Festë edhe për Partizanin, bën tris dhe ngjitet në Kategorinë e Parë

May 14, 2012 | 14:44
Gjatë ceremonisë së djeshme

Partizani feston në mënyrë spektakolare ngjitjen në Kategorinë e Parë, pasi ka arritur të fitojë me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Këlcyrës në stadiumin “Selman Stërmasi”. Nën një atmosferë festive të krijuar nga rreth 3000 tifozë të pranishëm, “demat” kanë mbyllur një nga sezonet e tyre më të vështirë. Duhet thënë se tifozët kanë nisur festën e kuqe që në orën 15:00, kur janë nisur të organizuar drejt stadiumit dhe kanë mbërritur aty me një autokolonë makinash të mbuluara me flamuj të kuq. Ndërsa pas takimit, lojtarët me Kupën e Grupit B në Kategorinë e Dytë kanë festuar gjatë me tifozët si në ambientet e brendshme të stadiumit, ashtu edhe në ato të jashtme. Me fitoren e djeshme Partizani ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ringjitjes dhe tashmë pret që sezonin e ardhshëm të ketë më shumë mbështetje financiare për të qenë pjesë e Superiores. Edhe pse stafi teknik i “demave” në takimin e djeshëm kishte lënë në stolin e rezervave një pjesë të mirë të titullarëve, të kuqtë nuk e patën të vështirë të fitonin ndaj një Këlcyrë të pamotivuar, lojtarët e së cilës në fund të ndeshjes duartrokitën festën e kryeqytetasve. Goli i parë për Partizanin erdhi që në minutën e parë dhe autor ishte Gevi Gjoka. Çoba ka krosuar bukur në zonën kundërshtare dhe grushtimi i portierit mik e ka dërguar topin në këmbët e sulmuesit, i cili s’e ka pasur të vështirë dhe e ka dërguar atë në rrjetë. 1-0 dhe fitorja është hipotekuar nga vendësit. Pas golit të fitores, lojtarët e Partizanit mendojnë më shumë për spektakël dhe rastet për shënim janë të pafundme, por nuk arrijnë të konkretizohen nga Verli dhe Miska, të cilët ndonëse me portën e boshatisur, nuk janë të saktë në momentin e fundit. Nga ana tjetër, miqtë janë të pafuqishëm të reagojnë dhe gjuajtja e vetme drejt portës për pjesën e parë do të jetë ajo e Kamberajt, në minutën e 29, por portieri Myrta është pozicional dhe grushton në mënyrë të saktë. Pas këtij momenti, Partizani do të gjejë edhe golin e dytë. Në minutën e 36-të, Batha shfrytëzon në mënyrën më të mirë një krosim nga këndi dhe me kokë shënon golin e dytë. Pjesa e parë mbyllet në këto shifra, ndërsa e dyta nis me një tjetër gol për Partizanin. Këtë herë është Çobaj, që gjen rrugën e rrjetës. Lojtari gjuan fort nga jashtë zone dhe topi, pasi përplaset në pjesën e brendshme të traversës, arrin të kalojë vijën fatale. 3-0 dhe në kampin e kuq të gjithë janë në delir.

Papadhopuli: Pa Partizanin e Dinamon s’ka futboll
Ish-futbollisti i skuadrës së Partizanit, i mirënjohuri Miço Papadhopuli, ka qenë i pranishëm dje në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’u dorëzuar kupën të kuqve në një ceremoni të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Më vjen mirë që më në fund Partizani është ngjitur një kategori më lart. Tani duhet të synoj edhe për të qenë në Superiore. Jam shumë i lumtur dhe bashkohem me lojtarët për këtë festë dhe them se pa Partizanin e Dinamon në vendin tonë nuk ka futboll, pasi janë dy ekipe, të cilat kanë bërë historinë e këtij sporti në Shqipëri”, ka deklaruar Papadhopuli.

© Panorama.al

Te lidhura