
Gazeta zvicerane “Blick” polemizon sërish rreth futbollisteve shqiptare te pajisur me pasaporte zvicerane.
Ka qenë një start i mirë në Bundesligë për ish-sulmuesin e Zyrihut, Adrian Nikçi. Tre minuta pasi hyri në lojë, 22-vjeçari shënon në kontaktin e parë me topin, duke barazuar rezultatin 2-2 për Hannoverin kundër Schalkes.
Nikçi filloi festimin e golit dhe pika kulminante ishte kur ai “hodhi në fluturim” shqiponjën që është simboli i të gjithë shqiptarëve, që duket se ka tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane.

Nikçi nuk është i pari shqiptar me pasaportë zvicerane që feston golin me shqiponjë, shkruan “Blick”. Edhe Pajtim Kasami e bëri të njëjtën gjë në dhjetor 2010. “Ishte një përshëndetje për bashkëkombësit e mi”,- kishte thënë Kasami, familja e të cilit vjen nga Struga e Maqedonisë.
”Blick” pyet; A duhet të jenë të shqetësuar tifozët zviceranë ngaqë disa nga lojtarët e ekipit të kombëtares zvicerane në përballjen me Shqipërinë më 11 shtator do të jenë aty me gjysmë zemre?
Edhe pse Kasami dhe Nikçi nuk janë pjesë e ekipit zviceran, “Blick” thotë se Shaqiri, Xhaka e Behrami janë futbollistë që vijnë nga Kosova.
Gazeta komenton edhe gjestin e yllit të Bajernit të Mynihut, Shaqiri, i cili ka vendosur në këpucën e tij, flamurin shqiptar, zviceran dhe atë të Kosovës. Gazeta sjell në vëmendje se Shaqiri është shprehur se gjithsesi ai mbetet 50% shqiptar.

Në skuadrën Borussia Mönchengladbach talenti shqiptaro-zviceran, Granit Xhaka, ka kënduar himnin kombëtar shqiptar! “Unë ndihem më shumë se 80 për qind zviceran, ndërsa 20 për qind si kosovar. Unë jam zviceran, por rrënjët e mia janë në Kosovë, dhe gjithmonë do të mbetet kështu”, citon Xhakën gazeta “Blick”.
Çfarë ndodh nëse Kosova duhet të sigurojë vetë ekipin kombëtar?, pyet në fund gazeta. Vendimi bie mbi Shaqirin dhe të tjerët, pasi shkëmbimi i kombëtares në këtë rast lejohet.
Ndër të tjera, në një sondazh të hapur nga gazeta pikërisht për këtë temë, nëse lojtarët e kombëtares duhet apo jo të festojnë me shqiponjën?
52% e lexuesve të “Blick” e shohin këtë si një problem, ndërsa 48% e tyre mendojne se kjo nuk përbën asnjë problem për klubin.
Shqipëria dhe Zvicra do te perballen me njera- tjetren ne 11 shtator ne nje ndeshje te vlefshme per boterorin, Brazil 2014.
Vetem pak dite me pare Tifozat Kuq e Zi thane se numri i biletave per shqiptaret eshte mjaft i vogel. Zvicra, nderkaq po i shet biletat me pasaporte per te verifikuar nenshtetesine.
© Panorama.al











