
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon sekuestrimin e pasurive të një shqiptari nga Fieri, të akuzuar për trafik kokaine në Angli. Sipas hetimit pasuror të bërë nga Prokuroria, dyshohet se Fatos Hamzaraj, nga Fieri, i akuzuar për trafik kokaine në Londër, nëpërmjet familjarëve të tij (Teferi, Arsen, e Pellumb Hamzaraj) ka kryer transferta të dyshimta në llogaritë e tyre. Prokuroria thekson se transferimi i shumave nga Anglia në Shqipëri është bërë me qëllim mbulimin e prejardhjes së këtyre fitimeve dhe për pastrimin e produkteve të veprës penale të trafikut. Bazuar në ligjin shqiptar antimafia, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime edhe ndaj të afërmve të personit të akuzuar për trafikim narkotikësh. Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka arritur në konkluzionin se produkt i fitimeve të ardhura nga trafiku i kokainës në Angli ka qenë një apartament me sipërfaqe 120.50 m2, në qytetin e Fierit, me adresë lagja “Kastriot”, rruga “Vasil Peçuke”, pallat 12-katësh. Sipas hetimit, apartamenti në fjalë ishte blerë më 15 janar 2009, nga Teferi Hamzaraj, në shumën prej 48.000 eurosh. Po kështu, hetimi pasuror ka gjetur pasurinë truall, me sipërfaqe 782 m2, me numër regjistri hipotekor nr.242, datë 27/12/2010, në emër të Teferi Hamzaraj. Në vazhdim të hetimeve, Prokuroria arriti të identifikojë edhe pasurinë tjetër: një karburant me sipërfaqe 136 m 2, ndërtuar pas miratimit të sheshit të ndërtimit nga KKRT-ja e komunës Cakran. Për këtë pasuri, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e gjithë pronës, përfshi ambientin bosh, ambientin garazh, palestrën që gjendet ngjitur me garazhin, ambientin bar-kafe, si dhe të gjitha pajisjet brenda tyre. Në përfundim të kërkesës së saj, Prokuroria i kërkon Gjykatës që pas sekuestrimit të pasurive në fjalë të caktojë një administrator nga shteti për menaxhimin e pasurive, me qëllim vjeljen e të ardhurave në arkën e shtetit.











