TIRANE – Dërgohen për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pamjet filmime të regjistruara nga Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit më 21 janar të këtij viti në demonstratën e opozitës. Prokuroria ka vendosur t’i dërgojë në SHBA për ekzaminime filmimet që janë dorëzuar nga Garda dhe Policia, pas dyshimeve se në këto materiale mund të ketë pasur ndërhyrje. Lajmi u bë i ditur dje nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se për disa javë me radhë, hetuesit e çështjes kanë shqyrtuar regjistrimet filmike të bëra nga Garda dhe Policia ditën e demonstratës ku mbetën të vrarë katër persona. Pavarësisht se volumi i regjistrimeve të Gardës ka qenë rreth dy orë dhe filmimet e Policisë kanë qenë rreth 4 orë, sërish në këto pamje nuk është gjetur e fiksuar asnjë moment i vrasjes së ndonjërit prej katër personave. Regjistrimet në fjalë, sipas grupit hetimor, përmbajnë skena të momenteve kur demonstruesit ushtrojnë dhunë duke goditur me gurë dhe me shkopinj forcat e policisë dhe efektivat e Gardës, por në filmime nuk është fiksuar ndonjë moment i vrasjes së katër personave. Nisur nga ky fakt, për shkak të pamundësisë teknike për verifikimin e vërtetësisë së regjistrimeve, Prokuroria ka vendosur t’i dërgojë filmimet në SHBA. Burimet nga Prokuroria thanë se pala amerikane, e cila ka dhënë ndihmë teknike në hetimin e 21 janarit, do të verifikojë nëse në regjistrimet në fjalë ka ndërprerje, ndërhyrje apo përpunime. Në vazhdimësi të hetimit, gjatë këtyre ditëve në Prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur ekspertizat e armëve të fundit që janë sekuestruar pranë Gardës së Republikës. Sipas burimeve nga Prokuroria, ekspertizat e armëve nuk kanë gjetur pistoleta apo automatikë të tjerë të implikuar në vrasjet e ndodhura më 21 janar. Nga hetimet e deritanishme, me ekzaminime shkencore është provuar se arma që mbante gardisti Agim Llupo ka kryer vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi. Ndërkohë, për tri viktimat tjera ende nuk është bërë e mundur identifikimi i armëve që kanë kryer vrasjet.
Filmimet
Një ditë para demonstratës së 21 janarit, Policia e Tiranës paralajmëroi qytetarët se gjithçka do të filmohej. Policia deklaroi se kishte marrë masa për kryerjen e filmimeve në të gjithë ambientin ku do të zhvillohej aktiviteti i opozitës, me qëllim çuarjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe dokumentimin ligjor të çdo vepre penale.











