Policia e Shtetit shpalli dje listën e klasifikimit të fituesve për të vazhduar Shkollën e Policisë. Lista përmban 576 emra, ndërsa secili garues do të kualifikohet mbi bazën e një pragu pikësh. Nga rreth 2 mijë konkurrentë, të cilët kishin aplikuar për periudhën shtator-dhjetor 2010, janë kualifikuar për të ndjekur studimet për Patrullën e Përgjithshme 576 kandidatë. Burime nga Policia thanë se ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë numri i studentëve që do të vazhdojnë shkollën dhe sa prej tyre do të mbeten në listën e pritjes për të ndjekur studimet në një tjetër periudhë. Policia e Shtetit tha dje zyrtarisht se lista përfundimtare u shpall pasi u mbyllën të gjitha fazat e konkurrimit dhe tashmë mbetet vetëm kryerja e analizave të gjakut dhe marrja e gjurmëve të gishtave. Mes emrave në listën e fituesve është edhe djali i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgajt, i cili duket se do të vazhdojë profesionin e të atit. Rigers Burgaj, 19 vjeç, djali i numrit një të Policisë, renditet i 34-ti në listën e fituesve dhe ka arritur të grumbullojë 87.06 pikë në të gjitha fazat e konkursit. Gjithashtu, fituese, e renditur e katërta me 91.83 pikë, është shpallur edhe Republika Kasmahu, nga Lazarati i Gjirokastrës, një prej pjesëmarrëseve të “Big Brother 2”, e cila konkurron për herë të dytë në Shkollën e Policisë, pasi herën e parë nuk arriti të fitonte. Sipas Policisë, pas fazës së parë të konkurrimit, testimit me shkrim, aplikantët iu nënshtruan testimit fizik, ku komisioni përkatës vendosi për kualifikimin, ose jo sipas normave që mori çdonjëri prej tyre. Më pas, u kalua në fazën e tretë të konkurrimit, që ishte intervista me gojë, ku nga komisioni i intervistimit gjatë këtij procesi u intervistuan të gjithë kandidatët e paraqitur. Qëllimi i intervistës me gojë ishte vlerësimi i aftësive të kandidatit për të analizuar, komunikuar, marrë vendime dhe për të reaguar në mënyrën e duhur, si dhe vlerësimi i përshtatshmërisë së kandidatit për t’u bërë punonjës policie. Bazuar në pikët e grumbulluara gjatë testimit me shkrim dhe gjatë intervistës me gojë, është bërë edhe klasifikimi përfundimtar i pjesëmarrësve në këtë proces konkurrimi. Sipas Policisë, 576 kandidatët fitues do t’i nënshtrohen procesit të kontrollit mjekësor pranë Qendrës së Profilaksisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila ndodhet në Qendrën e Formimit Policor. Për datat e kryerjes së kontrollit mjekësor kandidatët do të njoftohen nga strukturat e Burimeve Njerëzore.











