
Të vrasësh burrin me vaj të nxehtë nuk është vetëm një mënyrë e përmendur në legjenda urbane, por realitet.Një grua 55-vjeçare, në grindje e sipër me të shoqin 61 vjeç, ia hodhi vajin e tiganit në fytyrë e trup, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja makabre, e rrallë për nga mjeti i përdorur, është shënuar mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit të Fierit, pikërisht në lagjen “11 Janari”. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se çifti Dallëndyshe dhe Xhelo Kasa janë konfliktuar fillimisht me njëri-tjetrin dhe më pas gjithçka ka precipituar vetëm brenda pak minutave. Mësohet se gruaja e irrituar është përleshur me të shoqin pas një debati të ashpër, duke i hedhur në fytyrë dhe trup vajin, të cilin e kishte në tigan për të gatuar mëngjesin.
Skena e krimit ka zgjatur vetëm pak minuta. Burri ka humbur jetën pa asnjë mundësi për dhënien e ndihmës së shpejtë, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shkaktuara nga vaji i nxehtë dhe asfiksia prej lëndës djegëse. Sapo kanë dëgjuar zhurmën dhe të bërtiturat e gruas, në banesë kanë hyrë fqinjët, të cilët kanë parë edhe masakrën e shkaktuar nga nervat momentale. Menjëherë është njoftuar policia e Fierit, e cila mbërriti me urgjencë në banesën e çiftit. Gruaja, e rënduar psikologjikisht, është gjetur mbi trupin e pajetë të të shoqit, edhe ajo me plagë të shumta, ndërsa situata i kishte dalë jashtë kontrollit. Blutë bëjnë me dije se gruaja vetëm bërtiste dhe qante, ndërsa kishte shumë shenja në trup dhe duar, shenja në trup nga përleshja dhe djegie në duar nga vaji. Menjëherë është bërë transportimi i gruas për në spitalin e Fierit, aty ku ajo është shtruar në reanimacion dhe ndodhet në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike. Ndërkohë, trupi i pajetë i kryefamiljarit është transportuar për në morgun e spitalit për të kryer ekspertizën kriminalistike. Vaji e ka dëmtuar më se shumti në fytyrë, por e ka djegur po ashtu edhe në pjesën e parme të trupit dhe në shpatulla. Mësohet se burri ka qenë gjysmë i zhveshur dhe vaji i ka shkrumbuar çdo pjesë lëkure që ishte pa rroba. Tragjedia familjare, sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, ndodhi dje, në orën 08:30, kur çifti sapo ishte zgjuar. Në banesë ishin vetëm

Dallëndyshja dhe Xhelo, pasi vajza që jetonte me ta kishte shkuar tek të afërmit që prej së hënës. Çifti Xhelo dhe Dallëndyshe Kasa kishin tre fëmijë të rritur, nga të cilët dy jetonin më vete, larg prindërve, në emigracion. Me ta jetonte vetëm vajza 20-vjeçare. Fqinjët dhe të afërmit thonë se familja jetonte në kushte të një ekonomie të rënë. Ata nuk punonin, me përjashtim të ndonjë tregtie të vogël që bënte gruaja, por edhe kjo ishte e përkohshme. Mësohet se çifti Kasa ka pasur debate të herëpashershme edhe për shkak të problemeve ekonomike, por edhe pasi kryefamiljari kthehej i dehur në shtëpi në të shumtat e rasteve. Familja Kasa ishte shpërngulur 13 vite më parë nga fshati Aranitas i Balshit, për të jetuar me një qira simbolike në Fier. Sipas disa të dhënave, çifti ka pasur debate edhe një natë para krimit, për para që u duheshin pasi nuk mund të siguronin dot bukën e javës dhe ushqimet. Gruaja i ka kërkuar burrit të mira materiale, ndërsa e ka akuzuar se ai nuk ka punuar as kur ishte më i ri dhe se ishte kjo arsyeja që familja e tyre dergjej në mjerim edhe sot e kësaj dite. Për shkak se kryefamiljari kishte qenë i dehur mbrëmjen e së mërkurës, debati ishte shtyrë për në mëngjes. Sapo janë zgjuar, Dallëndyshja ka nisur t’i kërkojë llogari për faktin se ai kishte ardhur prapë i dehur në shtëpi. Ajo i ka thënë atij që mos e përsëriste më këtë, pasi nuk po e shtynte dot të jetonte në këto kushte. Ajo madje i ka thënë të shoqit, çka është dëgjuar nga fqinjët, se do të vriste veten nëse gjendja nuk ndryshonte. Pas kësaj nisën fyerjet dhe përleshjet deri në finalizimin makabër.
Gruaja
Sipas policisë, mbi gruan do të rëndojë akuza e vrasjes me paramendim në rrethana të rënda. Ndërkohë, në spital dy policë i qëndrojnë gruas pranë, duke e mbajtur në gjendje arresti. Pasi është qetësuar pak gruaja, policia ka mundur ta pyesë rreth ngjarjes. Ajo ka shfaqur shenja pendese dhe është shprehur se nuk donte që kjo të ndodhte. Duke parë se 55-vjeçarja është rëndë psikologjikisht, pyetjet më të detajuara pritet t’i bëhen kur ajo të jetë më mirë nga ana shëndetësore. Mësohet se ajo ka kërkuar të shkojë në varrimin e të shoqit.
Vrasja me djegie, rast i rrallë
Mjekët e spitalit të Fierit, por edhe informacionet brenda autoriteteve policore dhe të prokurorisë, tregojnë se ky rast shokues mbetet i vetmi në llojin e vet. Sipas këtyre të dhënave, në gjithë këto vite tranzicion nuk ka pasur vrasje të këtij lloji. Ky rast ka shokuar, me sa duket, edhe organet kompetente vendore, të cilat e përcaktuan krimin me akuzën e vrasjes me paramendim në rrethana rënduese. Mjekët thonë se vdekja i ka ardhur nga asfiksia, pasi djegies së fytyrës.
Depresioni i autores
Ende nuk ka asnjë konfirmim nga policia nëse gruaja është e sëmurë mendërisht apo jo. Të dhënat e para për blutë tregojnë se gruaja asnjëherë nuk është mjekuar dhe as paraqitur në spital për të marrë mjekime. Vetëm tri orë pas ngjarjes, 55-vjeçarja është marrë në pyetje dhe nga përgjigjet nuk dukej e sëmurë, vetëm e tronditur për shkak të ngjarjes. Familjarë të viktimës kanë thënë dje nën zë se gruaja kishte probleme mendore, por që pritet të verifikohet nga mjekët.
Fqinjët: Grindeshin shpesh, s’kish si përfundonte ndryshe
FIER – Kanë qenë fqinjët ata që duket se janë përfshirë më shumë në rastin e rrallë “Kasa”. Ata i kanë njohur shumë më tepër se sa dinin familjarët e çiftit, për arsye se dëgjonin gjithçka që ndodhte brenda familjes për hir edhe të bashkëjetesës në një pallat, pas ish-Shtëpisë së Oficerëve. Faslli Lutaj dhe Beqar Mushaj tregojnë të tronditur mbi atë që panë.
Si u njohët me ngjarjen?
Eh! Ç’të them. Ne e dinim që nuk kishte si të përfundonte ndryshe. Ata kështu bënin tërë kohës, nuk ishin stabël. U mungonte harmonia në familje. Sot dëgjuam ulërimat e të dyve kur po rriheshin dhe zbritëm, por ishte shumë vonë. Ai po jepte shpirt shtrirë në shesh dhe i shpërfytyruar, ndërsa ajo i qe shtrirë mbi trup dhe e qante. Ishte një skenë tronditëse. Ishin të djegur të dy shumë keq. Nuk kisha parë kështu as në filma, edhe pse po vete 70 vjeç. (thotë Faslliu).
Çfarë bëtë? U munduat t’i flisni gruas?
Jo, ajo s’na dëgjonte fare. Vetëm ulërinte mbi trupin e burrit. Njoftuam policinë. I pashë pulsin Xhelos, por ishte thuajse i vdekur. Pastaj erdhi ambulanca dhe mjekët na thanë që ai kishte ndërruar jetë. Ajo u çua me ambulancë në spital në gjendje të rënduar edhe psikologjike.
Si e njihnit çiftin Kasa, sidomos gruan?
Ajo kishte problemet e saj. Ishte një grua e lodhur nga jeta. E varfër. Kishte shqetësime edhe psikologjike, se me halle ishte një jetë të tërë, qëkur i njoh unë. Nuk mendoj se e bëri se e kishte menduar këtë gjë.
Zoti Mushaj, thuhet që Dallëndyshja ishte duke gatuar në ato momente. Patë gjë ju, apo kur shkuat gjetët vetëm dy viktimat e sherrit?
Ata janë zënë në moment, se kur hyra unë ishte shumë nxehtë brenda dhe në korrent ishte soba e gatimit. Në krah të saj ishin dy vezë dhe tigani ishte hedhur në shesh, pranë këmbëve të burrit. Brenda mbante erë mishi të pjekur. Jam tmerruar. Ishin djegur të dy ata. Gjithçka ishte e frikshme. Nuk do më hiqet nga mendja kjo ditë. Ky është mallkim i Zotit.
Punonin Dallëndyshja me Xhelon, apo jo? Po fëmijët a e ndihmonin familjen?
Ata nuk punonin. Ajo shiste ndonjë arkë me banane, por edhe këtë e bënte kur i thoshte mendja. Nuk ishte stabël fare më dukej mua. Ndërsa fëmijët? Eh, po sa do të ndihmojnë fëmijët? Ata kishin jetën e tyre, hallet e tyre. S’di ç’të them.
Kishte pasur tentativa të tjera për ta vrarë të shoqin Dallëndyshja, apo edhe ai gruan e tij?
Jo, jo. Ata vetëm ziheshin me fjalë, por fyheshin e shaheshin deri në fjalën e fundit. Ai ishte i alkoolizuar në të shumtën e rasteve. Vajza ndërhynte që t’i qetësonte gjithmonë. Por sot ajo nuk ishte fare aty. E kanë marrë njerëzit e saj për pushime.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











