FIER – Vret veten me armë gjahu 19-vjeçari. Marsel Dede, banor i fshatit Libofshë të Fierit, u vetëflijua në orët e para të ditës së martë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, në banesën e familjes Dede. Pikërisht rreth kësaj ore, të afërm të Marselit kanë dëgjuar një të shtënë arme dhe të terrorizuar kanë shkuar pranë vendit nga erdhi zhurma. Kur kanë mbërritur aty, kanë parë të shtrirë në tokë, me plagë në kraharor 19-vjeçarin, i cili ishte në gjendje të rëndë. Menjëherë familjarët e kanë shoqëruar atë drejt spitalit të qytetit të Fierit, por me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët, i riu nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Vetë bluzat e bardha kanë pohuar se Marsel Dede është paraqitur në mjediset e urgjencës së Fierit me plagë të rëndë, e cila ishte shkaktuar nga goditja me armë gjahu në distancë fare të vogël. Mjekët kanë pohuar se u bë gjithçka ishte e mundur për të mbajtur në jetë djalin, por çdo tentativë rezultoi e kotë. Në të njëjtën kohë, pranë banesës së familjes Dede, në Libofshë, mbërritën forca të shumta policore, të cilat nisën hetimet për zbulimin e motivit që e çoi 19-vjeçarin në vetëvrasje. Pistat e hetimit janë të shumta, ndërsa nga policia deklarohet se kanë qenë motivet e dobëta. Familjarët e tij kanë thënë për policinë se djali ishte tip i mbyllur dhe nuk hapej shumë me të tjerët, megjithatë, nuk u kishte shkuar në mendje deri në këtë vendim ekstrem të tij. m.r.











