Fituesi : S’kemi regjisorë, por vënës në skenë

Sep 5, 2012 | 12:51

Dje gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për konkursin e dramës shqipe

U ndanë çmimet e Konkursit të Dramës shqipe.

Bashkim Kozeli u shpall fitues mes 31 konkurrentëve me “Ëndrra e Ismail Qemalit”

“Ëndrra e Ismail Qemalit”, shkruar nga Bashkim Kozeli, u shpall dje vepra fituese e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës shqipe, organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këtë konkurs morën pjesë 31 vepra të autorëve shqiptarë me banim në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA, Zvicër, Greqi, Itali etj. Mes tyre mund të përmendim Ruzhdi Pulahën, Ferdinand Hysin, Teodor Laçon, Fadil Krajën, Skifter Këlliçin, Lazër Filipin, Ardian Christian Kyçykun, Ekrem Kryeziun etj. Pas shqyrtimit të të gjitha veprave, juria e përbërë nga Mihal Luarasi, në pozicionin e kryetarit, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Bashkim Hoxha, Josif Papagjoni, Sesilia Plasari, Bastri Capriqi, vendosi që të ndante tri çmime të para, të cilat do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar, por edhe në skena të qyteteve të tjera. Kështu, me çmimin e tretë u vlerësua vepra e Stefan Çapalikut, me të dytin ajo e Mustafa Tukajt dhe të parin, drama e Bashkim Kozelit. Sipas kryetarit të jurisë, Mihallaq Luarasi, në këtë konkurs kishte prurje mjaft të mira dhe veç fitueseve, mund të veçohen edhe 7 apo 8 të tjera, të cilat me pikë qëndronin shumë afër veprave fituese. Luarasi u shpreh se një pjesë e mirë e pjesëmarrësve ishin tërësisht të panjohur dhe do të ishte mirë që të zhvillohej një takim me ta, në mënyrë që të ndihmohen e të nxiten më tej, pasi fatkeqësisht mjeshtëria e të shkruarit të dramës nuk mësohet në Universitetin e Arteve. Nga ana e tij, ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi, premtoi se veprat më të mira do të ndihmohen financiarisht që të shohin dritën e skenës. Në lidhje me këtë të fundit, aktori Ndriçim Xhepa u shpreh se duhet edhe dëshira e mirë edhe e teatrove të qyteteve të tjera për të vënë në skenë këto pjesë, ndërsa duhet nxitur zhvillimi i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, ku në edicione të caktuara të jetë e detyruar vënia e dramës shqipe. Në këtë mënyrë do të nxiteshin edhe autorët për t’iu drejtuar dramës. Sa i përket tematikave që trajtonin veprat pjesëmarrëse në konkurs, ato i përkisnin më së shumti 100-vjetorit, edhe pse ky nuk ishte kriter. E tillë është edhe vepra fituese, e cila fokusohet më së shumti te figura e Ismail Qemalit, pas ceremonisë së shpalljes së fituesve, dramaturgu Bashkim Kozeli zbuloi për mediat diçka mbi veprën e tij, por dhe jetën e tij si krijues.
Drama juaj titullohet “Ëndrra e Ismail Qemalit”, përse flet ajo?
Drama flet për figurën e madhe të Ismail Qemalit, të cilin e kam kapur në një moment, ku ai shfaqet shumëdimensional, me një vizion europian dhe paraqitet si simbol dhe emblemë e Shqipërisë në këto 100 vjet. Ismail Qemali paraqet figurën e një shtetari, për t’i thënë publikut: ja si është një burrë shteti.
Është një vepër masive, me shumë personazhe…?
Është me shumë personazhe dhe përfshin shumë figura historike, si Ismail Qemali, Faik Konica, Esat Toptani, Isa Boletini etj.
Drama është historike dhe flet për periudhën në të cilën është bazuar. Nuk numërohen librat dhe materialet që kam shfrytëzuar në internet për të gjetur detaje nga ajo periudhë e që bluhen në mullirin e mendjes. Nëse para 2-3 vjetësh shkrova skenarin e një filmi televiziv “Dhimbja e dashurisë” për 3 muaj, për këtë dramë m’u deshën 3-4 vjet. Drama kërkon shumë punë.
Është një vepër realiste?
Është realiste dhe njerëzore dhe jam përpjekur ta jap figurën e tij jo vetëm si një burrë shteti, por edhe si familjar, baba fëmijësh.
Ku vendosen ngjarjet?
Ngjarjet vendosen në disa shtete të Europës, kur Ismail Qemali braktis detyrat e mëdha që kishte në Perandorinë Osmane dhe vjen nëpër kryeqytetet e Europës për çështjen shqiptare.
Kujt do t’ia besoni veprën tuaj?
Ia besoj Teatrit Kombëtar, pasi siç edhe është parashikuar drama fituese do të ngjitet në skenën e TK, me rastin e 100-vjetorit.
Keni parasysh një regjisor?
Ëndërr do kisha të bashkëpunoja me profesor Mihallaqin apo Gëzim Kamen.
Po një aktor për rolin e Ismail Qemalit?
Kam menduar, por nuk mund të them emra, pasi për këtë duhet të konsultohem me regjisorin.
Ju keni shkruar drama edhe përpara rënies së diktaturës, apo jo?
Kam shkruar që i vogël, më ka mbajtur shumë afër Nonda Bulka. Në ’69-n kam punuar me Pandi Stillun, i cili vazhdimisht më jepte këshilla profesionale dhe më thoshte: “Asgjë nuk do bësh nga këto që të them unë, nëse nuk i bën të tuat”. Unë kam qenë pilot dhe të parën dramë romantike kam bërë “Shokët”. U vu fillimisht në skenën e Vlorës e pastaj në Teatrin Kombëtar. Kjo ishte drama e parë që është vënë në skenë dhe unë isha shumë i ri. Nga ato ç’kam shkruar, janë vënë në skenë 12 drama, tri prej të cilave i ka vënë në skenë Teatri Kombëtar, por mosha ime është e atillë që brezi juaj nuk ka pasur rast t’i shikojë.
Përmendët bashkëpunimin me Pandi Stillun, me kë keni bashkëpunuar tjetër?
Dy drama i kam vendosur me Pirro Manin, mes të cilave “Sinjali i kuq” që flet për konfliktin mes rusëve dhe një dramë që u pezullua, “Renegatët”, në vitin 1975. Një tjetër vepër është “Lidhur si fishek gjerdani”, ku luan Kadri Roshi.
Nga titujt duken tipike të realizmit socialist…
Realizmi socialist ishte kostum, por krijimtaria mbetet krijimtari. Pas parullave komuniste ne mundoheshim të jepnim krijimtarinë.
Edhe pse kishit bashkëpunuar me emra të mëdhenj të teatrit shqiptar, krijimtaria juaj u ndërpre, përse?
Vënia në skenë e veprave të mia u ndërpre, për shkak të dënimit të vëllait tim me “puçin e ushtrisë”. U dënua me burg, ku edhe vdiq. U desh Pjetër Gjoka, Lazër Filipi dhe Kadri Roshi të vinin në Vlorë dhe të ndërhynin për mua, që një vepër imja të ngjitej sërish në skenë, pas 7 vjetësh që më ishte ndaluar kjo gjë. Në Vlorë ishte Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Pikërisht atyre ata i kërkuan të vinin në skenë një vepër timen. Kjo ka ndodhur në 1981-shin, mbi 30 vjet më parë.
Pse drama shqipe rezulton e dështuar në skenë?
Unë them që të gjitha shfaqjet këtu janë pothuaj të dështuara. Mendimi im është që mungon regjia. Ka vënës në skenë, por jo regjisorë. Regjisori duhet të jetë njeri enciklopedik, duhet të njohë edhe letërsinë, edhe tekstin, edhe dramën, muzikën, skenografinë dhe temporitmin, të jetë zoti i tyre.
Po vepra juaj?
Unë suksesin e dramave të mia e kam parë te bashkëpunimi me regjisorin. Them se falë këtij bashkëpunimi do të arrijmë diçka dhe të tregojmë se drama shqipe vazhdon të jetë.

Çmimet
Çmimi i parë: “Ëndrra e Ismail Qemalit”, nga Bashkim Kozeli, shpërblimi 500 000 lekë
Çmimi i dytë: “Të ftuarit”, nga Mustafa Tukaj, shpërblimi 300.000 lekë
Çmimi e tretë: “Provat gjenerale të Pavarësisë”, nga Stefan Çapaliku, shpërblimi 200 000 lekë

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura