Femrat, më shumë shpenzime përpara se gjatë pushimeve

Jul 23, 2012 | 13:14

Me gjithë krizën, femrat nuk mund të heqin dorë nga shpenzimet e panumërta, aq më tepër kur bëhet fjalë për të siguruar një formë fizike, të paktën të kënaqshme. Nuk mbaron lista e trajtimeve estetike, vetëm e vetëm për ato 10 apo 15 ditë të uruara që do ekspozohen në plazh. Që shpenzimet para pushimeve janë më të mëdha se vetë pushimet, këtë e thonë statistikat. Ja dhe lista e shpenzimeve:

Sipas të gjitha të dhënave, kombëtare e ndërkombëtare, pavarësisht prekjes nga të gjitha krizat e mundshme, ato që kanë planifikuar të bëjnë pushime, kanë edhe një fazë paraprake që u zë më shumë kohë e para sesa vetë pushimet. Palestër, dieta, masazhe anticelulit, me okllai me elektroda, manikyr, pedikure, trajtime fytyre, flokësh… lista nuk mbaron kurrë. Edhe në momentin e fundit do të gjejnë diçka që mund të bëhej më mirë, një fustan që u mbeti pa blerë, sandale që mbetën pa porositur e për të cilat do të flasin gjithë kohës në ditët e pushimit, e kështu me radhë. Nga llogaritë ka rezultuar që t’i përmbahesh një më një gjithë listës së mësipërme të trajtimeve, të duhen më shumë para se ç’mund të të kushtojë një paketë 1-javore “all inclusive”.

“Të dukesh mirë në plazh, nuk është aq e thjeshtë. Përveç punës paraprake me dietat që fillojnë që nga prilli, duhet të mendosh edhe për të gjitha detajet e tjera. Nuk se me zgjedhjen e rrobave të banjës zgjidhe gjithçka”,- është komenti i femrave që këto ditë kanë dyndur qendrave estetike, sepse kanë pas derës pushimet. Duan të ndihen më mirë, dhe të ndjerit mirë për to (jo për të gjitha) nuk nënkupton vetëm të fikësh celularin, të flakësh orën, apo relaksin që të ofron plazhi. Jo! Sytë e të tjerëve janë gjithnjë katër qoftë në plazh, qoftë larg tij. Fotot janë gjithnjë për t’u bërë. Sa u takon njerëzve të njohur të ekranit, paparacët mund të jenë gjithnjë vërdallë dhe pamja e tyre duhet të jetë shumë e mirë. Edhe pse kategoria e këtyre të fundit nuk pret vetëm pushimet për t’i bërë të gjitha trajtimet e nevojshme vetes.

Disa nga këto trajtime janë:
.    Epilim me laser (pakësim në mënyrë përfundimtare të qimeve)
.    Rigjenerim lëkure me laser (Anti-age)
.    Laser për aknet dhe heqje e shenjave pas tyre
.    Heqje rrudhash, IPL, heqje rrudhash me BOTOX
.    Mbushje rrudhash me Acid Hyalurinik-(Fillers-Restyline Juvederme)
.    Piling kimik
.    Mezoterapi për rinim të lëkurës, rritje elasticiteti, shkrirje dhjami, celuliti…
.    Mezoroller për trajtime ndaj plakjes, shenjat e akneve

Trajtime
.    Celuliti, Strie
.    Trajtime dhe maska fytyre
.    Masazh trupi
.    Depilim, manikyr, pedikurë
.    Paketa të ndryshme për SPA ditore…
.    Prerje, lyerje flokësh

Çmimet mesatare të botoksit

Balli                  55000 lekë

Pjesa rreth syve      45000 lekë

Pjesa rreth gojës    35000 lekë

Gjithë fytyra       100.000 lekë

Industria që nuk po preket nga kriza
Analistët e Goldman Sachs vlerësojnë se industria botërore e bukurisë përbëhet nga: kujdesi për lëkurën, 24 miliardë USD në vit, zbukurimi 18 miliardë USD, prodhime për flokët, 38 miliardë USD dhe parfume për 15 miliardë USD. Ky është një sektor që rritet me mbi 7% në vit. Numri një i këtij sektori, L’Oreal, ka pësuar një rritje të fitimeve prej 14% në vit në 13 vitet e fundit. Edhe Nivea ka shënuar të njëjtën rritje. Ky zhvillim i dedikohet kryesisht rritjes ekonomike në Perëndim dhe zgjerimit të klasës së mesme në vendet e tjera të botës, si Kina, Rusia etj. Pikërisht këto të fundit po bëhen tregje gjigante për sektorin. Në Indi, shitja e kremit kundër plakjes po rritet me 40% në vit. Deri më sot, blerësit kryesorë janë gratë, ndërsa kohët e fundit po rritet vëmendja e marketingut ndaj burrave.

Rastet e vendeve në krizë
Nuk janë vetëm bankat apo kompanitë që po shkojnë drejt falimentimit në vendet e BE-së që janë prekur nga kriza ekonomike. Sipas një studimi të kompanive estetike italiane, financat kanë prekur dhe bukurinë. Sipas studimit, gjatë këtij viti femrat italiane i kanë kushtuar më pak rëndësi trajtimit estetik të tyre. Rënie të ndjeshme ka pasur në qendrat e masazheve të trupit dhe qendrat që trajtojnë fytyrën. “Thuajse një milion italianë më pak kanë vizituar qendrat estetike”, thuhet në studimin e prezantuar nga drejtuesi i studimit, Roberto Roso. “Kjo është një e dhënë shumë domethënëse për faktin se italianët u kushtojnë një rëndësi të madhe problemeve estetike, sidomos femrat”, ka shtuar Rosi. E kthyer në shifra, mungesa e klientëve në një treg vjetor prej 200 milionë eurosh ka reduktuar të ardhura në 4-5 milionë euro. Trajtimi estetik për rrudhat në fytyrë është ai që ka pësuar më shumë dëme nga kriza, theksohet në studim.

© Panorama.al

Te lidhura