
FIER- E premte e zezë për familjen Ismaili. Katër veta, prindërit dhe dy djemtë humbën jetën në një aksident tragjik që u shënua mbrëmjen e djeshme në rrugën nacionale Fier- Tepelenë. Makina me 5 udhëtarë brenda doli nga rruga, pranë fshatit Mollas . Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme.
Mësohet se automjeti tip “Wolksvagen” me targa italiane, me të cilin po udhëtonte familja Ismaili nga fshati Gorishovë e rrethit të Fierit, ka dalë nga rruga kur po përshkonte aksin përgjatë autostradës Levan-Tepelenë. Dalja nga rruga, sipas policisë mendohet të jetë shkaktuar nga zhavorri, i cili ishte hedhur në rrugën në të cilën po vijojnë punimet e autostradës. Si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit, 55-vjeçarit Pëllumb Ismaili, makina ka bërë disa saltro, duke përfunduar e copëtuar në anë të saj. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë. Paraprakisht u pohua se kishte vetëm 1 viktimë dhe 4 të plagosur, por shumë shpejt u mësuan dhe faktet e rënda.
Sipas policisë, veç drejtuesit të mjetit, në vend ka humbur jetën dhe bashkëshortja e tij 52-vjeçare, Anife Ismaili. Me shpejtësi janë transportuar për në spital dy djemtë e viktimave dhe e fejuara e njërit prej tyre. Pak minuta më vonë, mjekët dhe policia ka konfirmuar vdekjen e të djemve të familjes Ismaili, Ajeti dhe Artani, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç. Ndërkohë që e plagosur ka mbetur edhe e fejuara e djalit të madh, Suela Ismaili, e cila është në gjendje kritike për jetën.
Mësohet se familja Ismaili kishte qene në Përmet për të kaluar një drekë në këtë zonë dhe po kthehej për në fshatin e tyre, në Gorishovë, por jeta u është ndërprerë pikërisht në fshatin Mollas. Policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka deklaruar se po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, burime jozyrtare thanë se kalimi në këtë zonë është i ndaluar të kalohet, pasi është kantier ndërtimi dhe në rrugë kanë qenë tabelat paralajmëruese. E plagosura është shoqëruar për në Spitalin e Ballshit që të marrë ndihmën mjekësore, por mjekët nuk dalin garant për jetën e saj, për shkak të plagëve të marra në kokë dhe trup.
MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











