
Prokuroria: Punonjësi i Kryeministrisë ka rrezik t’i zhdukë filmimet që kopjoi.
Hiqet arresti i shtëpisë, detyrim paraqitje Armando Kasajt.
Armando Kasaj, specialisti i IT-së në Kryeministri, i dyshuar si personi që fshiu nga serveri i kamerave të sigurisë pamjet filmike të demonstratës së 21 janarit 2011, u lirua dje nga “arresti shtëpiak”.
Gjykata e Apelit pranoi kërkesën e tij për lehtësim të kësaj mase sigurie dhe caktoi ndaj tij vetëm “detyrim për paraqitje”. Jashtë sallës së gjyqit, Kasaj u shpreh se më 21 janar nuk kishte fshirë asnjë pamje filmike. Ai pranoi të ketë bërë vetëm një kopje, të cilën ia ka dhënë Gardës. Me vendimin e saj, gjykata rrëzoi edhe në Shkallën e Dytë të Gjyqësorit, pretendimin e organit të akuzës për caktimin e “arrestit me burg” ndaj Kasës. Sipas vendimit të një trupe gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Artan Broci, Gjin Gjoni dhe Edmond Goga, i dyshuari Kasaj duhet të paraqitet në prokurori dy herë në muaj. Armando Kasaj ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit, por ai nuk preferoi të fliste para trupit gjykues. Vetëm në përfundim të pretendimeve të mbrojtësit të tij ligjor, ai u shpreh: “Jam dakord me çfarë tha avokati”. Në seancë, prokurori Nezir Gjoka tha se nga hetimet kishte rezultuar se Kasa ishte personi që ka kopjuar dhe fshirë pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit. “Regjistrimet rezulton të jenë kopjuar dhe më pas të jenë fshirë, duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre. Aktualisht nuk janë vendosur akoma në dispozicion të hetimit”, pretendoi prokurori. Duke argumentuar rrezikshmërinë e veprës penale për të cilën akuzohet Kasa, prokurori tha se “arresti në shtëpi lë shteg për personin për t’i zhdukur filmimet e kopjuara prej tij”. Në vijim ai kërkoi përfundimisht nga gjykata caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për Kasajn. Mbrojtësi i Kasajt, avokati Ilir Murati, pretendoi para trupës gjykuese se klienti i tij nuk kishte në ngarkim zyrën e serverit të kamerave të sigurisë. “Zyra nuk ka qenë në ruajtje dhe administrim të Kasajt”, pretendoi avokati, duke pohuar edhe emrat e punonjësve të Gardës që kanë mbikëqyrur këtë zyrë ditën e ngjarjes. Sipas avokatit, Kasaj ka bërë vetëm kopjim të pamjeve dhe ua ka dhënë në dorë DVD-në punonjësve të Gardës. Avokati Murati i kërkoi gjykatës lirimin dhe moscaktimin e asnjë mase sigurie ndaj klientit të tij.
DEBATI
Përballja e pretendimeve u shoqërua me debat dje mes palëve, momente të të cilit paraqiten në vijim.
Avokati: Vetë Garda, në dëshmitë e administruara, pohon se e ka mbajtur zyrën (e serverit) në kontroll vetë. Kategorikisht nuk kanë lënë persona të tjerë. Por, në një nga deklarimet thuhet se “i kemi kërkuar ndihmë specialistit të IT-së, pasi nuk dinim të bënim kopjimin nga serveri në CD apo DVD. I kërkuam ndihmë: Do na ndihmoni të marrim pamjet filmike?”. Klienti ka shkuar. U ka thënë se kë donin të kopjonin. Donin të kopjonin kamerën numër një. Ua ka bërë kopjimin dhe ua ka lënë në dorë.
…
Gjykata, avokatit: Nëse fshirja është bërë në orën 02:03 dhe i dyshuari ka qëndruar në punë deri në orën 23:00, si është i implikuar ai në veprën penale?
Avokati: Është e çuditshme! Është antiligjore hapur!
Prokurori: Në mënyrën se si po na e shpjegon avokati, po na del tani që komandanti i Gardës qenka bërë kryeministër. Se avokati thotë që kanë qenë punonjësit e Gardës që e kanë marrë. Ata kanë qenë në ruajtje të godinës, por nuk kanë qenë në punë tek aparati. Ata kanë ruajtur godinën.
Flet Kasaj
TIRANE – Armando Kasaj mohoi dje të kishte fshirë pamje nga serveri i kamerave të Kryeministrisë. Pasi doli nga salla e gjyqit, ku fitoi “lirinë”, Kasaj u shpreh se kishte bërë vetëm një kopjim të pamjeve. “Nuk kam bërë asnjë fshirje. Thjesht kam bërë një kopjim dhe asgjë tjetër”, u shpreh Kasaj. I pyetur se nga kush ishte urdhëruar apo se ku i kishte çuar pamjet e kopjuara, ai pohoi: “Me asnjë urdhër. I kam dorëzuar pranë atyre që duhet t’i dorëzoja. Ia kam dhënë Gardës së Republikës dhe Prokurorisë”. Të njëjtën gjë i dyshuari ka dëshmuar edhe në Prokurori gjatë deklarimeve të mëparshme, ku ka pohuar se nuk ka pasur ndonjë urdhër të dhënë ndaj tij për fshirje materialesh, por thjesht për kopjimin e disa imazheve që i janë dhënë Gardës së Republikës.
Rrëzohet kërkesa e Llupos për lirim, avokati: Gjykata është e
njëanshme
Gardisti i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit, padi për afatin.

TIRANE – Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën për lirim të Agim Llupos, gardistit të akuzuar për vrasje në demonstratën e 21 janarit 2011. Llupo akuzohet nga prokuroria si personi që ka qëlluar mbi Ziver Veizin. Ndonëse prej një viti në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndaj tij nuk është ngritur zyrtarisht akuzë. Madje, gjatë kësaj kohe ai është pyetur vetëm një herë nga ana e organit të hetimit. “Në një vit nuk më ka ardhur njeri. Dyshimet këta mund t’i bëjnë edhe katër vjet. Vetëm në maj erdhën dy oficerë të Policisë Gjyqësore dhe më thanë që ishte shtyrë afati i hetimit edhe me tre muaj, dhe më treguan një akt. U thashë që ‘pa qenë avokati këtu nuk kam çfarë t’i shoh’. I pashë nja dy nene aty. Kur i pyeta se sa dënohesha me ato nene, ata më thanë: ‘Ç’a të duhet burgu ty? Ty të ka dënuar populli me votë'”, u shpreh Llupo. Më herët avokati i tij mbrojtës kërkoi lirimin e klientit të tij. Sipas avokatit, vendimi gjyqësor i pak ditëve më parë, që kishte zgjatur me tre muaj hetimet ndaj Llupos, ishte marrë në një kohë që paraburgimi e kishte humbur fuqinë. “Brenda afatit njëvjeçar, dosja në ngarkim të personit në hetim, Agim Llupo, nuk është dorëzuar për gjykim. I pandehuri nuk është pyetur asnjëherë nga prokuroria”, u shpreh avokati Fatos Shanaj. Nga ana e tij, përfaqësuesi i akuzës në proces konfirmoi se Llupo nuk është marrë i pandehur. “Është pyetur hollësisht në momentin e parë që është paraqitur në prokurori. Në vijim nuk është pyetur më, pasi nga ana jonë nuk është vlerësuar e nevojshme”, tha prokurori. Në lidhje me kërkesën e Llupos për lirim, prokurori u shpreh se “në momentin që janë zgjatur afatet e paraburgimit, objekti i kësaj kërkese nuk mund të merret në gjykim”. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtari Shkëlqim Mustafa vendosi “rrëzimin si të pabazuar të kërkesës së kërkuesit Agim Llupo me objekt ‘humbjen e fuqisë së paraburgimit'”. Sipas gjyqtarit, pavarësisht se kanë kaluar afatet, shkaqet për të cilat avokatët kërkojnë lirinë nuk legjitimohen. I njëjti gjyqtar, tri ditë më parë pranoi kërkesën e organit të akuzës për zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve në ngarkim të Agim Llupos. ar.ba
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











