Një 15-vjeçare i dha fund jetës dje duke u vetëvarur vetëm pak minuta para se të nisej për në shkollë. Ngjarja që tronditi familjen e saj në fshatin Kallm i Vogël të komunës Mbrostar, në rrethin e Fierit, mbetet ende mister për policinë. Mësohet se familjarët e kanë gjetur mëngjesin e djeshëm 15-vjeçaren me inicialet C.B., të vetëvarur brenda në banesë. Sipas dëshmisë së dhënë nga prindërit e adoleshentes, ajo ishte ngritur që në orët e para të mëngjesit dhe madje, para se t’i jepte fund jetës, kishte bërë edhe disa punë shtëpie. Më pas, ajo ishte përgatitur për të shkuar në shkollën e fshatit, ku ishte nxënëse në klasën e nëntë. Por teksa prindërit menduan se ajo po vishej për të shkuar në shkollë, 15-vjeçarja ka kryer edhe aktin e vetëflijimit. Vonesa e saj ka shqetësuar prindërit, të cilët pasi e thërritën disa herë dhe nuk morën përgjigje, shkuan në dhomën e saj për të parë se çfarë kishte ndodhur. Por ata janë përballur me ngjarjen tragjike, vajzën e tyre të vetëvarur në pjesën e pasme të derës. Të tmerruar nga ngjarja e rëndë, ata kanë nxituar ta heqin nga litari që kishte përdorur për t’i dhënë fund jetës dhe e nisën me urgjencë drejt spitalit të Fierit. Por për mjekët ishte tepër vonë, pasi ata vetëm sa u kanë konfirmuar familjarëve se adoleshentja nuk kishte shenja jete.
Policia e Fierit nisi hetimet për ngjarjen e rëndë, por ende nuk ka të dhëna për motivin që mund ta ketë çuar 15-vjeçaren drejt vetëvarjes. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e viktimës, por ata kanë ngritur supet, duke pohuar se nuk kishin dijeni për asnjë problem që mund të ketë pasur vajza e tyre. Policia ka marrë në pyetje mësues dhe nxënës të shkollës ku mësonte viktima. Por as ata nuk kanë dhënë detaje që mund të zbardhin motivin e aktit ekstrem. Sipas burimeve të Policisë, mësuesit e shkollës kanë mohuar që ngjarja të ketë motiv ndonjë notë jo kaluese apo ndonjë zënke të saj me arsimtarët apo nxënës të tjerë të shkollës. Sipas Policisë, mësuesit e shkollës në fshatin Kallm i Vogël kanë pohuar për grupin e hetimit se nxënësja e tyre, C.B., kishte nota të mira dhe se nuk ishte aspak tip i ndrojtur apo i tërhequr, çka mund të ketë ndikuar në ndonjë ngarkesë emocionale të momentit. Ata e kanë paraqitur 15-vjeçaren si një vajzë mjaft inteligjente dhe bashkëvepruese me bashkëmoshatarët e saj, duke mohuar kështu faktin se motiv i vetëvarjes mund të ishte ndonjë konflikt apo notë e keqe në shkollë. Meqenëse vajza e vetëvarur është në moshë adoleshente, grupi i hetimit është fokusuar edhe në ndonjë lidhje të mundshme të saj, por nuk ka asnjë të dhënë deri më tani, që mund të çojë hetimorët drejt kësaj piste. Edhe familjarët e saj e kanë mohuar një fakt të tillë. Policia po heton edhe ndonjë konflikt të mundshëm familjar që mund t’i ketë shkaktuar viktimës tronditje psikologjike. Edhe pse është kontrolluar banesa, asnjë shenjë nuk është gjetur që të jepte ndonjë arsye për vetëflijimin e adoleshentes.











