
FIER – Dy të rinj u plagosën rëndë gjatë një sherri mes dy grupeve të zhvilluar mbrëmë në qytetin e Fierit. Të paktën këto janë të dhënat e para mbi ngjarjen që ka vënë në rrezik jetën e dy djemve me inicialet Xh.V., 21 vjeç dhe J.R., 19 vjeç. Sipas të dhënave të Policisë, plagosja e dyfishtë ndodhi rreth orës 22:00, në afërsi të godinës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve. Dyshohet se dy grupe u përplasën mes tyre në një grindje që precipitoi në nxjerrjen e armëve. Mësohet se 21-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë, ndërsa 19-vjeçari me një thikë. Të dy ata janë gjetur të plagosur në rrugë, duke u transportuar menjëherë drejt urgjencës së spitalit të qytetit të Fierit. Mjekët pohuan se gjendja e dy të rinjve është kritike. Për shkak se dy personat i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, policia e ka pasur të pamundur të marrë dëshminë e tyre. Duke u bazuar në rrethanat e ngjarjes, dyshohet se veç tyre ka pasur të tjerë persona të përfshirë në këtë ngjarje me dy të lënduar. Megjithatë, në Komisariatin e Policisë nuk ka pasur të ndaluar deri rreth mesnatës. m.r











