Festivali teatror i të rinjve, 3,7 milionë për 6 vepra

Sep 12, 2012 | 12:47

Një nga shfaqjet e festivalit të shkuar të të rinjve

Mbyllet afati i dorëzimit të projekteve për Fondin Publik.

Në garë janë 11 projekte. MTKRS premton sërish angazhim të fituesve pranë Kombëtarit.

Shepart, Genet, Mrozhek, Osborn, Cikloropulos… Këta janë disa nga dramaturgët, veprat e të cilëve janë përzgjedhur nga regjisorët e rinj për festivalin e radhës së të rinjve. Sipas një njoftimi nga ana e Teatrit Kombëtar, dje ishte afati i fundit për dorëzimin e projekteve që do të përfitojnë nga “Fondi Publik për të Rinjtë”. Mësohet se numri i projekteve ka shkuar në 11 dhe, me sa shihet, pjesa më e madhe e konkurrentëve kanë preferuar dramaturgë të huaj. Vetëm tre kanë guxuar të marrin përsipër një vepër shqiptare, madje dy syresh kanë vendosur të vënë në skenë pikërisht nga një vepër të tyren. Me sa duket ky është një ndër të paktat aktivitete që i ka shpëtuar “sindromës” së përfshirjes në listën e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë. Pas mbylljes së kësaj faze, nis puna më e vështirë për jurinë, e cila, me sa thuhet në njoftimin e TK, nuk do të mjaftohet vetëm me leximin e projekteve të dorëzuara, por do të zhvillojë takime edhe me vetë regjisorët “për të kuptuar më shumë mbi platformën e tyre regjisoriale”. Ndryshe nga herët e tjera, juria që do të përzgjedhë veprat fituese, nuk përbëhet nga emra të mëdhenj të teatrit apo regjisë. Ata janë artistë të rinj, ish-fitues të këtij festivali. Kështu, juria seleksionuese e këtij viti përbëhet nga regjisorja Andia Xhunga, regjisori Lorin Terezi dhe aktorja Elia Zaharia. Duket se MTKRS dhe Teatri Kombëtar, që është ekzekutuesi i këtij projekti, ua ka lënë gjithçka në dorë të rinjve. Projektet fituese do të shpallen më datë 21 shtator.
Projekti
Për këtë vit Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka akorduar një shumë prej 3.700.000 lekësh për krejt festivalin, i cili synon ngjitjen në skenë të 6 veprave teatrore. Sipas një preventivi paraprak, çdo regjisori do t’i akordohet një shumë prej 550 mijë lekësh, të cilën nga ana e tyre ata do të duhet ta ndajnë me skenografin, kostumografin, aktorët dhe ndonjë tjetër bashkëpunëtor. Por tashmë këto shuma nuk përbëjnë ndonjë çudi, në një vit krize financimesh, artistët e rinj duhet të kënaqen me pak. Të paktën ky aktivitet nuk rrezikon të mos zhvillohet për mungesë fondesh. Për shkak të festimeve të 100-vjetorit, këtë vit Java e Festivalit Teatror të të Rinjve do të zhvillohet në muajin dhjetor, kur do të shpallen edhe fituesit e çmimeve. Në përfundim të konkurrimit do të shpërndahen certifikata dhe do të vlerësohen me çmime artistët e rinj në aktrim, skenografi, kostumografi dhe regjisurë. Sipas projektit të këtij viti, firmosur nga ministri i MTKRS-së, Aldo Bumçi, “artistët e vlerësuar me çmime do të angazhohen dhe përfshihen si pjesë e projekteve artistike vjetore të TK. Gjithashtu të vlerësuarit në këtë kompeticion do të angazhohen në role të dyta apo impenjime të tjera që do t’u ngarkohen nga institucioni i TK për sezonin artistik 2012-2013.
Ndryshe nga vitet e kaluara, projektet të cilat do të përzgjidhen nga juria, do të debutojnë krijimet e tyre në sallat më të rëndësishme të teatrove vendorë dhe publike në vend, për ta finalizuar me javën teatrore e cila do të zhvillohet në muajin dhjetor 2012 në sallën e Teatrit Kombëtar, Teatrit Kombëtar të Komedisë dhe Teatrin Metropol”. Angazhimi pranë Teatrit Kombëtar është premtuar edhe vitet e shkuara, por asnjëherë nuk ka funksionuar.

Projektet në garë
1- Armela Demaj “Princesha e bukur e Leh-Nan”, Martin Mcdonagh
2- Alketa Haxhiu “Të mërkurën” nga Derek Benfield
3- Enson Mula “Perëndimi i vërtetë”, Sam Shepard
4- Dësara Xhangolli “Shërbëtoret” nga Jean Genet
5- Anila Balla “Të parët dhe të fundit” nga John Galsworthy
6- Dorjana Caushi “Dashuri dhe çmenduri” nga Xhon Osborn
7- Orjada Zeza “Britma grash”, Babis Cikloropulos
8- Esmeralda Stafa “Kontrata”, Sllavomir Mrozhek
9- Getoarbe Mulliqi “I dashuri i panjohur” nga Getoarbe Mulliqi
10- Luljeta Hoxha “Tersi i Zululandit”, Arben Iljazi
11- Simir Gongo “Rrjeta”, Saimir Gongo

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura