Festa e PS, Nano: S’kam ftesë, nuk e di nëse do të shkoja

Jun 12, 2011 | 10:28

Lideri historik, Fatos Nano, do të mungojë sot në festimet e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.Arsyeja është mungesa e ftesës nga lidershipi aktual i PS-së. Ish-kryetari Fatos Nano konfirmoi dje për gazetën “Panorama” se nuk do të jetë prezent në përvjetorin e rëndësishëm të partisë që ai themeloi, pasi në adresë të tij nuk ka ardhur asnjë ftesë. Gjithsesi, Nano shtoi se do ta kishte të vështirë të vendoste për të shkuar ose jo në përvjetor, nëse ftesa nga kreu aktual i PS-së Edi Rama nuk do të mungonte. Një ditë më parë, nga selia e PS-së u fol për një ftesë të dërguar për Fatos Nanon nëpërmjet një miku të tij, por që në adresë të Nanos nuk ka mbërritur gjë. Një i afërm i liderit historik të PS-së tha më tej se pretendimet se është ftuar themeluesi i PS-së nuk janë të vërteta dhe aspak serioze. Sipas tij, nëse ftesa do të ishte reale, mund të kishte ardhur prej kohësh, ashtu siç ka ardhur për shumë të tjerë për të qenë prezentë. Në këtë mënyrë, ish-kreu dhe drejtuesi i kësaj partie prej më shumë se 14 vitesh nuk do të jetë në përvjetorin e saj. Fillimisht, lajmi për ftesën ndaj ish-kreut të PS-së u komentua dhe u interpretua si një paqe mes tij dhe kreut aktual të partisë, ose thjesht si vlerësim për kontributin e Fatos Nanos në këtë parti, pas pluralizmit shqiptar. Kjo “ftesë” u duk edhe si një shtrëngim i mundshëm i duarve mes Ramës dhe Nanos, por që pas zgjedhjeve të Presidentit në vitin 2007, ish-kryetari i PS-së që kandidoi për postin e Presidentit të Republikës u vendos në ballë të akuzave direkt të Edi Ramës. Mungesa e ftesës për liderin historik të PS-së duket se tregon ende ndarjen mes kreut aktual Rama dhe Nanos, marrëdhënie e cila ka qenë e tensionuar që para zgje-dhjeve lokale të vitit 2007. Gjithsesi, Nano ende nuk është shfaqur publikisht pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, ndonëse prej tij ka pasur premtime për ndonjë rikthim të mundshëm. Pavarësisht mungesës së Nanos, PS ka vendosur që të përkujtojë 20-vjetorin e themelimit të saj në ambientet e hotelit “Shera-ton”, ku ka shpërndarë edhe një numër të konsider-ueshëm ftesash. Në këtë përvjetor do të jenë një numër i konsiderueshëm figurash politike brenda së majtës dhe koalicionit opozitar.

700 ftesa

Selia e Partisë Socialiste ka shpërndarë rreth 700 ftesa për përvjetorin e saj të 20-të, që do të kremtohet në ambientet e hotelit “Sheraton”. Ftesat nuk kanë munguar për ish-deputetët të kësaj partie, figura të njohura të shoqërisë, aleatët politikë, por edhe për Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë. Festa e PS-së do të nisë në orën 19:00 me përshëndetjet e rastit.

Nano e Rama te festa e SHBA
Edi Rama dhe Fatos Nano nuk do të jenë bashkë në përvjetorin e 20-të të Partisë Socialiste, por bashkë do të jenë në një tjetër përvjetor. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpërndarë ftesat për përvjetorin e pavarësisë më 4 korrik, një përvjetor që do të përkujtohet nga kjo ambasadë në ambientet e Muzeut Kombëtar. Mësohet se Nano ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë përvjetor, ashtu si çdo vit më parë.

Tortë në festën e 20-të të PS

Përvjetori i 20-të i Partisë Socialiste nuk pritet të ketë ndonjë element të veçantë në organizmin e tij, por gjithsesi, disa elemente nga tradita nuk do të mungojnë. Mësohet se një tortë do të përgatitet për këtë eveniment, ku sipër do të ketë të dallueshme e të shkruar 20-vjetorin e themelimit. Nga ana tjetër, lideri i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda, do të presë të ftuarit e më pas ai do të bëjë edhe përshëndetjen e rastit. Ashtu si vitet e kaluara, Rama do të jetë i pari që do të presë copën e parë të tortës. Gjithsesi, në “Sheraton” nuk do të mungojë as banda muzikore e as shërbyesit. Në traditën e PS-së nuk ka pasur ndonjë kushtëzim për përvjetorin e saj të krijimit. Shpeshherë, në 6 vitet e fundit që kjo parti drejtohet nga Rama, përvjetori i PS-së është festuar edhe jashtë Tiranës, por edhe në ambientet rreth selisë së Partisë Socialiste. Në festën para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, Rama kërkoi që torta të pritej nga një prej anëtarëve më të vjetër të partisë. Kësaj radhe ai e feston këtë përvjetor në prani të gruas së tij. Ashtu siç ka ndodhur zakonisht, pritet që numri i të ftuarve të jetë më i madh në këtë përvjetor.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura