Fier, vdesin në aksident fëmija 8 vjeç dhe një i ri

Sep 14, 2012 | 11:59

FIER – Dy të vdekur në harkun e 24 orëve në qarkun e Fierit. Njëra nga viktimat është një e mitur 8 vjeçe, ndërsa viktima tjetër, 20 vjeç. Sipas Policisë, në fshatin Shënepremte të Divjakës është aksidentuar për vdekje një fëmijë 8 vjeç. Vajza e mitur me inicialet A. H. është përplasur në vendin e quajtur rreth-rrotullimi i Çermës. Drejtuesi i mjetit tip “Benz” 270 clk, me targë AA 403 B, Arben Korreshi, u arrestua pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën rreth orës 13:30. E mitura ka qenë duke kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, por shpejtësia e mjetit me të cilin lëvizte drejtuesi Korreshi e ka bërë të pamundur shmangien e aksidentit fatal. Ndërkaq, një aksident rrugor i ka marrë jetën edhe një 20-vjeçari nga fshati Verbas i Fierit. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 së të mërkurës në rrugën Sheqishtë-Verbas, ku një motor u përplas me një benz. Për pasojë, mbeti i vdekur 20- vjeçari Edlir Lushnjari, i cili udhëtonte si pasagjer në motor. Policia bëri të ditur se motori drejtohej nga shtetasi Plarent Prifti, 25 vjeç. Ky i fundit deklaroi për Policinë se një person i ka dalë përpara në rrugë dhe i është dashur të manovrojë. Por më pas ka humbur kontrollin dhe është përplasur me makinën tip “Benz”. Blutë morën në pyetje edhe 17- vjeçarin që në atë moment ka qenë kalimtar. “Drejtuesi i makinës me targë FR 3720 B, Hysen Hoxha, ka ndaluar duke e çuar në spital të riun, por mjekët konstatuan se viktima kishte ndërruar jetë”, bëri të ditur Policia.                    m.r

© Panorama.al

Te lidhura