Ferraj, blerja e re e Tiranës

Jul 9, 2011 | 10:45

Nertil Ferraj është blerja më e re e skuadrës së Tiranës. Mëngjarashi i Dinamos ka arritur akordin me presidentin e Tiranës Refik Halili dhe nga dje është futur në listën e kësaj skuadre për ndeshjet e Ligës së Europës. Lajmi është konfirmuar edhe nga Halili, i cili ka pohuar se merkato e bardhebluve nuk ka përfunduar ende, por do të vazhdojë edhe me afrimin e të paktën një lojtari tjetër cilësor. Ferraj praktikisht ka zënë vendin e italianit Manuel Vergori, i cili është lënë jashtë listës së UEFA-s nga trajneri Hulian Rubio. “Unë kam luajtur gjithnjë për Dinamon, por realisht bardheblutë i kam pasur në zemër. Edhe kur luanin ndeshje derbi më shumë e shihja veten si i Tiranës, ndaj them se ky është kulmi për karrierën time, të paktën përsa i përket kampionatit shqiptar. Nuk e pata të vështirë për të gjetur akordin me drejtuesit e Tiranës”, ka pohuar Ferraj. Ndërsa presidenti i Tiranës ka pohuar se me Ferrajn skuadra është më e kompletuar. “Unë them se kemi bërë një zgjedhje të mirë me këtë lojtar. Paçka se ai vjen nga Dinamo, për aq sa kam dijeni, është një lojtar i lidhur ngushtë me tifozerinë bardheblu, madje do thosha një beniamin i tyre. Në këtë kontekst them se kemi bërë një zgjidhje të mirë jo vetëm duke forcuar Tiranën pikë sa pari, por edhe duke i ofruar këtij djaloshi të ri një të ardhme më të mirë”, ka pohuar Halili. Ndërkaq, i pyetur për lënien jashtë të italianit nga ana e trajnerit, Halili ka pohuar: “Nuk futem në zgjedhjet që bën trajneri. Nga aq sa më është thënë, është se futbollisti nuk është në formë për momentin pasi nuk ka kryer fare fazë përgatitore, por kjo nuk do të thotë që ai është përfundimisht jashtë skuadre”, ka thënë presidenti.

Tirana/ Lista për Ligën e Europës

Portierë – Ilion Lika, Enkel Dauti
Mbrojtës – Arjan Pisha, Tefik Osmani, Erjon Dushku, Renaldo Kalari, Elvis Sina, Rezart Dabulla, Entonio Pashaj, Afrim Taku, Nertil Ferraj
Mesfushorë – Gentian Muça, Asion Daja, Erando Karabeci, Dorian Kërçiku, Gilman Lika, Xhejms Situma, Muhamad Al Ajmi, Kamerun Heple
Sulmues – Bekim Bala, Etogo Esama, Mario Morina, Blerti Hajdari, Ergys Sorra

© Panorama.al

Te lidhura