
Ekzekutohet me thikë kambisti 55-vjeçar. Etem Spahiu kishte shpëtuar i plagosur nga një atentat që iu bë një vit më parë, por goditjet me thikë pasditen e djeshme i morën jetën.Autori i krimit është një 25-vjeçar nga Roskoveci, i cili tentoi vetëvrasjen me të njëjtën thikë të gjakosur pasi qëlloi Spahinë.
Ngjarja makabre u regjistrua në vendin e quajtur “Banka e vjetër”, në rrethrrotullimin që të çon drejt qytetit naftëtar të Patosit. Vrasja, sipas të dhënave të para të policisë, ka ndodhur pas një konflikti mes viktimës dhe autorit Dilaver Adushaj. Dëshmitarët deklaruan dje se kanë parë që autori tentonte t’i rrëmbente çantën me para, por policia pohoi në mbrëmje se krimi ka lidhje me motive të tjera, ende të pasqaruara.
Vrasja e kambistit
Pasditen e djeshme, Etem Spahiu ka qenë si zakonisht në vendin e tij të punës, në lagjen “1 Maj”, në cep të urës që të çon drejt vendqëndrimit të autobusëve të qytetit të Patosit. Mësohet se kambistit, i cili e ushtronte këtë profesion prej vitesh, i është afruar një i ri, i cili e ka kërcënuar fillimisht me fjalë dhe më pas ka nxjerrë nga brezi një thikë. Askush nuk e ka dëgjuar debatin, por dëshmitarë pranë vendit kanë treguar për policinë se autori Dilaver Adushaj i tërhiqte çantën që kishte në duar kambisti Spahiu. Ky i fundit nuk e lëshonte, duke e tërhequr me forcë drejt vetes. Gjatë përleshjes fizike, 25-vjeçari e ka qëlluar disa herë me armën e ftohtë 55-vjeçarin. Kur kambisti është lëshuar përtokë në shenjat e fundit të jetës, atëherë Adushaj e ka lënë, duke hedhur në tokë dhe çantën e parave. Autori është larguar me shpejtësi, ndërsa viktima, baba i tre fëmijëve, ka ecur për pak metra i gjakosur, për t’u rrëzuar përfundimisht i pajetë. Fakti që ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së qytetit ka grumbulluar jo vetëm shumë qytetarë, por sidomos forcat e shumta të policisë. Zona është lokalizuar dhe autori është rrethuar rreth 100 metra larg nga vendi ku ndodhi krimi.
Kërcënimi për vetëvrasje

Me armën e vrasjes së kambistit në dorë, në të cilën dalloheshin shenja gjaku, Dilaver Adushaj ka mbajtur larg forcat e policisë, duke kërcënuar se do të vetëvritej. Më pas, ai e ka ngjeshur majën e thikës në fyt, duke bërtitur se policia duhej ta linte të largohej. Për rreth 1 orë kanë zgjatur negociatat mes uniformave blu të Fierit dhe autorit, por ai nuk dorëzohej. Forcat e pranishme në aksion i afroheshin autorit, duke i treguar se nuk ishin të armatosur dhe se ai duhej të hidhte armët dhe të pranonte të shoqërohej në komisariat. Vetëm pasi ka mbërritur në vend i vëllai i autorit, ka arritur ta bindë që të dorëzohet dhe policia e ka neutralizuar menjëherë. Është bllokuar arma e krimit dhe, bashkë me të vëllain, autori është shoqëruar në komisariatin e policisë.
Motivet e krimit
Bazuar në dëshmitë e personave që kanë parë skenën e fundit mes autorit dhe kambistit, mes tyre ka ndodhur një përleshje për shkak të çantës që mbante në dorë viktima. Ky fakt ka hedhur dyshimet për vrasje pas tentativës për grabitjen e parave të 55-vjeçarit. Por, disa orë më vonë, policia e Fierit me anë të një deklarate për shtyp e cilësoi ngjarjen për motive të dobëta. Sipas burimeve të saj, mes dy personave ka pasur një konflikt të hershëm, por që nuk ishte sqaruar ende. Autori ka qenë në gjendje të tronditur, çka ka vështirësuar dhe vonuar zbardhjen e plotë të krimit.
Autori, 1 orë me thikën në zverk
Dilaver Adushaj, gjatë momenteve kur i bëhej thirrje të dorëzohej, ka mbajtur thikën e puthitur në zverk. Për rreth 1 orë ai kërcënonte se do të vriste veten, nëse nuk e linin të largohej. Gjatë kësaj kohe, ai pinte ujë dhe thërriste fort që nuk dorëzohej dhe se policët duhet të largoheshin që ai të mund të arratisej prej aty. Policia po verifikon dhe nëse 25-vjeçari ka qenë nën efektin e narkotikëve.











