
Mesfushori i talentuar vlonjat, Hair Zeqiri, është rikthyer te Flamurtari me ide të qarta. Ai kërkon që të jetë një lojtar kyç për mesfushën e kuqezinjve dhe, pasi të ketë fituar me këtë skuadër, të rishikojë mundësinë e kalimit sërish në një kampionat elitar, të huaj. “U riktheva te Flamurtari se ekipi i qytetit tim kishte nevojë për mua. Sakaq, pata probleme të shpeshta edhe me dëmtimet. Doja që të kontribuoja sadopak te skuadra që më rriti si futbollist dhe të fitoj me këtë ekip. Kam folur me drejtuesit e Rizeporit dhe gjeta mirëkuptimin e tyre. U parashtrova kërkesën time, pas kontakteve që pata me drejtuesit e klubit vlonjat. Erdha këtu me bindjen e vetme: të bëj maksimumin”, ka thënë fillimisht mesfushori. Por a është ky një kthim prapa në karrierën e tij, Zeqiri e thotë qartë: “Unë mund të largohem sërish nga Flamurtari, nëse do të kem ndonjë ofertë bindëse nga ndonjë klub i huaj. E theksoj nga klub i huaj, pasi në Shqipëri do të luaj vetëm me Flamurtarin, ndërsa dua të largohem vetëm pasi vlonjatët të kenë arritur objektivin e tyre. Mes Ligës së Dytë turke dhe Superiores nuk ka ndonjë ndryshim të madh në kualitetin e lojtarëve. Mund të them se thjesht ndryshon mentaliteti i lojës, disiplina zë vendin e parë”, ka vazhduar Zeqiri. Në fund ai flet dhe për lënien jashtë Kombëtares. “Besoj se ka ndikuar gjendja ime jo e kthjellët. Pra, unë u largova nga Turqia, erdha te Flamurtari e nuk isha gati për Kombëtaren. Kjo është e gjitha. Në ndeshjet e ardhshme jam i bindur se do të jem në dispozicion të trajnerit De Biazi”, përfundon Zeqiri.











