Fete Kovaçi, bashkëshortja e ish-gazetarit ushtarak Bajram Kovaçi: Im shoq u dënua se akuzoi Enver Hoxhën për masakrën në Çidhën

Aug 27, 2012 | 15:10

Fete Kovaçi në ambientin e shtëpisë së saj. Foto: Vlasov Sulaj

Mes kujtimeve të hidhura dhe pasojave që egërsisht ranë mbi të dhe familjen e saj, Fete Kovaçi risjell në vëmendje 14 vitet e kaluara në internim dhe burgosjen 20-vjeçare të të shoqit me grupin e Pano Taçit e Jorgo Bllacit dhe djalit të madh, Dashamirit.

Në shtëpinë e saj, në një nga pallatet e ndërtuara për ish-të përndjekurit politikë, 76-vjeçarja jeton e vetme, pas ndarjes nga jeta të të shoqit, ish-gazetarit ushtarak dhe nëntogerit Bajram Kovaçi. Nëse bashkëshorti i saj do të ishte gjallë, me siguri që fabul më interesante për shkrimet e tij gazetareske nuk mund të kishte. Përtej kontekstit ushtarak dhe atij profesional për të cilin Bajram Kovaçi ka shkruar thuajse gjithë jetën e tij, ndodh që vuajtjet të të vënë poshtë, duke mos të lejuar pamje në  horizonte të reja. Ngase, pasojat kanë lënë gjurmë duke u ndryshuar rrënjësisht jetën personale, dhe atë të fëmijëve gjithashtu. E kur flitet për vite të tëra internim dhe burgim familjar, nuk ka më vend për gjetje të spikatura, por thjesht për histori të rrëfyera me nota dhimbjeje në to. Feteja, bashkëshortja e ish-gazetarit ushtarak Bajram Kovaçi, tregon për vitet e errëta të kaluara në kampin e internimit në Vrap të Tiranës. Në një kohë kur i shoqi Bajrami dhe djali i madh, Dashamiri, vuanin masën e dënimit në kampet e internimit në Burrel dhe Qafë-Bari. Akuzat e drejtpërdrejta ndaj të shoqit për “tradhti të lartë ndaj atdheut” dhe akuzat “për terrorizëm” ndaj nxënësit të Liceut Artistik në kryeqytet, djalit të madh të familjes Kovaçi, i cili “planifikonte” të hidhte në erë godinën e Komitetit Qendror.
Si përfundoi Bajram Kovaçi nga gazetar në brigadier në Ndërmarrjen e Gjelbërimit në Tiranë, ndërsa vetë Feteja nga kuzhiniere në punëtore krahu në Kooperativën Bujqësore të fshatit Vrap të Tiranës.

Cila është historia e njohjes suaj me gazetarin ushtarak, Bajram Kovaçi?

Feteja me bashkëshortin, Bajram Kovaçin dhe djalin, Dashamirin

Ende nuk i kisha mbushur 15 vjeç, kur u njoha për herë të parë me Bajramin. Ai vinte shpesh në rrugicën e shtëpisë sonë, për të takuar një mikun e tij, Bajram Keta. Më kishte parë disa herë teksa mbushja ujë me bucela në një pus të lagjes. Isha vetëm një vajzë e vogël, me sy bojë qielli dhe dy gërsheta të pleksur bukur. Me siguri që Bajramin e kishte tërhequr pamja ime. Ishte fillim i muajit mars të vitit 1951. Fillimet e njohjes ishin të atilla, teksa më ndërpreu rrugën, më shprehu propozimin e tij. Të them të drejtën, më pëlqeu fiziku dhe pamja e Bajramit. Ishte djalë simpatik.
Kur ju u njohët, çfarë pozicioni pune kishte ai?
Ishte nëntoger, me shërbim në Korçë. Ndërkohë, shkruante edhe si gazetar ushtarak në gazetën “Luftëtari”. Bajrami kishte përfunduar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe më pas kish ndjekur Shkollën e Partisë. Megjithatë, familja ime vendosi të më fejonte me një djalë tjetër nga Elbasani, i cili i kishte ofruar një grusht të mirë florinjsh nënës sime, pasi babai më kish vdekur kur isha katër vjeçe. Kjo fejesë e shpejtë me një të panjohur më turbulloi mendjen dhe ndërkohë vendosa t’i tregoja Bajramit, me të cilin kisha nisur të njihesha. Duke parë vendosmërinë e familjes sime për të mos prishur fejesën, Bajrami vendos të më rrëmbejë. Ashtu veproi, më mori dhe më çoi në Korçë, ku ai punonte si komandat reparti.
Bajrami ka qenë ndër të paktët gazetarë që ka ndjekur në front luftimet për t’i pasqyruar më pas në faqet e shtypit apo jo?

Fete Kovaçi në moshën e rinisë

Duke qenë gazetar ushtarak dhe nëntoger, vetë pozicioni i tij i punës ia lejonte që t’i pasqyronte ngjarjet e rëndësishme ushtarake kryesisht në shtypin e shkruar në vend, por gjithmonë sipas porosive të udhëheqjes. Çdo fjali dhe ngjarje e shkruar nga ai, kontrollohej në çdo presje, sepse nuk mund të lejohej që gjykimi personal i një gazetari apo natyra e të shkruarit të tij të dilte jashtë vizionit të Partisë Komuniste dhe krerëve të saj. Bajrami ka shkruar për shumë ngjarje më rëndësi në disa gazeta si “Luftëtari”, “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”. Por, në një artikull për revistën “Ylli”, ai kishte shkruar një lajm me titull “Si i shpëtova shtatë sovjetikët në Shqipëri”, në një kohë kur gjatë periudhës së luftës nuk ka pasur rusë në vendin tonë. Sigurisht që kjo ngjarje merret vesh nga udhëheqësit e vendit, të cilët u shprehën se gazetarët gënjejnë dhe duhen marrë masa ndaj tyre. Bajramin e përjashtuan menjëherë nga Partia, pasi e thirrën në Komitetin Qendror dhe i komunikuan vendimin.
Pas përjashtimit nga Partia erdhi goditja e papritur, që solli edhe burgimin e Bajram Kovaçit. Në fakt, çfarë ndodhi pas Konferencës së Tiranës?
Ky ishte sulmi më i drejtpërdrejtë që i ndodhi tim shoqi. Shumë zëra thonë se ai kishte guxuar të kundërshtonte hapur Enver Hoxhën, duke i kërkuar llogari për masakrën e bërë në Çidhën, ku forcat partizane kishin djegur qindra shtëpi e vrarë shumë fshatarë të pafajshëm. Reagimi i udhëheqësit nuk kishte qenë i shpejtë, por disa ditë më vonë nëpërmjet Beqir Ballukut kërkohet lirimi nga detyra si ushtarak dhe si gazetar. Erdhi periudha famëkeqe e hetuesisë, ku Bajrami qëndroi 11 muaj mes torturave të shumta. Në gjyqin e parë, në vitin 1964 ai u dënua bashkë me Pano Taçin dhe Jorgo Bllacin, duke u cilësuar si kryetar i grupit. Fillimisht u dha masa e dënimit me pesë vite burg, të cilat Bajrami i kreu në Burgun 313 të Tiranës.
Po akuza e radhës, ajo më e rënda që e dënonte për tradhti të lartë ndaj atdheut, çfarë fshihte pas?

Fete Kovaçi me të birin

Gjatë kohës që Bajrami kishte kryer pesë vitet e burgut, dhe lirohet për sjellje të mirë, disa hetues ngrenë pretendimin te prokurorët se gjoja nuk i kishin kryer siç duhet hetimet, dhe kishin mbetur ende gjëra pa zbuluar. Sigurisht që Bajrami nuk kishte më asnjë funksion zyrtar, punonte thjesht si brigadier në Ndërmarrjen e Gjelbërimit të Tiranës. Gjatë arrestimit të dytë, unë me tre fëmijët ishim në Peshkopi te gjyshërit e mi dhe njerëzit e Sigurimit mendonin se Bajrami na kishte çuar ne atje se, duke qenë kufiri jugosllav afër, edhe mund të arratiseshim. Përpara se ne të shkonim në Peshkopi, kishin arrestuar të vëllain e Bajramit, domethënë kunatin tim Hysen Kovaçi, i cili ishte adjutant i Gjin Markut. Këtë të fundit e kishin arrestuar me akuzën se kishte dashur të helmonte personelin e aviacionit në repartin “Stalin”, ku edhe punonte. Duke pasur edhe një vëlla në burg, edhe shënjestrimin në çdo kohë nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, Bajramit i kanë vendosur prangat ditën për diell në afërsi të hotel “Dajti”. Akuzohej se kishte tentuar të sillte nëndetëse serbe nga Drini i Zi.
A kishte dëshmitar në gjyq që e mbështesnin këtë akuzë të ngritur ndaj tij?
Ishte një person i quajtur Bajram Bitri, i cili gjatë kohës që im shoq kishte shërbyer si toger, ishte njohur edhe me lëvizjet e tij kudo nëpër Shqipëri, por edhe në Jugosllavi. Sipas këtij dëshmitari, i cili deri në ditën që u dha vendimi nga gjykata nuk lëvizi asnjë presje nga dëshmia e tij, Bajram Kovaçi kish thurur planin e sjelljes së nëndetëseve nga Drini i Zi, e sipas tij ai kishte menduar që të sulmonte Komitetin Qendror. E gjithë kjo do i kushtonte tim shoqi 20 vite të tjera burgim. U dënua për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Gjyqi u zhvillua në Peshkopi dhe fillimisht u kërkua masa e dënimit me pushkatim, vendim i cili u ul më pas në 20 vite. Bajrami kreu dënimin në kampin e internimit në Burrel.
Nuk vonoi shumë dhe ju arrestuan edhe djalin e madh, Dashamirin, përse?
Djali i madh më ka vuajtur shumë. Pasi bëri shërbimin ushtarak, ai nisi të studionte për pikturë natën në Liceun Artistik. E arrestuan për “terrorizëm” dhe kjo ndodhi në vitin 1975. Aty kishte dy shokë, Rrapo Gjoka dhe Mezin Tafili. Djali nuk e dinte që këta të dy ishin të infiltruar për të zbuluar lëvizjet e Dashamirit. Me siguri ai ka shprehur ndonjë pakënaqësi ndaj pushtetit popullor, por as që mund ta besoj se kishte në plan të hidhte në erë selinë e Komitetit Ekzekutiv. Pasi arrestojnë edhe djalin e madh dhe del në gjyq, e dënojnë me 20 vite heqje lirie. Dashamiri ka lëvizur në thuajse gjithë kampet e Shqipërisë, në Qafë-Bari, në Ballsh, në Savër të Lushnjës etj. Tim biri iu ndërprenë në mes ëndrrat më të bukura të rinisë, pikërisht në moshën 20-vjeçare. Nuk kishte dramë më të madhe për familjen time. Edhe bashkëshorti, edhe djali në burg. Këta të fundit, për 17 vite me radhë nuk u panë për asnjë ditë me njëri-tjetrin, sepse kryenin dënimet nëpër burgje të ndryshme.
Ju mbetët e vetme me djalin, Benin dhe vajzën Teuta, pa e ditur se shumë shpejt do të vinte dita e internimit edhe për ju…
Kanë ardhur njerëzit e Sigurimit në shtëpi dhe na kanë marrë vetëm me rrobat e trupit veshur. Mua bashkë me dy fëmijët, Benin dhe Teutën, na internuan në fshatin Vrap të Tiranës. Në këtë kamp kemi kaluar 14 vite nga jeta jonë. Asnjëherë nuk kam për ta harruar vendin ku na dërguan. Një stallë lopësh e një fshatari, e cila ishte e shtruar me çimento të varfër. Mure të pasuvatuara, lagështira në kulm. Punoja çdo ditë si bashkëvuajtësit e tjerë të mitë, në kooperativë. Punoja tokën me bel, bëja punë të ndryshme bujqësie. Edhe ditën e punës, 30-lekëshin nuk e merrja dot, sepse shpesh nuk e plotësoja normën. Të dy fëmijët e vegjël i mbyllja me çelës në shtëpi. Kushte shumë të vështira dhe aspak jetike.
Kur do të ribashkohej sërish familja?
Ishin vite shumë të vështira ato që kaluam nëpër internime dhe burgje. E gjithë familja jonë e pësoi nga i madhi tek i vogli, përfshi edhe fëmijët që ishin të mbushur me ëndrra si gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Bajrami, pasi doli nga burgu, u sëmur keq dhe ka qëndruar gati pesë vite i paralizuar brenda në shtëpi. Gjithçka që kaluam në ato vite të vështira, jetesë në kushte skandaloze nëpër kampe internimi, apo torturat e burgjeve ndaj tim shoqi dhe djalit të madh, sollën jo pak pasoja në shëndetin tonë. Nuk kam fjalë për të shprehur ato vuajtje që kemi kaluar si familje.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura