Finalen e Kampionatit Botëror të 12 korrikut të vitit 1998 Ronaldo nuk ka për ta harruar asnjëherë, jo vetëm sepse Brazili nuk arriti që të shpallej kampion për herë të pestë në historinë e tij, por edhe sepse ai rrezikoi që të vdiste. Disa orë para se të niste sfida, lojtari kishte probleme të rënda shëndetësore. Ai u dërgua menjëherë në spital për të parë arsyet e problemit, por mjekët gabuan në diagnozën e dhënë. Të gjitha këto të fshehta i tregon profesor Bruno Karu, kardiolog me famë botërore, i cili pati mundësinë që të ekzaminonte të gjithë dokumentacionin mjekësor, të grumbulluar nga doktor Volpi, mjek i Interit, i dërguar në Paris nga klubi zikaltër, pas sëmundjes që preku lojtarin. “Ronaldo pësoi një rënie të menjëhershme të ritmit kardiak dhe të presionit e i ra të fikët, ndërsa pati dridhje në trup”. Doktori sqaron arsyet e gabimit të kolegëve, por që mund të ishte fatal për brazilianin. “Mjekët ishin të mendimit se pacienti kishte probleme për shkak të epilepsisë, duke i dhënë atij një ilaç të fortë, shumë të mirë për epilepsinë, por jo për problemet e zemrës, që ishte gardenale. Një ilaç i tillë është tepër i fortë dhe u përdor nga Merlin Monroe për t’u vetëvrarë. Efekti i tij është që të zvogëlojë deri në maksimum aktivitetin cerebral. E gjithë kjo shpjegon arsyen se pse Ronaldo bëri një ndeshje të keqe atë ditë ndaj Francës. Dhe gjithashtu kjo shpjegon pamjet e brazilianit, që zbret nga avioni duke mos mbajtur ekuilibrin, si të ishte një i dehur dhe i paaftë që të mbante veten në këmbë”.











