është edhe atdheu i Lojërave të para Olimpike moderne të vitit 1896. Kjo flet shumë për historinë jo vetëm të sportit, por flet për paqen, për ndalimin, qoftë edhe të përkohshëm të luftërave, (që nuk ndodh sot). Flet për paqen, për miqësinë midis popujve! Një ndër nismëtarët dhe financuesit e Lojërave Olimpike të vitit 1896, ishte edhe Evangelis Zappas, (Vangjel Zhapa) një burrë i ndritur, i ditur, filantrop i madh, një kulturolog ndër më të mëdhenjtë e kohës. Është Vangjel Zhapa i famshëm, nga Gjirokastra, nga Labova e Zhapes, e që ka lënë kryevepra të ndritura që sot mbajnë emrin e tij në Athinë. Në kuadër të Lojërave Olimpike që janë duke u zhvilluar në Paris, gazeta “Panorama” boton historinë e mrekullueshme të Lojërave të para moderne të Athinës të vitit 1896. Diplomati i njohur dhe publicisti Bashkim Zeneli, nëpërmjet një dokumentacioni të pasur arkivor, na përshkruan zhvillimin e këtyre lojërave me një respekt e dashuri të veçantë për antikitetin, për kulturën, artin, letërsinë greke, për popullin grek, si një monument i papërsëritshëm të vlerave dhe hyjnisë Olimpike.”

Anëtarë të Komitetit të parë Ndërkombëtar Olimpik
Anëtarë të Komitetit të parë Ndërkombëtar Olimpik

******

NGA BASHKIM ZENELI *MJESHTËR I MADH

Pjesa e tretë

(Që nga viti 1924 do të nisnin edhe Lojërat Olimpike dimërore në Chamonitz dhe, deri në vitin 1992, ato do të zhvilloheshin në të njëjtin vit me zhvillimin e Lojërave verore Olimpike. Dhe që nga viti 1994 ato, Lojërat dimërore, do të zhvillohen përsëri çdo 4 vite, por do të alternohen në çdo dy vite me Lojërat olimpike verore.)

Në Lojërat Olimpike të Athinës nuk do të kishte asnjë femër pjesëmarrëse. “Vetëm në Lojërat Olimpike të Parisit, në 1900, do të merrnin pjesë 11 femra nga 1077 atletë pjesëmarrës, në 14 sporte të ndryshme. Ndërsa në Lojërat e Parisit më 1924, nga 3075 atletë, do të merrnin pjesë 136 femra në 21 sporte. Ky numër do të vijë duke u rritur nga olimpiada në olimpiadë; në atë të Berlinit, më 1936, nga 4000 pjesëmarrës do të jenë 321 femra, në 24 sporte. Numri i mbi 1000 femra do të jetë, për herë të parë i pranishëm në Olimpiadën e Munihut, në 1972, me 1300 femra”.

Është me kuriozitet të shënohet se, gjatë Lojërave Olimpike të Athinës, në 1896, për të gjithë punonjësit e shërbimit ishin përgatitur karta identiteti. Ajo ishte e rrumbullakët, me një fjongo që varej në qafë.

“Në njërën anë kishte të shkruar emrin e Demetrios Vikelas, presidenti i parë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe, në anën tjetër, një O dhe një A të madhe (Olimpiadë dhe Athinë), e dizenjuar së bashku me A-në që rrinte brenda O-së dhe e rrethuar me kurorë ulliri”

Diploma për fituesit e garave olimpike ishte dizenjuar nga piktori i madh i kohës, Nikolas Gyzis (1842-1901).

pulla postare lojera olimpike

Për Lojërat Olimpike, në nder të tyre, do të prodhoheshin edhe një seri me 12 pulla postare, që përmbanin pamje të Athinës, të stadiumit, të sporteve të ndryshme, të kampionëve të antikitetit etj. Ato u dizenjuan nga artisti zviceran A.Guillierion. Seria postale me një cilësi shumë të lartë, u përdor për herë të parë më 25 mars, ditën e parë të garave.

U prodhuan edhe medalje të dizenjuara nga artisti francez J. C. Chaplain. Ato do të shpërndaheshin për tre vendet e para të garës. Medaljet kishin figurën e Zeusit që mban në dorë Nike, zoten, perëndinë e fitores (emri romak – Viktoria).

Në pjesën e pasme të medaljes ishte gdhendur Akropoli.

Do të prodhohej edhe një tjetër medalje, e dizenjuar nga artisti i madh grek i kohës Nikephoros Lytras. Medalja do të ishte prej ari, argjendi dhe bronzi. (Që nga ajo kohë ka mbetur e trashëguar deri në ditët tona dhënia e medaljeve prej ari, argjendi dhe bronzi për fituesit e tri vendeve të para të çdo gare.)

Fituesit e garave të Olimpiadës së Athinës, përveç medaljeve dhe diplomave (ashtu si edhe sot), do të nderoheshin edhe me kurorë ulliri apo dafine (kotinos).

lojera olipike medalje

Por fituesve do t’u jepej edhe një kurorë prej argjendi, e dizenjuar me statujën e Athinasë që mbante në njërën dorë, mbi kokë, një vazo të skalitur. (Tashmë kjo statujë në përmasat e shtatit të Athinasë, është e ekspozuar kudo, si një nga punimet më të bukura që i kushtohet Athinasë (Minerva, me emrin romak) perëndisë së bardhësisë, artit, të luftës dhe të paqes, motra e Zeusit.)

Ceremonia e parë, jashtë Greqisë, e marrjes së Flakës olimpike nga Olimpi, vendi ku rrinin zotat, do të organizohej nga 1-16 gusht 1936, në Lojërat e 11 Olimpike të zhvilluara në Berlin. Aty, në stadiumin e Berlinit, pishtarin e bukur me Flakën olimpike do ta sillte High priestess (priftëresha e lartë) Koula Prastika, grekja shumë e bukur, që e mori atë të ndezur më 20 korrik, nga mbajtësi i parë i stafetës, vrapuesi i madh i kohëve moderne, atleti Spyros Kondulis, që do ta ndizte pishtarin në Olimp, nga vendi i shenjtë Altis.

Stafeta dhe dorëzimi i saj në Greqi, ka një histori shumë të vjetër. Greqia do të ishte vendi i parë që praktikoi kalimin e stafetës nga njëri atlet tek tjetri. Kjo do t’i takojë vitit 490 para Krishtit. (Në Muzeun Metropolitian të Artit në Nju Jork, është ekspozuar një vazo shumë e madhe, e bukur, që ka të vizatuar tre atletë të zhveshur që kalojnë nga dora në dorë Flakën olimpike, stafetën!

445

Një tjetër vazo e madhe me vizatimin e atletëve në vrapim me dorën zgjatur prapa për të marrë stafetën, ndodhet në Muzeun Arkeologjik të Athinës. Më ka ndodhur ta shikoj disa herë, në shoqërim të miqve nga Shqipëria që vizitonin muzeun.

Një vazo me vizatim të vrapimit me stafetë, që i përket shekullit të 4-t para Krishtit, ndodhet në Badischen Landes Muzeum, në Karlsruhe të Gjermanisë.

Është periudha e sundimit të Perikliut të madh dhe arti dhe kultura kanë marrë një lulëzim të jashtëzakonshëm. Dhe tema olimpike është ndër më të preferuarat.

Me të njëjtën temë, “me stafetën, një vazo e vizatuar mjeshtërisht, ndodhet në Musee du Luvre, Paris”.

Të tilla ka edhe në Museo Nacionale në Firence, por edhe në British Muzeum, Londër.) Garat në Olimpiadë do të vazhdonin deri më 5 prill 1896 (25 mars- 5 prill).

Dhe për kohën, por edhe për këtë organizim “premierë” të Lojërave Olimpike, do të quhet shumë e mirë pjesëmarrja nga 14 vende, duke nisur nga Australia dhe Amerika, nga Austria, Bullgaria, Franca, Rusia, Gjermania, Italia, Zvicra, Suedia, Kili, Danimarka, Britania e Madhe dhe vendi organizator – Greqia.

Me një vëmendje dhe shumë përgjegjësi organizatorët do të përgatisnin jo vetëm programet në greqisht dhe anglisht, por edhe listën me emrat e atletëve pjesëmarrës, me garat që do të përfaqësoheshin, me listën me emrat e gjyqtarëve, të shteteve pjesëmarrëse, të drejtuesve të delegacioneve sportive të çdo vendi, deri edhe ditën e orën e saktë të garimit. Do të publikoheshin në broshura të posaçme edhe rregulloret në çdo disiplinë. Por jo vetëm kaq, do të përgatiteshin edhe 8 broshura me statutet, rregullat për çdo sport, këto në tre gjuhë: anglisht, greqisht, frëngjisht. Të gjitha këto dokumente të Olimpiadës ishin të firmosura nga Princi i Kurorës Nikolas.

Është interesant të shënohet se në këto dokumente u bë edhe një përcaktim i qartë, për kohën, për termin “amator”. Dhe po kaq interesant është të evidentohet fakti se që nga ato Lojëra, që nga 1896 e deri në 2004, në Lojërat Olimpike të Athinës, shumë rregulla kanë mbetur të njëjta. Pra, ato i kanë rezistuar kohës për mbi një shekull.

Por kanë mbetur edhe shumë sporte, edhe sot, që nga 1896 si garat e vrapimit në 100, 200, 400, 800 dhe 1500 e 3000 metër; 110 metër me pengesa, kërcim tre hapësh, kërcim së gjati, qitje, hedhje shtize, hedhje gjyle, disku, çiklizmi, mundja etj., etj.

(Me një vëmendje e përgjegjësi të lartë, por pse jo, edhe me një pasion dhe ndjenjë patriotizmi, Biblioteka Kombëtare e Greqisë, nën drejtimin e drejtorit të saj të përgjithshëm, profesorit Georgios Zachos, ka përpunuar një dokumentacion të jashtëzakonshëm për Lojërat Olimpike Athinë 2004. Dhe e ka publikuar këtë dokumentacion në prag të këtyre Lojërave.

Aty, në një album të mrekullueshëm, janë përfshirë foto, rregulla e rregullore, lista e sporteve, e sportistëve, programe, fjalime përshëndetëse, portrete kampionësh, foto stadiumi, të objekteve të ndryshme sportive, pamje të Athinës, të takimeve të burrave të shquar të Greqisë në Francë, pjesëmarrës në Kongresin themelues të Komitetit Olimpik etj., etj.

Unë kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që këtë album ta kem si dhuratë nga Ministrja Plotësuese e Kulturës së Greqisë, zonja Fanny Palli – Petraliu. Do të kisha një takim me të në Ministrinë e Kulturës, vetëm pak ditë para Olimpiadës së Athinës 2004. Asgjë nuk mungon në atë album nga 1896, jo vetëm për Lojërat, por edhe për jetën sociale e kulturore të Greqisë e veçanërisht të Athinës në ato ditë. Albumi është prodhuar në fare pak kopje dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Militos.)

Duke kapërcyer të gjitha problemet teknike, organizative, financiare dhe infrastrukturore në kuadër të suksesit të Lojërave Olimpike, ajo që ishte më e rëndësishmja, do të konsiderohej vlera simbolike, vazhdimësia historike e një populli për të përkujtuar, për të nderuar, për të sjellë të gjallë Olimpiadën e Antikitetit, mbi 2800 vjet më parë. Dhe këtë Greqia e realizoi mrekullisht.

Shtypi europian e sidomos ai i vendeve pjesëmarrëse në Olimpiadë, do të fliste me vlerësimet më të larta për gjithçka të atyre ditëve aq të mrekullueshme.

Sportistët e Olimpiadës morën pjesë në 45 gara sportive, të ndara në 9 kategori. Në atletikë kishte 15 gara, në gjimnastikë 8, në not 4, që qitje 5, në mundje 3, në çiklizëm 6 etj. Këtu nuk përfshihen edhe garat e mundjes, skermës, etj. Por për shkak të mungesës së pjesëmarrjes, por edhe të infrastrukturës së nevojshme, nuk u zhvilluan garat e hipizmit.

Organizatorët në veçanti, por edhe athinasit, ndjenë një keqardhje të madhe për këtë, duke pasur parasysh nga historia e antikitetit se në lojërat e 776 para Krishtit, garat me kuaj do të ndiqeshin me shumë interes dhe do të ishin gara popullore.

Ekipi kombëtar grek, me shoqatat përbërëse në sporte të ndryshme, do të përfaqësohej me: “Klubin Panhelenik të Gjimnastikës së Athinës, Shoqata Kombëtare të Gjimnastikës së Athinës, Klubin Atletik të Athinës, Klubin e Kanotazhit të Pireut, Klubin e Ecjes Sportive të Pireut, Shoqatën Greke të Çiklizmit, Shoqatën e Çiklizmit të Athinës, Klubin e Tenisit të Athinës, Klubin e Kanotazhit të Ermonpolis, Shoqatën e Gjimnastikës së Patras, Klubin e Gjimnastikës së Patras etj.”

Para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në stadiumin Panathenaiko, në mbrëmjen e 25 marsit 1896, në paraditen e asaj dite do të kishte shërbesë fetare në katedralen metropolitane, dhe si përkujtim i festës kombëtare të pavarësisë. Në stadium vendet kryesore ishin me bileta që kishin të shënuar edhe vendet e uljes(!).

Një dokument shumë interesant që ishte publikuar në albumin e Bibliotekës Kombëtare të Greqisë, ishte “Ticket Allocation” që u jepej vizitorëve të rëndësishëm vendas e, sidomos atyre të huaj.

Që në ditën e parë të çeljes së Lojërave, shtypi vendas dhe ai i huaj do të shkruante: “Spektakli ishte i shkëlqyer. Dekorimi i stadiumit i jashtëzakonshëm”.

Dokumentet e kohës flasin se ato ditë stadiumi ishte mbushur më shumë se asnjëherë: 70 mijë spektatorë dhe 10 mijë të tjerë, qëndronin jashtë tij, rreth e rrotull.

Në orën 15.15 të datës 25 mars 1896, në tribunë do të zinin vend Mbreti George I, i veshur me uniformë ushtarake, i shoqëruar nga mbretëresha, nga princi i kurorës Costantine dhe princi George, nga princesha e kurorës Maria, princesha Sofia, dhe nga pjesëtarë të rëndësishëm të familjes mbretërore.

Do të ishin, gjithashtu, të pranishëm ministra të qeverisë, deputetë, zyrtarë të lartë, diplomatë të huaj, anëtarë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe atij grek, shkrimtarë e poetë të njohur, artistë, kompozitorë të shquar etj.

Për këtë protokoll, por në përgjithësi për ditën e çeljes së Lojërave Olimpike, ka shkruar shumë bukur, pa harruar asnjë detaj, E. Anninos. Ai është marrë edhe me përgatitjen e programit të garave. Anninos do të shkruaj: “Me një fjalim të shkurtër, Princi i kurorës Costantine, do të ftojë Mbretin për të deklaruar zyrtarisht hapjen e Lojërave Olimpike të Athinës. Orkestra e madhe filarmonike, me instrumentistë të njohur dhe me një kor të njohur, ekzekutoi Himnin Olimpik, vargjet e të cilit ishin shkruar nga poeti Kostis Palamas, me muzikë të Spyridon Samaras. Spektatorët u entuziazmuan pa masë dhe orkestra ekzekutoi për herë të dytë himnin”

Dokumentet që kam lexuar tregojnë se ceremonia e çeljes së Lojërave Olimpike do të zgjaste vetëm 15 minuta.

Medaljet e para të arit u arritën që atë ditë.

Dhe i pari që mori këtë medalje, kampioni i parë i Lojërave Olimpike Moderne, do të ishte amerikani James B. Connolly, anëtar i “Suffolk Athletic Club”, në garën e hedhjes trehapësh. Ai do të mbetet edhe i pari atlet në Lojërat Olimpike moderne që do të vinte në kokë kurorën e ullirit.

Ndërsa greku i parë që do të meritonte medaljen e artë, si kampion olimpik në garën e mundjes, do të ishte L. Pyrgos. Pas tij, një tjetër grek, Ioannis Mitropoulos i Klubit Kombëtar të Gjimnastikës së Athinës, do të merrte medalje ari në gjimnastikë.

Ngjarja më e shumëpritur dhe njëkohësisht më e shënuar për athinasit, por edhe për mbarë grekët, do të ishte gara e Maratonës. Ajo fliste shumë për historinë, për antikitetin, për atë fitore të lavdishme të athinasve mbi persët dhe lajmëtarin hero që njoftoi për të, për të rënë në tokë pas kësaj e për të mbetur i përjetshëm. Dhe ndaj grekët, dhe pas afro 3000 vjetësh, atë garë e donin ta kishin të tyren, ta fitonin! Dhe kishin plotësisht të drejtë! E meritonin, sepse lidhej me shumë kujtime popullore, kombëtare.

Kronikat që kam lexuar do të shkruajnë se deri në vendin e quajtur Pikeimi, garën do ta udhëhiqte francezi A. Lermusiaux, i ndjekur nga australiani E. Flack, amerikani Blake dhe, pas tij, hungarezi J. Kellner. Por në kilometrat e fundit të garës, më saktë në kilometrin e 36-të, në vendin e quajtur Ampelopiki, (ka disa taverna e restorante ku punojnë shumë shqiptarë) garën do ta udhëheqë greku Spyros Louis, që mbante në fanellë, nën flamurin grek, numrin 17.

Disa minuta më vonë, Louis do të hynte triumfalisht në stadiumin Panathenaikos. Distancën prej 40 km, Louis do ta përshkonte ne dy orë, 8 minuta dhe 50 sekonda.

Stadiumi, në një shpërthim të paparë gëzimi, do të ngrihej në këmbë, me brohoritje dhe duartrokitje pa fund. Shtypi do të shkruante shumë bukur, me vetëm 4 fjalë: “në stadium shpërthen valvula e entuziazmit”. Nuk kam dëgjuar një shprehje kaq të bukur, kudo, në stadiume kur shpallen kampionët!

Ndërsa publicisti i mirënjohur Anninos do të shkruante: “Ajri është vibrant… një dolli e madhe për fitoren. I gjithë kombi në një gjendje të papërshkruar deliri, feston fitoren e tij”.

Medaljen e arit për fituesin e maratonës, Spyridon Louis, do ta dorëzonte vetë Mbreti i Greqisë. (Në mbyllje të Lojërave Olimpike, më 15 prill, mbreti do t’u dorëzonte medaljet e arit edhe fituesve të tjerë të garave)

Të gjithë grekët sot e njohin, kanë dëgjuar, e kanë parë në foto dhe në piktura heroin e maratonës, Spyros Louis. Ai emër, ajo fitore e 1896 u ktheu athinasve e grekëve kohën mbrapa, me krenari 2800 vjet me parë, me fitoren kundër persëve, që solli më gjithë zemër “kampioni” hero!

Dhe tani, pas afro 2800 vjetësh, Louis, është ai, në traditë, një lajmëtar i madh i fitores, i paqes, i lirisë, i dashurisë, i humanizmit dhe i krenarisë kombëtare. Edhe sot i duhen botës lajmëtarë të paqes! Duket se ata po mungojnë, po vonohen, po rropaten pa fitore.

Kam parë në Athinë shumë piktura me finishin e maratonës nga Louis, me medaljen e arit në gjoks e me kurorën e ullirit (disa edhe me atë të dafinës) në kokë. Secili piktor grek ka skalitur jo thjesht fizikun e atletit, por botën shpirtërore, epikën e fitores, të triumfit.

Një grek tjetër do të shpallej kampion olimpik, çiklisti A. Kostantinides, në një garë jo të lehtë, 87 km, që niste nga Kifisia, një zonë sot e mrekullueshme, dhe do të shkonte në fshatin e maratonës e do të kthehej e do të përfundonte në Neon Falirou. Gara do të shkonte 3 orë e 22 minuta. Edhe ai do të mbante medaljen e arit dhe kurorën e dafinës.

Fotografi i spikatur gjerman Mayer, që e kam përshkruar më sipër, do t’i fiksonte shumë mirë këta kampionë të mëdhenj.

Greqia do të fitonte 10 medalje ari, 10 kampionë olimpikë dhe disa medalje argjendi dhe bronzi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të merrnin një medalje ari më shumë. Për çdo fitore, kurora me gjethen e ullirit të rritur në Olimpin antik, apo me kurorën e dafinës, do të ishte vlerësimi më i bukur, krahas medaljeve, diplomave apo kupave të skalitura me kujtime sportive të antikitetit, të punuara nga Nikiforos Lytras dhe Nikolas Gyzis.

Të gjithë kampionët olimpikë të 1896-s, janë të përfshirë në një broshurë të punuar mjeshtërisht.

Lojërat Olimpike të Athinës, të parat në kohën moderne, ishin një sukses i madh. Ato folën jo vetëm për garat dhe fituesit. Ato folën për miqësinë midis popujve, për solidaritetin, folën për nderimin ndaj olimpiadës së antikitetit, folën për nderimin dhe respektin e grekëve, e qytetarëve të Athinës, për atë mikpritje të jashtëzakonshme që u rezervoi vizitorëve, turistëve e sportistëve. Gjithkund, në stadium, në rrugë, në sheshe, në taverna dhe kafene, në muze e në Akropol, kishte shpirt olimpik, jetë olimpike.

Ato ditë të Olimpiadës, mori më shumë jetë vetë historia, morën më shumë peshë, më shumë dritë e emër edhe monumentet e rralla, edhe statujat e mermerta, edhe bustet e perëndive, edhe Akropoli me Panteonin dhe teatrot e tij legjendarë.

Edhe Likavitoja, që vështronte nga maja më e lartë e Athinës, ishte krenare për gjithçka kishte arritur Greqia, Athina në ato ditë olimpike. Greqia ia doli mrekullisht! Dhe në Greqi, që nga ajo kohë, edhe sot, kur flitet për sport, për garë, për Olimpiadë, thuhet bukur: kush mund tjetrin, ka muskuj të fortë, por ai që mund vetveten është vërtet i fuqishëm.

Dhe për çdo kohë, për dje dhe sot, marrin një vlerë të jashtëzakonshme vargjet e poetit të madh e shumë të dashur të popullit grek, Janis Ricos:

“Ti kurrë Greqinë mos e vajto,

Se m’u kur bën të bjerë

me kamën ngulur thellë në eshtër

me litar në zverk,

Ja tek po ngrihet përsëri, e rreptë dhe kreshnike

Dhe me fuzhnjën e diellit

Përbindëshin shfaros” /Gazeta Panorama

LEXONI PJESËN E DYTË: Nismëtar dhe financues i Lojërave Olimpike në 1896-ën, kush ishte shqiptari! Kryeveprat sot mbajnë emrin e tij në Athinë! Çfarë simbolizojnë 5 rrathët e njohur në flamur

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura