Propozimi i Kryeministrit Sali Berisha për të përfshirë gjuhën kineze në arsimin shqiptar është shoqëruar me batuta dhe ironi nga deputetët e PS-së gjatë punimeve të Parlamentit.

Seanca e djeshme u shoqërua edhe me momente gazmore, teksa deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, ka kënduar një këngë në gjuhën kineze në foltoren e Parlamentit, duke theksuar se propozimet e Kryeministrit do merren gjithnjë seriozisht. “Në mbledhjen e grupit të PS-së, duke i marrë të gjitha iniciativat e qeverisë me seriozitet, na u kërkua që të përçojmë te njerëzit që kinezçja është një gjuhë që duhet mësuar. Dhe unë po përpiqem që me këtë iniciativë po e mbyll fjalën time me një këngë kinezçe, për të treguar që jemi seriozë me nismat e qeverisë dhe i marrim ato në konsideratë”, theksoi Ylli, teksa filloi të këndonte këngën në gjuhën kineze. I kontaktuar nga “Panorama” deputeti i PS-së, Fidel Ylli, tha se: “Kënga flet për arritjet e mëdha nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit”. Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputeti demokrat Flamur Noka ka ironizuar deputetët socialistë për mësimin e gjuhës kineze. “Paske mësuar kinezçen mirë Fidel, të lumtë”, tha deputeti i PD-së Flamur Noka. Por një tjetër deputet i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit për të folur për emergjencat civile dhe duke ironizuar me mësimin e gjuhës kineze. “Një deputet demokrat më thotë me SMS: Jam te lokali kinez, përballë Kuvendit. Po mësojmë kinezçen, siç na ka thënë Marshalli. Deri në fund të muajit, do mësojmë deri në 30 fjalë. Ne po hamë te kinezi deri sa ju të mbaroni me emergjencat në Kuvend”, tha Dalipi, teksa shtoi më tej se: “Tregoni se do të solidarizoheni dhe të bashkëpunojmë për emergjencat, dhe jo të hamë pilaf të kinezi”.











