Reagon Adelina Tahiri: Nuk jam tradhtare, këndova shqip.
Këngëtarja pushton faqen e parë të gazetës më të shitur në gjuhën maqedonase, duke e titulluar artikullin ”Adelina si qetësues, krem në stilin amerikan për koncertin e pavarësisë”.
Fillimjava ka qenë e mbushur me shkrime të ndryshme me ngarkesa tejet negative ndaj dy këngëtarëve shqiptarë nga Maqedonia, të cilët ishin ftuar nga organizatorët maqedonas për të festuar pavarësinë në Shkup. ”Fishkëllehen këngëtarët shqiptarë”, si dhe “këngëtarët shqiptarë nuk pranojnë të këndojnë për pavarësinë e Maqedonisë”. Këta ishin artikujt të cilët më së shumti janë komentuar këto ditë. Me këtë rast, ka reaguar këngëtarja seksi Adelina Tahiri, e cila ka qenë pjesë e koncertit. ”Adelina nuk është tradhtare e kombit, se këndoi shqip dhe ua zbardha fytyrën shqiptarëve”, ka qenë ky reagimi i këngëtares së njohur shkupjane Tahiri, e cila së bashku me këngëtarin tjetër Mustafa Ymeri ishin të vetmit këngëtarë shqiptarë të cilët morën pjesë në koncertin e pavarësisë së Maqedonisë që është mbajtur më 8 shtator në arenën ”Filipi II” në Shkup, para 60 mijë spektatorëve. Adelina Tahiri (20 vjeç) në një kombinim seksi është fotografuar teksa ka vallëzuar me një veshje me flamurin amerikan në stilin e Beyonces, natën e së dielës, në fillim të koncertit të pavarësisë së Maqedonisë. Energjia e madhe e saj në koncert si duket ka fshehur turpin e fshikëllimave të publikut prej 60 mijë personave në arenën ”Filipi II” në Shkup, pas performancës së këngëtarëve të rinj shqiptarë. Publiku i magjepsur, më shumë ka shikuar, sesa ka dëgjuar muzikën e mbesës së deputetes Flora Kadriu. Këngëtarja Tahiri ka deklaruar se veshja e saj në këtë koncert nuk ka pasur asnjë lloj prapavije për pavarësinë. ”Veshjet me flamurin amerikan janë në trend kohëve të fundit edhe nga pop ylli Lady Gaga. Në dollapin tim kam shumë veshje të ndryshme që nga këpucët e deri tek bikinit me këtë flamur. E dua shumë Amerikën dhe për 2-3 muaj do të udhëtoj atje”, ka thënë ajo.
”Koncertet e mia i marr si shumë serioze dhe u kushtoj rëndësi të gjitha detajeve, që nga paraqitja deri te veshja dhe kërcimi është shumë normal për të qenë aktuale në show biznes”, ka thënë Adelina Tahiri në shkrimin e botuar në ballinën e gazetës më të madhe maqedonase ”Vest”, e cila i ka kushtuar rëndësi të madhe paraqitjes së Adelinës, ndërsa shkrimi dukej si një lloj ndjese ndaj këngëtares.
BLERAND REXHEPI











