
Tonelata me peshk të ngordhur në zonën e bregdetit të Fierit. Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur mbrëmjen e së hënës sasi të mëdha helmi, që dyshohet se mund të jetë i llojit “Teodan”, (pesticid shumë helmues bujqësor). Sasia e lëndës helmuese është hedhur në ujërat e kanalit të Pojanit dhe atë të Vijës së Ngjalës, të cilët derdhen në detin Adriatik. Për pasojë, një sasi e konsiderueshme me peshk të madhësive të ndryshme është zbuluar mëngjesin e djeshëm i ngordhur nga banorët e zonës. Prej ditës së djeshme, sipërfaqja e ujit në afërsi të detit është mbushur me peshk të ngordhur. Dyshohet se personat përgjegjës për këtë veprim kanë marrë nga ky peshk për t’i tregtuar, por nuk dihet ende se në cilin treg ka përfunduar ai. Banorët e zonës kanë dhënë alarmin për masakrën ujore, ndërsa bëjnë apel për të vënë para përgjegjësisë autorët, pasi nuk është hera e parë që ballafaqohen me një fenomen të tillë, të helmimit masiv të peshkut.

“Kjo histori përsëritet gati një herë në javë në këtë periudhë. Helmimi ndodh në këta muaj, pasi kjo është dhe koha kur peshku del nga deti dhe futet në ujërat e këtyre kanaleve. E kemi denoncuar disa herë këtë fenomen. Është ndotur i gjithë uji. Peshqit kanë ngordhur, por tani që temperaturat janë të nxehta, ndihet kutërbimi i padurueshëm”, u shpreh një banore e zonës. Ajo thotë se edhe autoritetet janë të pafuqishme që t’i ndalin këta persona të papërgjegjshëm që shkaktojnë një masakër të tillë me qëllim përfitimin, duke rrezikuar edhe jetën e shëndetin e konsumatorëve. Autoritetet përkatëse në Fier nuk kanë ndërhyrë për të eliminuar këtë fenomen. Fauna e zonës po shkatërrohet nga këto helmime masive që përsëriten në çdo kohë. Po kështu, të rrezikuar janë dhe gjedhët që pinë ujë në kanalet e helmuara, madje sipas banorëve u kanë ngordhur disa bagëti.
Përballë këtij fakti, as Agjencia e Mjedisit në Fier dhe as Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk kanë reaguar. Përfaqësues nga të dyja institucionet mohuan të kishin dijeni për ngjarjen. “Nuk jemi në dijeni të këtij fakti. Do të inspektojmë zonën e infektuar dhe të helmuar dhe më pas do të marrim masat përkatëse”, deklaruan zyrtarë të të dy institucioneve. Ndërkohë edhe policia nuk ka kryer asnjë procedurë dhe as verifikim. Përballë heshtjes institucionale, më të rrezikuar janë konsumatorët e pambrojtur. Ky peshk, kryesisht qefull, ka si destinacion tregjet e shitjes në Fier.
DSHP-ja: Peshku të mos konsumohet
Nuredin Kallashi, specialist në Drejtorinë e Shëndetit Publik, u shpreh dje se do të kryhen analizat e ujit të ndotur. “Pa u përfunduar analizat e ujit, ne nuk mund të flasim ende për llojin e helmit të përdorur për shfarosjen e peshkut. Në këto kushte, nëse banorët pretendojnë se është përdorur Teodan, është shërbimi veterinar ai që vërteton dhe nxjerr pasojat e këtij helmimi. Në rastin konkret, unë mund të them se peshku i ngordhur nuk lejohet për konsumim”, u shpreh Kallashi.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











