FIFA miraton përdorimin e teknologjisë në futboll

Jul 5, 2012 | 19:53

ZYRIH- Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke njoftoi sot zyrtarisht miratimin për përdorimin e teknologjisë në futboll në rastet e golit.

Sistemi i zgjedhur do të përdoret fillimisht në botërorin e klubeve në Tokio, nëse nuk do të ketë probleme do të vazhdojë në Kupën e Konfederatave në 2013, dhe më pas në Kampionatin Botëror të Futbollit në Brazil në 2014.

Ky është vendimi më i rëndësishëm i marrë nga Bordi Ndërkombëtarë (IFAB) në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme, mbajtur në selinë e FIFA-s sot  në Zyrih.

Në mbledhje janë marrë gjithashtu edhe vendime të tjera të rëndësishme. Veçojmë miratimin për vazhdimin e punës edhe nga dy asistentët pranë portës, pas një periudhë prove në kompeticione të ndryshme në Ligën e Kampionëve, në Europa Ligë dhe në Euro 2012.

Po ashtu, është rënë dakord që femrat mund të luajnë edhe të mbuluara, në qoftë se ata dëshirojnë për arsye fetare. Më tej do të vendoset për detaje të tjera, lidhur me veshjen, ngjyrat etj.

Vendimet janë marrë në mënyrë unanime.

© Panorama.al

Te lidhura