Festa vazhdon, Skënderbeu merr Kupën

May 14, 2012 | 14:47

Gjatë festimeve dje në Korçë

Ceremoni madhështore. Kreu i FSHF, Duka i dorëzon Kupën kapitenit të skuadrës, Shkëmbi.

Këngë, lot dhe emocione, një Korçë e tërë ngrihet peshë.

Festa vazhdon, më saktë ajo nuk ka të sosur. Ndonëse u shpall kampion të shtunën në mbrëmje, vetëm dje lojtarët e Skënderbeut patën shansin që të ndiejnë tyrin atë trofe aq shumë të lakmuar.
Prej dy sezonesh Korça është shndërruar në kryeqytetin e futbollit. Ceremoni madhështore, ngjyra pa fund, këngë dhe valle, ku sigurisht që dominonte veçse kjo thirrje: Skënderbeu Kampion, Skënderbeu Kampion! Qyteti i serenatave është ndezur duke marrë ngjyrat bardhekuq. Skënderbeu është sërish ai që fiton dhe ai që ka merituar një trofe të madh, atë të kampionit të vërtetë. Festa nisi që më 12 maj dhe arriti kulmin më 13. Madje, paraditja e së të dielës, ndonëse është dukur e heshtur, ziente nga përgatitjet për mbrëmjen e madhe të 13 majit, që sigurisht do të mbetet gjatë në historisë e këtij klubi. Skënderbeu, trofeu dhe Mamica, me këto tri fjalë mund të përshkruash këtë superfestë të organizuar nga klubi dhe federata. Por, nëse dikush pyet se cila është “Mamica”, mund të thuhet me plot gojë se ky është himni më i ri, jo vetëm i korçarëve. Kjo këngë e kthyer në hit është personalizuar nga futbollistët, të cilët e kanë kënduar gjatë, duke e kanë “djegur” stadiumin dje.
Ceremonia
Lojtarë të emocionuar, të përlotur, që kanë përjetuar një magji në skenën e ndërtuar në stadiumin “Skënderbeut”, për të ngritur trofeun e këtij sezoni. Kanë qenë 26 javë të vështira, por edhe më të bukurat pa dyshim për juglindorët. E natyrisht që të drejtën për ta ngritur i pari këtë trofe, do e kishte njëlloj si 12 muaj më parë, senatori i bardhekuqve, Bledi Shkëmbi. Ishte Armando Duka, kreu i FSHF-së, ai që do t’ia dorëzonte kapitenit kupën dhe e gjithë Korça do të ngrihej peshë. Lojtarët e skuadrës ishin në delir, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kishin preferuar që në këtë festë madhështore të kishin dhe fëmijët e tyre përkrah, pasi kjo është një ngjarje e madhe në jetën e gjithsecilit. Daniel Xhafaj me dy vajzat e tij, apo Marko Radas me djalin e vet, por dhe Dimo nga ana tjetër me vogëlushen e tij që mori medaljen e babait si një objekt të veçantë zbukurimi, Allmuça gjithashtu. Sikundër baballarët e tyre edhe ata kanë festuar, por pa ia ditur ndoshta fort vlerën si trofe, të marrë me aq shumë mundim. Të gjithë kishin etje për të prekur atë trofe, e kësisoj të gjithë lojtarët kanë bërë ritualin e tyre të zakonshëm, e më pas kanë përshkuar lumin e madh të tifozëve.

Rinovimi i Trajnerit
Stanislav Levi pritet të rinovojë kontratën me Skënderbeun. Sinjalin e dha dje, gjatë një prononcimi për TVSH-në, presidenti i korçarëve, Agim Zeqo. Ky i fundit pranoi se çeku ka bërë një punë të mirë që nga periudha kur ka marrë drejtimin e skuadrës. Megjithatë, për të zyrtarizuar gjithçka, mbetet për t’u parë se si do të shkojnë bisedimet mes palëve pas ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu luan me Tiranën të enjten, teksa do të kërkojë të bëjë të vetin për herë të parë kompeticionin e kupës. Fitimi i këtij trofeu, sipas të gjitha gjasave do të rikonfirmojë në krye të pankinës edhe për një sezon trajnerin Levi. Klubi korçar synon të bëjë një prezantim dinjitoz në Ligën e Kampioneve. Ëndrra është kalimi i turit të dytë paraeliminator.

SKËNDERBEU
Portierë

Orges Shehi
Marko Milivojeviç
Erion Llapanji
Mbrojtës
Erbim Fagu
Marko Radas
Ditmar Bici
Denis da Silva
Ivan Gvozdenoviç
Endri Vrapi
Renato Arapi
Mesfushorë
Gjergji Muzaka
Igli Allmuça
Davor Bratiç
Luko Biskup
Nuredin Orelesi
Bledi Shkëmbi
Amarildo Dimo
Dorian Kërçiku
Bernardo Ribeiro
Grigor Topalli
Sulmues
Daniel Xhafaj
Sebino Plaku
Artnad Tahirllari

Stafi teknik
Trajner: Stanislav Levi
Zv.trajner: Lorenc Hysi
Zv.trajner: Zdenek Beçka
Mjek: Denis Rushi
Fizioterapist: Jorgo Pantazi

© Panorama.al

Te lidhura