Merr fund lidhja mes Rozana Radit dhe Mc Kreshës

Jul 15, 2012 | 13:47

Çifti që e shiti në media këtë lidhje si dashurinë e shekullit, tani kërkojnë që t’i lëmë rehat dhe të merremi vetëm me karrierën e tyre.

Duket se historia e dashurisë së Rozana Radit dhe reperit nga Mitroviva, Mc Kresha, kaq e pati. Site-t e njohura kosovare kanë shkruar këto ditë për ndarjen e çiftit që u mediatizua sidomos gjatë festivalit “Kënga Magjikë 2011”, ku ata konkurruan me një duet me titullin “Jabadabadu”. Për ta ligjëruar edhe më shumë lidhjen e tyre, që në këtë rast do u shërbente për të shtrirë terrenin e fansave si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ata e bënë këngën klip, ku shfaqeshin si çift në të njëjtin shtrat, ndërsa Rozi i bënte dalje Kreshës, duke i hedhur edhe veshjet nga ballkoni. Ndërkohë që ato mosmarrëveshje të pasqyruara në klip duket se kanë ndodhur vërtet mes tyre, pasi thuhet se janë ndarë që para tre muajsh edhe pse nuk u intereson që të flasin për ndarjen hapur në media. Të pyetur të dy nga gazeta “Panorama” për të vërtetën mes tyre, ata kanë preferuar t’i bëjnë bisht rrëfimit se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, që nuk janë më bashkë. Mc. Kresha nuk e ka mohuar ndarjen, duke kërkuar që më mirë interesi i shtypit të përqendrohet te muzika dhe karriera e tij, sesa te lidhja e përfunduar me Rozin. Nga ana tjetër, Rozi i është përgjigjur me nervozizëm pyetjes, duke kërkuar që ta lënë të qetë, sjellje që tregon se ajo po kalon momente jo të mira.
Por duket se të dy, në këtë rast preferojnë të mos flasim për jetën private dhe lidhjen e tyre, nga që kjo gjë nuk u intereson. Ndërsa kur kjo lidhje u duhej për të fituar më shumë pikë në një garë mes këngëtarësh, si te “Kënga Magjike”, ishin gati madje edhe të martoheshin publikisht,  ndërsa bëhet fjalë për një garë për të fituar më shumë popullaritet, duke shitur imazhin e çiftit të dashuruar marrëzisht. Gjithsesi, dihet që çdo fillim e ka një fund, dhe ndoshta fundi i lidhjes së tyre nuk do të jetë fundi i botës për ta. Edhe vetë këngëtarët ndoshta po heshtin me strategji. E si dy persona që i kanë mësuar tashmë mirë truket e tregut të muzikës, nuk u intereson që të dalin e të flasin në media për ndarjen e tyre, e aq më tepër të nxjerrin vrer ndaj njëri-tjetrit. Kjo jo për faktin se po e kursejnë njëri-tjetrin, por sepse një scoop i tillë i pohuar me gojën e tyre, do u prishte punë me koncertet, sepse do u largonte vemendjen nga ajo çka ju intereson të dyve në këto momente, pasi ne e dimë mirë se këngëtarët presin verën për të punuar. Ata, po ashtu i janë shmangur kësaj përballjeje mediatike, duke u zhdukur fare nga ekrani. Rozana, e  cila zakonisht nuk mungon në programet përmbyllëse televizive të sezonit, këtë herë ka refuzuar të jetë e pranishme, siç ndodhi me emisionin e fundit “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, ku ajo nuk ka munguar asnjëherë. Historinë e dashurisë së Rozanës me Mc.Kreshën e botoi për herë të parë “Panorama Plus”, pasi ata u shfaqën hapur, duke bërë skena intime në plazhin e Himarës. Më vonë, ata u përpoqën ta fshihnin lidhjen, derisa në një moment, pasi i ranë lapsit, e menduan më pozitive ta bënin publike lidhjen, sesa ta mbanin sekret. Lidhja u komentua më shumë për faktin se Rozana ishte 5 vite më e madhe se Mc.Kresha, ndërkohë që u vunë në diskutim ndjenjat ndaj njëri-tjetrit nga skeptikët. Në tregun shqiptar të muzikës, kjo nuk është hera e parë që dy këngëtarë lidhen me njëri-tjetrin, dhe po ashtu nuk është hera e parë, që ata ta mohojnë lidhjen për një periudhë, pastaj të bëjnë të pamundurën që t’i bëjnë publicitet në media, e më pas të heshtin apo ta mbajnë të fshehtë ndarjen, pasi një deklarim i tillë u prish punë me fansat. Kështu ka ndodhur me Flori Mumajesin e Soni Malaj, apo dhe çifte të tjera të njohura, që pas bujës së madhe të krijuar si çift, e kanë kaluar ndarjen në heshtje. Nuk e dimë sesa në heshtje do e kalojnë Rozi dhe Kresha, ndërkohë që nga ekrani ata kishin dhënë sinjale se do përfundonin me martesë.  Fiks pas një viti, lidhja e tyre merr fund dhe ne jemi kuriozë të dimë edhe për sa kohë do sforcohen të dy duke bërë sikur s’ka ndodhur asgjë.

© Panorama.al

Te lidhura