Nisi dje Festivali i Filmit Europian në Shqipëri. Prej ditës së djeshme, deri në datën 8 maj, në kinema “Milenium” do të shfaqen një seri filmash të zgjedhur. Janë 14 filma nga 10 shtete anëtare të BE-së që do të shfaqen çdo ditë në orën 18:00 dhe 20:30. Në datën 5 maj do të jetë i pranishëm edhe regjisori i njohur italian, Marco Bellocchio, filmi i të cilit, “Vincere”, do të projektohet në orën 20:30. Siparin e festivalit e çeli filmi danez, “In a Better World”, fitues i çmimit “Oscar” dhe “Golden Globes” në vitin 2010 si filmi më i mirë i huaj. Një prodhim danez me regji të Susanne Bier dhe skenar të Anders Thomas Jensen dhe Susanne Bier. Në rolet kryesore interpretojnë Mikael Persbrandt, Trine Dyrholm dhe Markus Rygaard. Në orën 20:30 festivali vijoi me filmin “Der Ganz Grobe Traum” (“Leksione për një ëndërr”), një film gjerman me regji të Sebastian Grobler, i cili ka shkruar edhe skenarin së bashku me Philipp Roth. Në rolet kryesore luajnë Daniel Brühl, Burghart Klaußner dhe Thomas Thieme. Të tjerë filma që do të shfaqen janë “Welcome” dhe “25 kilates”, “Tales from the golden age”, “Tutta colpa della musica”, “Mariage a trois”, “Wintertochter “ si dhe dokumentari “Armadillo”.
Kalendari i projeksioneve
“Welcome”, sot në orën 18:00. Prodhimi francez i vitit 2009 është drejtuar nga regjisori Philippe Lioret. Në rolet kryesore luajnë: Vincent Lindon, Firat Ayverdi dhe Audrey Dana. “Welcome” tregon për Bilalin, i cili është një djalë kurd 17-vjeçar nga Iraku, i cili fillon një aventurë nëpër Europë. Filmi është vlerësuar me 10 çmime dhe 12 nominime në festivale të ndryshme europiane.
“25 kilates”, sot në orën 20:30. Trilleri 86-minutësh është një prodhim spanjoll mjaft i vlerësuar. Është shkruar dhe drejtuar nga Patxi Amezcua dhe në rolet kryesore interpretojnë: Francesc Garrido, Aida Folch dhe Manuel Morón. Filmi tregon historinë e një burri që ëndërron të bëjë një jetë të qetë me të birin në një shtëpi në bregdet, por vdekja e gruas së tij në një aksident do të përmbysë gjithçka.
“Guiness”, 4 maj, ora 18:00. Aksion, komedi dhe dramë, një prodhim grek i vitit 2009. Drejtohet nga regjisori Alexis Kardaras, i cili së bashku me Nikos Panayotopoulos ka shkruar edhe skenarin. Në rolet kryesore luajnë: Giorgos Pyrpassopoulos, Markella Giannatou dhe Stelios Mainas.
“The intruder”, 4 maj, ora 20:30. Një prodhim belg i vitit 2005. Drejtuar nga Frank van Mechelen dhe shkruar nga Ward Hulselmans. Në rolet kryesore” Koen De Bouw, Filip Peeters dhe Axel Daeseleire. Filmi tregon historinë e Tom Vansant një fizikan nga Brukseli, i cili vihet në kërkim të vajzës së tij, të larguar nga shtëpia dhe të humbur prej 18 muajsh.
“Attack the Block”, 5 maj, ora 18:00. Një prodhim anglez i vitit 2011. Në historinë e tij ai shënon 13 çmime dhe 22 nominime, përfshirë edhe nominimin për Bafta. Filmi është shkruar dhe drejtuar nga Joe Cornish, ndërsa në rolet kryesore luajnë: John Boyega, Jodie Whittaker dhe Alex Esmail.
“Vincere”, 5 maj, ora 20:30. Me 28 çmime dhe 25 nominime është vlerësuar filmi “Vincere” vepër e Marco Bellocchio-s. Prodhim i vitit 2009 është një rrëfim biografik dhe dramatik i së dashurës sekrete të Musolinit, Ida Dalser, dhe djalit të tyre Albino. Filmi do të shfaqet në Tiranë në prani të regjisorit Marco Bellocchio.
“Sonny Boy”, 6 maj, ora 18:00. Në 130 minuta rrëfehet drama e një historie të pamundur dashurie, bazuar në një ndodhi të vërtetë. Regjia e filmit është nga Maria Peters ndërsa skenari nga Annejet van der Zijl.
“Tales from the golden age”, 6 maj, ora 20:30. Disa nga legjendat urbane të Rumanisë komuniste janë dramatizuar në këtë film ku përzihet komedia dhe historia. Drejtuar nga Hanno Höfer, Razvan Marculescu dhe shkruar nga Cristian Mungiu, filmi ka për protagonistë: Diana Cavallioti, Radu Iacoban dhe Vlad Ivanov.
“Tutta colpa della musica”, 7 maj, ora 18:00. Komedia italiane e vitit 2011 është drejtuar nga Ricky Tognazzi dhe shkruar nga Simona Izzo, Silvia Ebreul, Leonardo Marini, filmi tregon historinë e një burri 55 vjeçar, i cili përjeton një histori të dytë. Në rolet kryesore: Ricky Tognazzi, Elena Sofia Ricci, Stefania Sandrelli, Marco Messeri.
“Mariage a trois”, 7 maj, ora 20:30. Komedia franceze e vitit 2010 është drejtuar nga Jacques Doillon dhe ka për protagonistë: Pascal Greggory, Julie Depardieu, Louis Garrel.
“Wintertochter”, 8 maj, ora 18:00. Filmi është drejtuar nga Johannes Schmid dhe shkruar nga Michaela Hinnenthal e Thomas Schmid. Në rolet kryesore luajnë Nina Monka, Ursula Werner dhe Leon Seidel.
“Armadillo”, 8 maj, ora 20:30. Një dokumentar mbi luftën në Afganistan, duke ndjekur trupat holandeze te vendosura shumë pranë pozicioneve talebane. Dokumentari është drejtuar nga Janus Metz Pedersen dhe shkruar nga Kasper Torsting. Prodhimi I viti 2010 ka fituar 6 çmime dhe 2 nominime.











