Festa kombëtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përkujtua dje edhe në Tiranë. Me rastin e 236-vjetorit të pavarësisë së SHBA, Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Tiranës organizuan një aktivitet, ku ishin të ftuar ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ministrat Arben Imami, Genc Pollo, Flamur Noka, Myqerem Tafaj, si dhe shumë politikanë e njerëz të artit e kulturës shqiptare. Në këtë ditë të shënuar u prezantua edhe libri “Zemra e patriotit”, me autor Max Cleland, ish-senatorin amerikan dhe veteranin e luftës, një botim i shtëpisë botuese “55”. Me këtë rast në Tiranë ishte e pranishme edhe zonja Linda Din, shefe e kabinetit të zotit Max Cleland. Në këtë ditë feste, shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu u nderua me flamurin amerikan, i cili është valëvitur më 26 qershor në Capitoll Hill dhe është nënshkruar nga senatori John Kerri. Ky flamur, i shoqëruar me certifikatën përkatëse, iu dorëzua atij nga ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. “Në 100-vjetorin e pavarësisë sonë, me një histori ndër më të dhimbshmet, më të vështirat, kur jo vetëm në një rast, është vënë në pikëpyetje ekzistenca e tij, ne kemi fituar, ia kemi dalë mbanë, sepse në momentet më kritike kemi pasur mbështetjen e fuqishme të kombit të madh të lirisë, kombit amerikan”, u shpreh në fjalën e tij Kryeministri Sali Berisha. Po dje, Kryeministri Berisha i dërgoi Presidentit amerikan Barack Obama një mesazh urimi, ku ndër të tjera shprehej: “Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776 përbën jo vetëm ngjarjen më të shënuar në historinë e kombit të madh amerikan, por edhe një ndër stacionet më të rëndësishme të rrugëtimit të qytetërimit tonë dhe vlerës më të lartë të shoqërisë njerëzore, lirisë. Kurrë ndonjëherë më parë, në asnjë dokument të një rëndësie të tillë, nuk ishin sanksionuar aq solemnisht të vërtetat sublime të njerëzimit; e drejta e jetës, lirisë, barazisë dhe lumturisë individuale e detyrimi i shtetit për t’iu dedikuar atyre dhe për t’i garantuar ato, sesa në Kushtetutën e SHBA”. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, uroi dje sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton, duke thënë se “Qeveria shqiptare e vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga administrata amerikane dhe personalisht nga zonja Klinton për reformat në Shqipëri”. Ai theksoi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, dhe se shqiptarët janë krenarë t’u qëndrojnë krah për krah SHBA-ve, si miq dhe partnerë në promovimin e demokracisë, sigurisë dhe prosperitetit. Edhe “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve” ka uruar me rastin e pavarësisë së SHBA-së përmes një deklarate për shtyp. Ndër të tjera shkruhej: “Ne shqiptarët u jemi mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen e pakursyer dhe parimore që i kanë dhënë kombit dhe vendit tonë në çdo ditë e vit të këtyre 100 vjetëve të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ne shqiptarët kërkohet që ta meritojmë këtë partneritet strategjik kombëtar. Ndërsa Ambasada Amerikane disa ditë më parë zhvilloi një pritje për nder të festës së tyre kombëtare.
Promovimi
I pranishëm në promovimin e djeshëm, ambasadori amerikan Arvizu, u shpreh se “Max Cleland është një person që ka zemrën e vërtetë të një patrioti. Ndërsa ju lexoni mbi historinë e këtij patrioti të jashtëzakonshëm amerikan, ju mund ta kuptoni pse ai shërben si një frymëzim për miliona amerikanë”, u shpreh ambasadori. Ndërsa falënderoi botuesin Fahri Balliu që solli në shqip veprën “Zemra e patriotit”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh: “Jemi krenarë që kemi një aleat të tillë si Amerika, në çdo hap që kemi hedhur si në jetën politike, edhe në atë kulturore, siç është rasti për të cilin jemi mbledhur sot”. “Zemra e patriotit” është rrëfimi vetjak i një heroi, i cili sfidon ferrin fizik dhe psikologjik dhjetëravjeçar, të fshehur skutave të padukshme të mendjes njerëzore. Libri është përkthyer në shqip nga Etleva Sakajeva. Max Cleland cilësohet si ikona e qëndresës amerikane në Vietnam dhe prej më shumë se dy dekadash një figurë kyçe e Partisë Demokratike të SHBA në shtetin e Georgia-s, një veteran i vjetër i luftës së Vietnamit, por edhe një personazh i njohur i komisioneve hetimore e mbikëqyrëse në Senatin e ShBA-ve. Libri I tij “Zemra e Patriotit” është cilësuar si një nga përcaktimet më sintetike të moralit të shoqërisë amerikane në shekullin XX, si dhe për sfidat që po përvijohen në mijëvjeçarin e ri.











