
Korça mbrëmë është kthyer në një arenë festive. Ashtu sikurse pritej, mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, por edhe mjaft turistë të huaj, ishin pjesëmarrës në festën e përvitshme të “Birra Korça”, e cila mbrëmë festoi ditëlindjen e pestë.Ata kanë shijuar përgjatë gjithë natës birrën, duke pohuar se është e preferuara e tyre. Ndër pjesëmarrësit specialë të kësaj feste, që është kthyer në traditë dhe atraksion për turistët e huaj, ishte edhe ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carolla Muller-Holtkemper, si dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth. Ambasadorja gjermane u shpreh mjaft entuziaste për shijen e birrës, të cilën e shoqëroi edhe me kërnackat tradicionale të zonës. “Birra është e njohur jo vetëm në vendin tuaj, por edhe tek ne. Birra dhe prodhuesi i saj janë të njohur jo vetëm për traditën, por edhe për vlerat që kanë. Kjo birrë është e vetmja që mund të krahasohet me atë për të cilën ne në Gjermani jemi bërë të njohur. Ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët do t’ia vlente që kjo birrë të binjakëzohet me birrat që kemi ne në Gjermani, pasi vërtet mund të krahasohet me më të mirat”. Kështu u shpreh mbrëmë ambasadorja gjermane, e cila ka kaluar disa orë në festën e organizuar, duke kthyer edhe ndonjë gotë birrë si dhe kërnackat e famshme të Korçës. Edhe ambasadori i OSBE-së shprehu të njëjtin impresion teksa ktheu disa gota birre. “Është e shkëlqyer shija e kësaj birre. Kam qenë në fabrikë disa herë dhe do ta vizitoj sërish edhe këtë herë. Është një fabrikë, e cila ka kushte moderne. Jam duke e shijuar atmosferën e kësaj feste dhe ishte kënaqësi që isha këtu”, u shpreh ambasadori. Festa tejkaloi mbrëmë të gjitha pritshmëritë, duke e kthyer të gjithë qytetin në gaz e harmoni. Turistë të huaj, të ardhur nga Anglia, Gjermania, Holanda etj., të cilët shquhen edhe për konsumin e birrës, u shprehën se kishin dëgjuar më parë për festën që organizohej në Korçë, ndaj ishin organizuar në grupe për të qenë pjesëmarrës. Ata janë afruar te tendat e vendosura, duke konsumuar një pas një birrën. “Është shumë e mirë. Kishim dëgjuar për festën dhe cilësinë e kësaj birre. Tani që jemi këtu po e shijojmë në maksimum. Ka shije të veçantë. Na thanë se është birra e parë shqiptare, por unë e them me bindje se kjo meriton të jetë ‘mbretëresha’ e birrës shqiptare”, u shpreh një turist i ardhur nga Anglia. Ai pohoi se kishte ardhur me miq të tij enkas për festën e birrës. Edhe një vit më parë ai dhe miqtë e tij kishin qenë në Korçë, ndërsa u shprehën njëzëri se janë të bindur se edhe vitin e ardhshëm do të jenë në këtë qytet, i cili, veç vlerave muzeale, mbart edhe të tjera atraksione për ta, siç është edhe kjo festë ku birra “derdhet lumë” për të gjithë. Aida Myzyri është emigrante në Greqi dhe kishte ardhur enkas për ketë festë. Ajo u shpreh se ishte mrekulluar dhe se do ta kthente në traditë familjare ardhjen e përvitshme për birrën “Korça”.
Peleshi: “Birra korça” Me e preferuara
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, iu bashkua mbrëmë turmës festive duke shijuar birrën e traditës së qytetit, ndërsa përgëzoi cilësinë e saj. “Birra ‘Korça’ është birra e këtij qyteti. Ajo zë vendin kryesor në këtë festë, pasi ka qenë dhe vazhdon të jetë më e preferuara prej edicionit të parë e deri në këtë ditëlindje të 5-të të Festës së Birrës”, u shpreh Peleshi para qindra e qindra qytetarëve, të cilët ishin grumbulluar për të festuar me birrë dhe për t’u dëfryer në këtë festë, përmasat e së cilës janë rritur ndjeshëm nga viti në vit.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











